RCCOLA

Të akuzuarit mohojnë sulmet e kryera në Dobrosin

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Gjilan ndaj grupit të njohur si “Lëvizja e lirisë” që po udhëhiqet nga trupi gjykues që po kryesohet nga gjyqtari i EULEX-it Arkadiusz Sedek, janë dëgjuar fjalët përfundimtare të të akuzuarve. Valon Jashari ka thënë se nuk e dinë se kush qëndron mbrapa sulmeve të punktit në Dobrosin. Ne gjithçka që kemi bërë e kemi bërë me mjete paqësore dhe Lëvizja jonë askund nuk e ka në program konfliktin apo dhunën.

Pas prokurorit dhe avokatëve mbrojtës të martën janë dëgjuar fjalët përfundimtare të të akuzuarve Valon Jasharit, Gazmend Lakna, Gazmend Xhemshiri, Qendrim Rexhaj, Muhamed Aliu, Skender Selmani, Enver Musolli, Abdullah Zogaj dhe Jeton Shabani, raporton rajonipress.

Njëri nga avokatët mbrojtës Halit Azemi tha për rajonipress se shumica e të akuzuarve kanë mbështetur fjalët përfundimtare të avokatëve të tyre.

Azemi tha se edhe ai si mbrojtës ka hedhur dyshimet se si është e mundur që një grup i vogël të sulmojë punktin në Dobrosin, kur dihet se ai ruhet nga xhandarmëria serbe me centimetra. “Këto inskenime të policisë dhe ushtrisë serbe janë të njohura për shqiptarët” ka thënë Azemi para trupit gjykues.

Kurse Valon Jashari i cili edhe njihet si udhëheqës i grupit “Lëvizja e lirisë” ka thënë para trupit gjykues se ai dhe asnjë nga të akuzuarit nuk kanë lidhje me sulmet në punktin e Dobrosinit. “Ne kemi qenë të shtypur me vite nga Serbia sepse nuk na ka njohur asnjë të drejtë. Programi jonë ka qenë që ne t`i mbrojmë të drejtat tona në mënyrë paqësore dhe askund në program nuk figuron dhuna apo konflikti” ka thënë Jashari.

Valon Jashari ka mohuar kategorikisht veprat penale dhe ka dhënë sqarime rreth Organizatës “Lëvizja e lirisë”. “Unë s`kam lidhje me sulmet në punktin e Dobrosinit. Lëvizja që unë drejtoj s`ka lidhje me atë sulm sepse ne angazhohemi që problemi i Luginës të zgjidhet me mjete demokratike” tha Jashari.

Jashari tha se për sulmet në Dobrosin ka dëgjuar përmes mjeteve të Informimit.

Fundamenti

I pyetur rreth fotografive ku shihet i armatosur , Jashari tha se ato janë foto të luftës së UÇPMB-së. “Fotot nuk janë të shpikura e as të montuara, por ato janë të kohës së luftës së UÇPMB-së” tha Jashari

Të akuzuarit e tjerë ndërkaq në fjalët e tyre të shkurtra i kanë përkrahur deklaratat e avokatëve të tyre mbrojtës. Aktualisht vetëm Skënder Jashari pritet ta japi fjalën përfundimtare javën e ardhshme.

Ndryshe aktakuza e EULEX-it e ngritur ndaj Valon Jasharit, Skender Jasharit,Gazmend Lakna, Gazmend Xhemshiri, Qendrim Rexhaj, Muhamed Aliu, Skender Selmani, Enver Musolli, Abdullah Zogaj dhe Jeton Shabani i ngarkon këta nëntë persona për veprat penale të terrorizmit, organizimi i grupeve terroriste , pjesëmarrja në grupe terroriste dhe mbajtja e paautorizuar e armëve.

Grupi “Lëvizja e lirisë” dyshohet se ka marrë pjesë në sulmet në punktin në Dobrosin të Bujanocit më 17 maj 2012, 28 qershor dhe 7 tetor 2012.

Aktakuza saktëson se tek ky grup janë gjetur dëshmi e prova përmes përgjimeve telefonike, fotografi e gjësende tjera që lidhen me aktivitetet e këtij grupi.

Sipas aktakuzës më 17 maj 2012 një postbllok policor në Dobrosin të Bujanocit është gjuajtur me armë zjarri dhe dy sulme tjera më 28 qershor dhe 7 tetor 2012. Përgjegjësia për këto tri sulme është pranuar nga grupi i quajtur si “Lëvizja e lirisë” përmes tri komunikatave të publikuara në faqe të ndryshme të internetit thuhet në aktakuzë./rajonipress/