Të gjithë kundër bllokadës

Derisa po pritet një ballafaqim i blloqeve politike para Gjykatës Kushtetuese, më 21 gusht, përfaqësues të subjekteve të ndryshme po bëhen vetëkritikë për atë që ka ndodhur në këtë proces.
Sensibilizimi i tyre se i duhet dhënë fund sa më shpejt ngërçit politik, duke hapur rrugë bashkëpunimi pa kushte në ndërtimin e institucioneve të reja paszgjedhore, është një emërtues i përbashkët i qëndrimeve të tyre.
Nënkryetari i PDK-së, Adem Grabovci, ish-shef i grupit parlamentar në legjislaturën e kaluar, i tha gazetës se deri më tani, me këtë bllokim të jetës institucionale në vend, është shkaktuar një dëm i madh në interes të qytetarëve dhe zhvillimit të vendit, prandaj secili subjekt politik duhet të pajtohet me çfarëdo verdikti që do të sjellë në vijim Gjykata Kushtetuese.
“Ne para së gjithash e kemi parasysh interesin e qytetarëve të vendit, interesin e shtetit tonë, dhe duhet të kemi parasysh edhe të ardhmen në të cilën gjendet procesi i shtetndërtimit të Kosovës”, u shpreh ai.
“Ende jemi në formësim të shtetndërtimit dhe në përpjekje për krijimin e institucioneve funksionale e stabile. Për këtë, aq më pak e kemi atë komoditet që t’i lejomë vetvetes lojë politike të ngadalësimit të krijimit të institucioneve të reja, që shkon në dëm të interesit të qytetarëve të vendit”, tha Adem Grabovci. /kosovasot/