UBT

Të dëmtuarit: Duam vetëm kompensimin e trustit..të tjerat t`i vendos Gjykata

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Gjilan ndaj Nexhmedin Arifit dhe Kabil Hajdarit janë dëgjuar të mërkurën dhe të enjten 5 dëshmitar në cilësinë e palës së dëmtuar. I dëmtuari Sabit Salihu dhe Sabri Ibrahimi thanë të enjten se duan vetëm kompensimin e trustit për tri vite kurse për të dyshuarit thanë se le të vendos Gjykata raporton rajonipress.

Edhe të enjten në Gjykatën Themelore në Gjilan ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj kreut të Vitisë Nexhmedin Arifi i akuzuar për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe Kabil Hajdari i akuzuar për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe “shmangie nga tatimi”.

Të mërkurën dhe të enjten janë dëgjuar pesë dëshmitarë të cilët para trupit gjykues që po e kryeson gjykatësi Hasan Sadiku kanë dëshmuar në cilësinë e palës së dëmtuar.

Ndryshe aktakuza ndaj Arifit dhe Hajdarit është ngritur nga palët e dëmtuara Kadri Halabaku, Bajram Aliu, Berat Ymeri, Ruzhdi Musa, Hysni Beqiri, Sabit Salihu, Sabri Rrahimi, Ali Islami, Taf Mustafa dhe Agron Misini.

I dëmtuari i radhës Sabit Salihu të enjten duke dëshmuar tha se për më shumë se tri vite nuk na është bërë pagesa e trustit pensional (kontributet pensionale). Në pyetjen e trupit gjykues se a janë ankuar dikund dhe se kush është përgjegjës për këtë mos pagesë , i dëmtuari tha se janë ankuar disa herë, por askush nuk ka ndërmarrë asgjë.”Kabili e ka ditur që nga fillimi se nuk jemi duke i marrë kontributet pensionale. Zoti gjykatës unë tek e fundit dua vetëm të më kompensohen(dëmshpërblim) tri vitet që nuk i kemi marrë mjetet, kurse për të akuzuarit-dyshuarit le të vendos Gjykata” tha ky i dëmtuar.

Edhe i dëmtuari i dytë Sabri Ibrahimi tha se për mospagesë të trustit ka dëgjuar nga kolegët e tij. “Ne i kemi besuar drejtorit (Kabilit). Unë nga ky trup gjykues kërkojë dëmshpërblim-kompensim kurse për të dyshuarit kërkojë që drejtësia të vendos vet” tha Ibrahimi.

Mobi Casa

Trupi gjykues pritet t`i marrë në pyetje edhe tre të dëmtuar derisa avokatët mbrojtës Shemsedin Piraj dhe Sabit Maliqi kanë thënë se do të paraqesin prova dhe dëshmi të bollshme se ky proces gjyqësor është kryekëput i pabazuar dhe me një aktakuzë të paqëndrueshme.

Të mërkurën ndërkaq para trupit gjykues Nexhmedin Arifi dhe Kabil Hajdari mohuan veprat penale . Ndryshe sipas aktakuzës kryetari i Komunës së Vitisë Nexhmedin Arifi akuzohet për veprën penale “korrupsioni zyrtar” derisa Kabil Hajdari për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe “shmangie nga tatimi”.

Sipas aktakuzës i dyshuari Kabil Hajdari në gusht të viti 2008 deri në maj 2011, derisa ka qenë drejtor në NP “Univerzal”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore nga datat 24.03.2009, deri më 01.01.2011, mjetet e trustit pensional për punëtorët e kësaj ndërmarrjeje: Kadri Halabaku, Bajram Aliu, Berat Ymeri, Ruzhdi Musa, Hysni Beqiri, Sabit Salihu, Sabri Rrahimi, Ali Islami, Taf Mustafa dhe Agron Misini, edhe pse kanë qenë në listën e pagave, trusti pensional atyre nuk u është paguar fare, duke u shkaktuar dëm të dëmtuarve në vlerë të 16 mijë eurove.

Kabil Hajdari gjithashtu dyshohet se ka shmangur mos pagesën e tatimit në Administratën Tatimore të Kosovës në vlerën e 79.815.29 eurove.

Kurse, Nexhmedin Arifi dyshohet se duke qenë në pozitën e kryetarit të Vitisë më 22 gusht 2008, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veti apo tjetrin, në kundërshtim me Ligjin mbi ndërmarrjet publike, ka marrë vendimin mbi ekzekutimin e vendimit të Kuvendit komunal për derajonalizimin e KRM”Higjiena”, njësia punuese në Viti e cila ishte pjesë integrale e “Higjienës” në Gjilan.

Arifi gjithashtu akuzohet se nuk e ka respektuar shkresën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal e as vendimin e Qeverisë së Kosovës që të shfuqizojë atë vendim. Sipas aktakuzës Arifi i ka mundësuar Kabil Hajdarit që të keqpërdor mjetet e kompanisë publike duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerën e 79 mijë eurove./rajonipress/