Eko Higjiena

Të gjithë deputetët opozitarë mund të përjashtohen

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Ish-kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, përveç që rrezikon të arrestohet për shkak të hedhjes se gazit lotsjellës në seancën e së enjtes në Kuvend, mund të përballet edhe me suspendim për disa seanca.

Kështu kanë vlerësuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, pasi, sipas tyre, në bazë të Rregullores së Punës së Kuvendit, Kryesia e legjislativit, apo kryetari mund të vendosin për suspendimin e deputetit për shkak të pamundësimit të zhvillimit të seancës.

Për më tepër, sipas deputetit të LDK-së, një suspendim i tillë mund të bëhet edhe ndaj deputetëve tjerë të subjekteve opozitare, pasi kanë bërë veprime që e kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.

“Edhe hedhja e vezëve dhe veprat tjera janë shkelje të rënda, të cilat mund të përjashtohen nga disa seanca, nga një apo më shumë seanca. Rregullorja e parasheh në mënyrë eksplicite këtë çështje, dhe kryetari i Kuvendit ka mundur që aty për aty ta përjashtojë dhe ta thërrasë sigurimin që ta largojë nga salla, sepse e kanë pamundësuar vazhdimin e seancës dhe përveç kësaj kjo ka tejkaluar çdo normalitet”, ka shtuar Gashi.

Edhe anëtari i këtij Komisioni, Nezir Çoçaj, ka thënë se mund të merret një vendim i tillë. Por se a do të merret një vendim i tillë apo jo, sipas Çoçajt, mbetet që të vendosë Kryesia dhe kryetari i Kuvendit.

“Siç e thatë edhe ju kjo është çështje e përcaktuar edhe me Rregulloren e Kuvendit dhe me ligj, por është në mandatin e Kryesisë që të vendosë… Të vihet në seancë me gaz lotsjellës është me të vërtetë e tepruar, por i mbetet Kryesisë se si do të vendosë”, ka thënë Çoçaj.

Kurti nuk ka imunitet nga ndjekja prej organeve të drejtësisë

Në anën tjetër, Albert Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për “Zërin” se në këtë fazë është vështirë t’i hiqet imuniteti i deputetit.

“Është vështirë që qysh në këtë fazë t’i merret imuniteti, për shkak se deputeti mund të ndalohet apo arrestohet për vepra të rënda penale që janë të dënueshme me pesë apo më shumë vjet dënim. Kurse për t’iu hequr imuniteti duhet që Kuvendit t’i shkojë një kërkesë prej organeve të rendit dhe në këtë rast, Komisioni për Mandate dhe Imunitete t’i rekomandojë seancës dhe më pas vendoset me shumicën e votave të deputetëve”, ka sqaruar Krasniqi.

Por, ai më tej ka thënë se deputetët kanë imunitet vetëm për veprimet që janë kryer në kuadër të funksionit të deputetit, prandaj, sipas tij, përdorimi i gazit lotsjellës nuk është detyrë e deputetit, prandaj Krasniqi thotë se Albin Kurti nuk ka imunitet që të ndiqet nga organet e drejtësisë për këtë veprim.

Hidromorava

Krasniqi më tej ka thënë se deputetët që e pengojnë zhvillimin e seancës së Kuvendit, mund të përjashtohen nga ajo seancë, por se nuk është e përcaktuar nëse mund të suspendohet për seanca të tjera.

“Në mënyrën sesi janë duke rrjedhur punimet në Kuvend nuk është që do të përfillej suspendimi edhe në rast se merret ai vendim, por nuk ka ndonjë dispozitë të tillë në Rregulloren e Kuvendit, ku suspendohet për ndonjë kohë deputeti nga pjesëmarrja e tij në seancat e Kuvendit”, ka shtuar Krasniqi.

Prokuroria po heton ngjarjet në Kuvend

Fillimet e hetimeve për ato që ndodhën në seancën e se enjtes në Kuvend i ka konfirmuar kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka. “Është iniciuar hetimi dhe është në procedurë”, ka thënë Beka për “Kallxo.com”.

Kryeprokurori më tej ka thënë se hetimet nuk mund të pengohen nga imuniteti që kanë deputetët.

“Imuniteti nuk i përfshin ato veprime, pasi që dyshohet se vepra është kryer me mjete të cilat nuk guxon t’i posedojë asnjë person dhe as ata të cilët gëzojnë imunitetin”, ka shtuar Beka.

Ndërsa, pasditen e së premtes Policia e Kosovës ka bastisur zyrat e deputetëve dhe të Grupit Parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”.

“Konfirmojmë se sot në orët e mbrëmjes, me urdhër të prokurorit, Policia ka realizuar një kontroll në zyrat e grupit parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje” që gjenden në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani

Kurse “Vetëvendosja” përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se deputetët Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu janë ftuar për intervistë.

“Ne ia bëjmë të qartë Qeverisë dhe kryetarit të Kuvendit se veprimet e tilla… do ta tensionojnë edhe më shumë situatën dhe përgjegjësia për këtë i mbetet vetëm pushtetit”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e “Vetëvendosjes”.