RCCOLA

Të gjithë për t’i parë “armët e Skënderbeut”

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Armët janë vendosur nën kamerat e sigurisë, ndërsa do të qëndrojnë në Shqipëri deri më 13 janar të vitit të ardhshëm. Sigurimi i tyre ka kushtuar 35 milionë euro.

Shumë qytetarë nga Kosova ia kishin mësuar Tiranës për një vizitë të shkurtër,”blic”. Një numër i vogël i tyre shkojnë për biznes apo çështje familjare, ndërsa shumica prej tyre e kanë një motiv tjetër. Shkojnë për t’i parë armët e Skënderbeut të cilat pas pesë shekuj janë kthyer në origjinë.

“E kam pas ëndërr qenë t’i shoh nga afër atë armë me të cilat ka luftuar Skënderbeu. Nuk me pritej data 28 për të shkuar e për t’i parë”, tha Qazimi M, një qytetarë nga Prizreni. “Tirana nga këtu është shumë afër dhe ia vlen të shkohet. Vjena për ne ishte e paarritshme”, tha ai, duke treguar se rrugën për Tiranë do ta bëj me një grup shokësh.

Një ditë më parë, në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës, për nderë të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, janë ekspozuar dy shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut.

Ato janë vendosur nën kamerat e sigurisë, ndërsa do të qëndrojnë në Shqipëri deri më 13 janar të vitit të ardhshëm.

Armët janë sjellë nga Muzeu i Vjenës ku po ruhen për disa shekuj.

Siç raporton gazeta “Panorama” qytetarët presin me orë në radhë për t’i parë armët e kryeheroit shqiptar. Edhe pse fotografitë dhe blicet në Vjenë kanë qenë rreptësisht të ndaluara, në Tiranë duket se ky ligj nuk vlen. “Ky shans nuk të vjen përditë”, tha një vizitor.

I pari që zyrtarisht hyri në Muze për t’i parë armët e Skënderbeut ishte kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ministri i Kulturës, Aldo Bumçi dhe prefekti i Tiranës, Lulzim Basha. Politikanët shqiptarë u shoqëruan nga ministrja austriake e Kulturës dhe Arsimit, Claudia Schmidt dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger.

UBT

Ardhja e armeve në Shqipëri, sipas kësaj gazete, i ka kushtuar Qeverisë Shqiptare një sigurim prej 35 milionë eurosh. Këto mjete janë garancë që armët e Skënderbeut do të kthehen aty ku kanë qenë tash e katër shekuj, në muzeun Belvederë në Vjenë të Austrisë

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, lindi në vitin 1405 në Mat dhe vdiq më 17 janar të vitit 1468 në Krujë. Ai arriti që për 25 vjet ta mbroj Shqipërinë nga perandoria e atëhershme Osmane, ndërsa pas vdekjes armët e tij u morën në Itali nga djali Gjoni dhe gruaja Donika.

Nga të gjitha ato që na kanë mbetur prej Skënderbeut janë vetëm katër objekte: dy shpata, një helmetë veneciane dhe një libër lutjesh. Armët e tij pasi kishin kaluar në duart e shumë fisnikëve, helmeta dhe shpatat, janë të dërguar në Koleksionin e Armëve dhe Armaturave në Neue Burg në Vjenë.

Ndërkaq libri i lutjeve është i arkivuar në Shtëpinë Publikuese “Shelley” në Çelsi të Londrës.

Helmeta e Skënderbeut, siç përshkruhet nga studiuesit, është e përbërë nga metal i bardhë, i zbukuruar me një shirit të veshur me ar. Në majë të saj gjendet koka e bronztë e një dhie me brirë, por që është e veshur me ar. Pjesa e poshtme përmban një shirit bakri me mbishkrimin * IN * PE * RA * TO * RE * BT *.

Ndërsa njëra shpatë që ka “ardhur” në Tiranë, është me dy tehe dhe është e larë në ar. Është 85.5 centimetra e gjatë, 5.7 cm e gjerë dhe peshon 1.3 kilogramë. Mhilli është prej lëkure. Deri në shekullin XX-të, thuhet se shpata kishte akoma njolla gjaku.

Ndërsa shpata tjetër ka trup të harkuar. Së bashku me dorëzën është 121 cm e gjatë dhe peshon 3,2 kg. Kjo shpatë, siç thuhet, është e stilit turk e shekullit XV. Trupi i saj është i dekoruar me shkronja osmane.(albinfo)