Uji Dea

“Të fala nga Gjilani”, aktivitete të shumta për mërgatën në versionin virtual

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjilan, Deniza Limani ka prezantuar në konferencën për media aktivitetet kulturore që nisin nga nesër me 24 Korrik nën slloganin “Të fala nga Gjilani”, përmes platformës virtuale për të qenë afër tyre duke theksuar se Gjilani është shumë më ndryshe pa ta.

“Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit vazhdimisht ka punuar që të jetë sa më afër qytetarëve edhe në këtë kohë të pandemisë, përkundër kufizimeve të shumta. Sipas kalendarit të paraparë janë ditët e mërgatës me programin “Të fala nga Gjilani”, që këtë vit organizohen në formën virtuale, duke ju thënë se Gjilani nuk është i njejtë pa ju. Kësaj radhe ne do të ofrohemi pranë tyre. Fillojmë me krijuesit për mërgatën, ku stafi i Bibliotekës në bashkëpunim me shkrimtarët e Gjilanit, do të sjellë leximet letrare nga krijimet e tyre”, ka potencuar ajo.

Me tej ka prezantuar aktivitetin tjetër “Artistët për Mërgatën”, është një ekspozitë ndërkombëtare virtuale, me pjesëmarrje të dhjetë shteteve që do të ofrojnë krijimtarinë e tyre në respekt për mërgatën.

Gjithashtu, edhe sporti përmes katalogut sportiv në këtë formë do t’i paraqesë momentet e ndryshme të klubeve sportive nga Gjilani, duke falënderuar të gjitha ekipet sportive për angazhimin maksimal të tyre, në promovim të aktiviteteve të tyre sportive.

“Teatri i Qytetit, me stafin e vet ka organizuar edhe aktivitetin nën slloganin “T’fala nga Gjilani”, që do të përmbledhë skenat më të mira të William Shakespeare, të cilat janë të gërshetuara dhe lidhen me njëra-tjetrën duke sjellur momentet me të mira të veprave kulminante të tij, nën regjinë e regjisorit Ekrem Sopi”, ka thënë Limani, në konferencën për gazetarë.

Uji Dea

Vallet e Karadakut, do të vijnë në bashkëpunim me ansamblin “Gjilani”, ku do të shpalosen “Vallja e Gjilanit”, e “Deli Agushit”, e “Vallja e Preshevës”, “Vallja e Merhamës”, e “Ibrahim Hoxhës” dhe “Vallja e Kaçakëve”.

Në kuadër të kësaj, drejtoresha Limani, ka thënë se do të kemi edhe ekspozimin e eksponateve, monedhave dhe objekteve arkitektonike dhe lokaliteteve arkeologjike që në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore dhe Muzeun e Qytetit, jemi munduar që të jemi afër qytetarëve dhe mërgatës.

“Gjithashtu, kemi edhe panairin e produkteve artizanale, të krijuara nga bashkëpunimi i Gjilanit me Maqedoninë e Veriut, festivali “Angros”, që është i përkushtuar në ruajtjen e mjedisit ku do të organizohet edhe “Nata Shqiptare” me performancat artistike, me karakter autokton”, theksoi drejtoresha e DKRS.

Gjithashtu, ajo ka potencuar edhe ritransmetimin e rock koncertit, që gjithashtu është në këtë kuadër dhe ofrohet në formën virtuale për ndjekësit përmes platformave online në rrjetet sociale./rajonipress/