Të flasim shqip dhe qartë

Nga Arton Musliu – Për të qenë objektiv nuk është e thënë të jemi subjektiv. Objektiviteti apriori margjinalizon subjektivitetin. E për të qenë objektiv duhet ti themi gjërat ashtu qysh janë e jo ashtu se si duam e anojmë. Jemi objektiv sepse duam dhe i shohim gjërat ashtu si janë natyrshëm. Jemi subjektiv sepse duam dhe i shohim gjërat ashtu siç nuk janë, apo ashtu siç duam ne.
Në kontekstin aktual kosovar kemi dy palë të cilat mëtojnë të paraqesin objektivitetin meqenëse të dyja janë subjektive. Pra objektiviteti na çon kah e përgjithshmja e subjektiviteti kah një agjendë e caktuar. Ironia më e madhe e kësaj është se njeriu gjatë ushtrimit të aktivitetit të tij mëton të jetë objektiv, anipse në vetëdijen e tij e din se është ekstra subjektiv. Dhe këtu fillon loja me fjalë. Ka apo nuk ka shkelje të Kushtetutës me rastin e Marrëveshjes mbi Parimet e Krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe!?
Politikanët, duke qenë se janë politikan, pra pashmangshëm subjektiv, mbrojnë agjendat e tyre politike. Dhe kjo është deri diku në rregull. Ajo për të cilën ne duhet të angazhohemi është fakti i artikulimit të qartë dhe të saktë të asaj që e themi. Nëse themi se ka shkelje atëherë duhet ta kemi parasysh se bëhet fjalë për një akt juridik, dispozitat e të cilit shkelin normat dhe frymën e Kushtetutës Mirëpo, çka nënkuptojmë me akt juridik? Akti juridik është një dokument i cili rregullon një marrëdhënie të caktuar në kuadër të rendit juridik të caktuar dhe i cili ka efekt pozitiv, pra të zbatimit.
Në rastin tonë cili është ai akt juridik i cili ka fuqi juridike e me të cilin shkelet Kushtetuta e Republikës? Politikajt subjektiv pa u hamendur do të thoshin, dhe po thonë, se me Marrëveshjen mbi Asociacionin është shkelur Kushtetuta e Republikës. Kjo është non sens juridik për shkak se Marrëveshja mbi Asociacionin nuk ka efekt juridik për derisa nuk shndërrohet në një akt juridik, çfarëdo qoftë ai, e i cili do të kishte fuqi juridike. Pra nuk ka shkelje të Kushtetutës për shkak se duhet të ekzistoj një dokument i cili e shkelë atë. Kjo fjalë përdoret në kohën e tashme të vazhduar dhe si e tillë duhet të akceptohet.
Ndërkaq në anën tjetër duhet të thuhet se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Marrëveshja mbi Asociacionin nuk është në tërësi me frymën dhe disa dispozita të Kushtetutës. Në këtë rrafsh nuk duhet apstrahuar përgjegjësinë politike të atyre të cilët e kanë arritur këtë marrëveshje. Për shkak se i kanë tejkaluar autorizimet shtetërore.
Përfundimisht, mund të themi se ne duhet të flasim shqip dhe qartë. Nuk ka shkelje për derisa nuk ekziston një dokument juridik i cili është shkelës i Kushtetutës. Qeveria ka tejkaluar autorizimet dhe si e tillë duhet të jap përgjegjësi politike. /rajonipress/