Të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës po vazhdojnë të shkelen

Shqiptarëve në Luginën e Preshëvës po i shkelen shumë të drejta nga shteti serb.

Autoritetet e Serbisë, po vazhdojnë të shkelin të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Tash e sa kohë autoritetet serbe janë duke i larguar shqiptarët e Luginës së Preshevës nga lista e votuesve dhe duke i çregjistruar ata.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi,.

Kamberi në këtë intervistë ka treguar se kjo më së shumti është duke u vënë re në Medvegjë dhe se një praktikë e tillë në masë të madhe është duke u zbatuar vetëm për shqiptarët nga autoritetet serbe.

Sipas tij, në lidhje me pasivizimin e vendbanimeve të shqiptarëve janë ankuar në institucionet serbe dhe ato ndërkombëtare.

Kamberi po ashtu ka bërë të ditur se do të ankohen në Gjykatën e Strazburgut për largimin e qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës nga regjistri zgjedhor.

Lajmi: Z.Kamberi jemi duke e parë që kohëve të fundit në Luginë autoritetet serbe janë duke e bërë çregjistrimin. Sa shqiptarë janë hequr nga lista dhe në cilat vende apo fshatra ka më së shumti?

Shaip Kamberi: Procesi i pasivizimit të vendbanimeve të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, edhe pse ka filluar vite më herët, kohët e fundit është intensifikuar edhe më tepër. Veprime më intensive të pasivizimit kemi në Medvegjë, komunë kjo në të cilën largimi faktik i shqiptarëve është kryer menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, kurse tash procesi i pasivizimit po tenton ta legjitimojë atë gjendje. Në Bujanoc edhe Preshevë, edhe pse ka raste të shumta të pasivizimit, ky proces është me intensitet më të ulët. Por, pas kësaj po shihet një tendencë e hapur e qeveritarëve serb që përmes këtyre proceseve të ndryshojnë në mënyrë artificiale strukturën e popullsisë në këtë komunë. Sipas nesh ky është një proces kundërligjorë dhe për këtë kemi njoftuar gjithë mekanizmat ndërkombëtare por, ankesat dhe vërejtjet tona kanë shkuar edhe në adresë të qeverisë serbe. Aq më tepër që pasivizimi i vendbanimit, aktualisht, po shoqërohet edhe me shlyerjen nga regjistri zgjedhorë. Aty këtu ka raste të shlyerjes edhe të serbëve dhe romëve në Bujanoc p.sh., por këto janë raste me numër të vogël. Ne po presim reagimin e faktorit ndërkombëtarë për të parandaluar Serbinë të vazhdojë me këtë proces.

Çfarë arsyetimi kanë dhënë autoritetet serbe për këto veprime?

Shaip Kamberi: Arsyetimi i thjeshtë i autoriteteve serbe është se po veprojnë në bazë të dispozitave të ligjit për vendbanimin, por edhe bazuar në këtë ligj, sipas interpretimit tonë, Serbia po bën shkelje të të drejtave të individët. Ajo që duhet të ndodhë se krahas ankesave në nivel politik që vazhdimisht po shkojnë, janë edhe vetë qytetarët e goditur ata që duhet të padisin shtetin për këtë diskriminim, sepse kemi të bëjmë me të drejta individuale. Mjerisht numri i padive të qytetarëve në drejtim të shtetit mund të jetë fare simbolik në krahasim me rastet e ndodhura.

A janë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet serbe heqja e qytetarëve të saj nga lista?

Shaip Kamberi: Besoj se po, veçanërisht largimi i qytetarëve nga regjistri zgjedhor, i cili për mbarë territorin e Serbisë është unik, nuk mund të ndodhë derisa individi ka shtetësinë e Serbisë. Pra këto janë raste që duhet drejtuar në instancat gjyqësore e mandej sipas nevojës edhe në Gjykatën e Strazburgut.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).