KKVITI

Të enjten vjen “selami” nga Brukseli

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Brukseli zyrtar të enjten do ta dërgoj një përfaqësues special të saj në Prishtinë, i cili pritet të takohet me liderët e të gjitha partive. Ky zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian, në këto takime me liderët e partive politike kosovare pritet që t’u bëjë të qartë atyre parimet mbi bazën e të cilave duhet të ndërtohet qeveria e ardhshme e Kosovës.

Sipas burimeve, ky zyrtar i lartë i BE-së do të përcjell tek liderët kosovarë kushtet se si do të ndërtohet koalicioni i ardhshëm.

“Si kushti, apo parimi kryesor i Bashkimit Evropian është vazhdimi i bisedimeve me Serbinë. Ky zyrtar i lartë i Brukselit zyrtar do të kërkoj që kushdo që do të vij në qeveri duhet të vazhdoj negociatat me Serbinë”, ka thënë ky burim.

Kusht tjetër shumë i rëndësishëm është edhe krijimi i koalicionit të shumicës, për shkak të disa proceseve të ndjeshme nëpër të cilat do të kaloj Kosova.

“BE e sheh shumë të rëndësishme krijimin e një qeverie të shumicës, sidomos në periudhën kur Kosova pritet të kaloj nëpër periudhën e krijimit të Gjykatës Speciale, e ku pritet të ketë arrestime të mëdha”, ka thënë burimi.

ARKATANA

Sipas këtij burimi, kusht tjetër është edhe mos ndërprerja e privatizimit. Mirëpo, për Brukselin zyrtar primare është çështja e bisedimeve me Serbinë.

Megjithatë, ky burim ka thënë se BE nuk do të ndërhyj ndërmjet partive se kush me kë duhet të bëjë koalicion.

“Thjesht çështjen e formimit të qeverisë do ta lënë në duar të partive. BE është e interesuar t’ua tregoj liderëve të partive parimet mbi bazën e të cilave duhet të ndërtohet qeveria e re”, tha ky burim.

Ndërkohë, në Prishtinë ende janë në pritje të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila edhe pse ka marrë dje vendim për çështjen e mandatarit për formimin e qeverisë së re të Kosovës, nuk e ka publikuar këtë vendim.

Pas zgjedhjeve të 8 qershorit PDK, edhe pse ka dalë partia e parë nuk e ka shumicën në Kuvend, për faktin se partitë tjera shqiptare, LDK- AAK- Nisma kanë arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje, të cilët e kanë edhe mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje. /Gazeta Blic/