Të gjitha shkollat e Gjilanit mbajtën grevën një orëshe!
Gjilan – Sipas raporteve që kanë arritur nga kryetarët e Këshillave greviste të të gjitha shkollave, tregojnë se në të gjitha shkollat e komunës së Gjilanit është mbajtur greva njëorëshe sipas vendimit të SBASHK-ut.
Në një njoftim të kryetarit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit për Komunën e Gjilanit i cili njëherit është edhe kryetar i këshillit grevist Blerim Mehmeti thuhet se ftesës për grevë iu kanë përgjigjur pothuajse të gjitha shkollat e Gjilanit që janë pjesë e sindikatës.
Ai potencoi faktin se greva e mbajtur sot është paralajmërim për qeverinë që të reflektojë në zbatimin e plotë të kontratës kolektive. Gjatë vizitës nëpër disa shkolla ka marrë mbështetje nga arsimtarët që të vazhdohet me veprime sindikale deri në realizimin e plotë të kontratës kolektive.
Shpresojmë që kjo të jetë ora e fundit e humbur për zbatimin e kontratës kolektive derisa nga prindërit dhe nxënësit kërkojmë mirëkuptim ka thënë Blerim Mehmeti./rajonipress/

