Të gjithë “duan” zgjedhje, të gjithë porosisin sondazhe dhe të gjithë dalin fitues!

/ 10 minuta lexim

Nga Behxhet Sh. Shala – Bajgora – Menjëherë pasi u formua koalicioni që e mundësoi krijimin e qeverisë Haradinaj, nga opozita dolën zëra se duhet të shkohet në zgjedhje të reja pas së cilës do ta kishim një qeveri dhe qeverisje demokratike. Realisht, në vendet apo shtetet ku demokracia është ende në pampersa, opozita e përdorë këtë armë për të ardhur në pushtet me një rrugë të shkurtër duke kaluar nëpër disa shtigje të cilat, megjithatë, nuk iu garantojnë kyçje të sigurt në autoudhën ku do ta lëshonin në lerë dhe do t’ia krisnin gjumit për të cilën akuzohet pozita. Në ndërkohë, në Kosovë ndodhën disa zhvillime gjysmë dramatike, gjysmëkomike, dramatike dhe skajshmërisht komike që e ndryshuan gjeografinë e votave dhe anatominë elektorale. Koalicioni qeverisës apo koalicioni i pakicës shqiptare e formuan një qeveri që analistët kujdestarë dhe të gjithëdijshëm e vlerësuan klinikisht të vdekur dhe që mbahej në jetë në sallën e reanimacionit të ambasadave të huaja të cilat shihnin interes te kjo garniturë qeverisëse se do t’ua realizonin disa projekte të cilat nuk i realizoi as koalicioni i madh (PDK me LDK) + Lista Serbe dhe 6+.

Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi ishte pragu ku morën në thua koalicioni i madh dhe kjo shërbeu si pretekst që të rrëzohet qeveria Mustafa. LDK-ja, si parti klienteliste e që ka shkuar në shtrat me të gjithë hamshorët që e kanë marrë në qeveri, nuk pati guxim ta hedhë në votim Demarkacionin me Malin e Zi, prandaj ra qeveria Mustafa, në ndërkohë që LDK-ja e mundësoi votimin për kalimin e demarkacionit gjatë qeverisjes Haradinaj. Merreni me mend këtë shkurtëpamësi politike, ne vend se ta hidhnin në votim sa ishin në qeveri, u detyruan ta votojnë kur ishin në opozitë! Po kjo LDK e ndihmoi Hashim Thaçin t’i marrë votat e nevojshme për president të Kosovës, madje ato vota ishin përcaktuese për fotelen presidenciale të presidentit tonë legjendar. Të pafytyrë janë disa personazhe kalimtare të politikës kosovare, në njërën anë e quajnë Hashim Thaçin kriminel dhe e denoncojnë te gjitha gjykatat kombëtare dhe ndërkombëtare duke ia bartur çantat Dik Martit, kurse në anën tjetër ia japin votën për president ose ia sigurojnë kuorumin e nevojshëm për t’u zgjedhur president. LDK-ja e pati një fat të keq që lideri i saj pati probleme shëndetësore (disa “kryetarë” në pritje në LDK këtë e konsiderojnë fat të mirë dhe mundësi të bëhen Isa Mustafa të rinj) prandaj, LDK-ja në vend se të merret me konsolidimin e partisë dhe përgatitje për zgjedhje të reja, iku në ekstrem duke përdorur fjalor shumë të dhunshëm që nuk e ka karakterizuar këtë subjekt politik më parë.

Në këtë rebelim dhe promovim të fjalorit të dhunshëm të LDK-së, flamurin e mori një profesor apo teknopolitikan i cili nuk lidhje me dhunën dhe dhuna nuk i shkon, as për kah pamja e lëre më për kah përmbajtja. Ky ishte Abdullah Hoti apo siç kanë filluar ta quajnë me shpoti, Komandant Dulla. Edhe Driton Selmanaj i katapultuar nga e ashtuquajtura shoqëri civile, në vend se të punojë në reformimin e partisë duke krijuar hapësirë për kuadro të reja si zëvendësim të elefantëve të LDK-së që e kanë gllabëruar hapësirën brenda këtij subjekti politik përmes klientelizmit komunal dhe parave nga tenderët dhe abuzimet tjera u bë krah i djathë i Avdullah Hotit me pretendime që ta lërë Komandant Dullën fare pa krahë. Përfundimisht, LDK-ja sot është parti ku, më shumë ka kandidatë për kryetar të partisë se që ka anëtarë.

Partia Demokratike e Kosovës, jo që mori një goditje të pritur nga elektorati por e mori atë që e ka merituar. Hashim Thaçi u dorëheq nga të qenit anëtar i PDK-së pasi u bë president, në njërën anë kurse realisht ai vetëm sa e forcoi postin e kryetarit të PDK, tash nga pozita e presidentit. Ai e ka promovuar dhe po e forcon biseksualitetin në politikë, në njërën anë është president legal kurse në anën tjetër është kryetar i PDK-së, si ilegal. Kadri Veseli pati probleme të transformimit, nga një udhëheqës i shërbimit informativ, në një udhëheqës politik me pretendime ta ketë rolin e një lideri që do të bënte reforma aq të domosdoshme për PDK-në. Deri më tani është në gjysmë të rrugës ku laura e përparimit definitiv apo pengimit, siç edhe po ndodhë e mbanë emrin dhe firmën e Hashim Thaçit. Dihet mirëfilli se disa deputetë dhe ministra e që kanë qenë si thua në mishin e gishtërinjve të Hashim Thaçit fillimisht e kanë bojkotuar Kadri Veselin kurse më vonë janë heshtur duke pritur çastin t’i vendosin lakun në fyt. Këta sabotues po e luajnë rolin që e luan Lista Serbe në Kuvendin dhe qeverinë Haradinaj, kur kanë interes janë konstruktiv kurse kur nuk kanë interes janë destruktiv. Kështu janë “njerëzit e Hashimit” në shtëpinë e quajtur PDK ku qiraxhi është Kadri Veseli. Kur krejt kësaj i shtohen këshilltarët “gjenialë” që i ka pasur dhe i ka (disa prej tyre e që janë shumicë) Kadri Veseli atëherë Kadriu nuk i ka punët edhe aq keq.

LV-ja ka shpërthyer në zgjedhjet e fundit dhe u rritë aq shumë saqë lëkura e LV-së nuk kishte mundësi t’i mbajë brenda. Gufuan aq shumë sikur qumështi kur vlon shumë dhe pastaj, në mungesë të kujdesit derdhet jashtë enës së vlimit. LV-ja tërë kohën merrej me ndarjen dhe çarjen e subjekteve tjera në ndërkohë që edhe vet u nda dhe nuk ka ndodhur deri më tani që një subjekt politik të ndahet aq keq saqë u përdorën fjalë dhe cilësime aq të rënda që nuk janë përdorur as në kohën e luftës së ftohtë apo në krizën kubaneze të quajtur Gjiri i Derrave. Njëri krah u bë PSD-ja e Kaçusha Jasharit e cila ua lëshoi partinë me qira kurse tjetri mbeti besnik i Albin Kurtit. Kjo ndarje edhe sot po ndikon në skenën politike kosovare sikur që do të jetë përcaktuese për zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato të mbahen. Nisma dhe AAK-ja arritën rezultate më të mira se që kanë pritur kurse pakicat, falë koçeve të Ahtisarit asnjëherë nuk mbeten pa mish.

RCCOLA

Sondazhet për zgjedhje: LDK-ja dhe LV-ja po insistojnë që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt duke shpresuar se bindshëm do t’i fitojnë këto zgjedhje. Edhe sondazhet por edhe unë mendoj se LDK-ja mund të jetë fituese e zgjedhjeve, me një rezultat të ngushtë. Për shkak të çarjes dhe ndarjes së LV-së, PDK-ja ndonëse është në komë politike mund të shpresojë të dalë subjekti i dytë kurse LV-ja do të jetë e treta, ose edhe e dyta. Mendoj se AAK-ja, nëse zgjedhjet mbahen në gjashtë muajt e ardhshëm do të ketë rritje kurse edhe Nisma do e kalojë pragun. Edhe PSD-ja e kalon pragun kurse AKR-ja dhe Alternativa, si Romeo e Gjulieta do të varrosen politikisht për t’u mos ringjallur kurrë më.

Po të lidhnin një koalicion parazgjedhor LDK + LV dhe Nisma mund të fitojnë 42-45 për qind të votave por se është vështirë të ndodhë sepse nuk mund të bëhen kryeministra në të njëjtën kohë Albin Kurti dhe Komandant Dulla. Për PDK-në do të ishte më së mirë të kalojë në opozitë ndryshe do të duhej të pranojë kushte poshtëruese për të qëndruar në pushtet. Edhe pas zgjedhjeve eventuale , nuk do të kishim ndryshime të mëdha dhe partitë e vogla do ta vendosnin se kush do ta formojë qeverinë. Partitë e vogla me numra do të shndërroheshin në fuqi të madhe politike për shkak të kapacitetit shantazhues që do e kishin.

Njëherë nuk shohë se do të ketë zgjedhje. Pozita nuk është e interesuar për zgjedhje të reja kurse opozita, më shumë po shtiret se që ka qëllim të shkojë në zgjedhje por edhe në këtë rast nuk i ka numrat që të provokojë zgjedhje të reja. Zgjedhje të reja mund të ketë vetëm nëse për këtë e dhënë pëlqimin dy kryetarët e PDK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ose nëse rrezikohet seriozisht e tashmja politike e Hashim Thaçit i cili, në këtë rast e shpërndanë Kuvendin (edhe ashtu gjysmë të shpërndarë) duke e bërë rrush dhe kumbulla apo lesh e li. Vetëm në këto situata mund të ketë zgjedhje të reja. Sa u përket sondazheve që i ka bërë KDI-ja, është çështje interpretimi dhe interesi. Unë ndoshta do të pajtohesha me renditjen por jo edhe me përqindjen e votave. Pastaj, kriteret që janë përdorur gjatë intervistimit i bëjnë rezultatet, më shumë të pabesueshme, sesa të besueshme. Nuk është sot fare problem të dilni fitues në zgjedhje, i keni 4-5000 euro, e gjeni një OJQ të “specializuar” për zgjedhje apo kompani dhe lehtësisht do të dilni fitues.

Kohëve të fundit edhe unë e bëra një sondazh për postin e presidentit të Kosovës. Si kritere të intervistimit mora përvojën politike, inteligjencën, përgatitjen shkollore, oratorinë, pamjen fizike, integritetin moral dhe profesional, të kaluarën e lavdishme, pikëpamjet për të ardhmen, rezultatet në luftimin e dukurive negative

(korrupsionin, krimin e organizuar, trafikimin me qenie njerëzore dhe poste politike, nepotizmin etj.), pranueshmërinë e publikut dhe performancën para medieve sikur edhe elegancën e përgjithshme dhe rezultatet, për ju mund të paraqesin befasi, por për mua ishin të pritshme; për president të Kosovës, sipas sondazhit tim bindshëm do të fitonte me 78,89 për qind të votave, z. Zafir Berisha kurse për zëvendëspresident gjithashtu bindshëm do të fitonin Duda Balje me 99.99 për qind të votave dhe Danush Ademi me 97.77 për qind të votave. Rezultatet e këtij sondazhi në vendin e parafundit e shohin kandidatin permanent për president të Kosovës, Sermeb Gjergjin kurse presidenti aktual Hashim Thaçi prinë bindshëm si i fundit në listën e garuesve. Këto ishin rezultatet e sondazhit tim, u pajtuat apo nuk u pajtuat me to.