Të afërmit e liderëve kontrollojnë biznesin

Në të gjitha qeveritë e pasluftës, të afërm të pushtetarëve, liderëve kryesorë, familjarë e miq, e kanë rritur me hapa të shpejtë biznesin e tyre, ndërsa drejtësia asnjëherë nuk ka hetuar për këtë rritje marramendëse, kryesisht me tenderë të shtetit, me asete apo kompani publike.

Neziraj: Shumë nga bizneset super të mëdha në Kosovën e pasluftës po kontrollohen nga vetë liderët kosovarë dhe të afërmit e tyre

“Krerët e shtetit de fakto janë shndërruar në politikanë të inkriminuar dhe në grupe mafiooligarkësh në lojë të ndyra, duke nxjerrë jashtë loje të gjitha kompanitë serioze që nuk janë pjesë e nëntokës kriminale. Janë vetë liderët kosovarë me të afërmit e tyre që po i kontrollojnë të gjitha bizneset super të mëdha, madje duke i kontrolluar edhe sektorët më profitabilë, duke filluar që nga sigurimet, ndërtimet, asfaltimet etj.”, thotë analisti Ragip Guraziu për gazetën ” Kosova Sot”

Në të gjitha qeveritë e pasluftës, të afërm të pushtetarëve, liderëve kryesorë, familjarë e miq, e kanë rritur me hapa të shpejtë biznesin e tyre, ndërsa drejtësia asnjëherë nuk ka hetuar për këtë rritje marramendëse, kryesisht me tenderë të shtetit, me asete apo kompani publike.

Ka dyshime të forta se të gjitha bizneset super të mëdha në Kosovën e pasluftës po kontrollohen nga vetë liderët kosovarë me të afërmit e tyre, edhe atë në sektorët më profitabilë, duke filluar që nga sigurimet, ndërtimet, asfaltimet etj. Analistët me të drejtë thonë se de fakto politikanët e inkriminuar dhe mafio-oligarkët, janë shndërruar në pronarë të çdo korporate që ka biznes dhjetëra milionësh, duke nxjerrë jashtë loje të gjitha kompanitë serioze, që nuk janë pjesë e nëntokës kriminale dhe pushtetarëve të inkriminuar.

Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se ndikimi i politikës në ekonomi është i jashtëzakonshëm në Republikën e Kosovës. “Nuk ka biznes që nuk ndikohet nga politika, pra ky vend po shkon drejt një ekonomie të centralizuar dhe të udhëhequr nga politikanë nën petkun e biznesmenëve. Shumica e kompanive, të cilat kanë bërë kapital marramendës, janë të lidhura ngushtë me politikanë që diktojnë gjithçka në Kosovë. Jemi dëshmitarë se si kanë përvetësuar gjithçka duke i rritur fitimet e tyre në kurriz të bizneseve të vogla”, potencoi ai.

Sipas Beqirit, bizneset në Kosovë po hasin në vështirësi të paimagjinueshme, duke u detyruar të vendosin kontakte me partitë politike në pushtet, në mënyrë që të mbijetojnë edhe ndonjë ditë në këtë treg të çorientuar dhe të pabarabartë. Nga anonimati, në mesin e bizneseve kyçe Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot”, tha se te ne ka dyshime të mjaftueshme se shumë nga bizneset super të mëdha në Kosovën e pasluftës po kontrollohen nga vetë liderët kosovarë dhe të afërmit e tyre. “Kjo, ngase disa ndërmarrje nuk kanë qenë të njohura për bizneset e tyre dhe për afarizmin pozitiv, mirëpo pas 2008-s shumë ndërmarrje, që mund të shihen edhe nga të dhënat statistikore nga shumë institucione, biznesin e hovshëm dhe pasuritë milionëshe i kanë bërë për një kohë të shkurtër, që në ekonomi është vështirë të besohet, por këtë afarizëm pozitiv e kanë bërë duke qenë të lidhur me njerëz të fuqishëm, ku kanë marrë tenderë të ndryshëm edhe pa kritere dhe përfitime të tjera, dhe në këtë formë kanë arritur të bëhen ndërmarrje të fuqishme”, vlerësoi ai. Sipas analistit Neziraj, botërisht dihet se shumë nga këto ndërmarrje kryesisht janë edhe financuese të fushatave zgjedhore të partive të mëdha politike. “Po të analizohet, si në nivelin lokal po ashtu dhe atë qendror, shihet qartë se vetëm ato ndërmarrje që janë të lidhura me njerëzit e politikës përfitojnë tenderë, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror”, vijoi më tej Neziraj. Ai theksoi se për Qeverinë “Haradinaj” mbetet një barrë e madhe, që njëherë dhe përgjithmonë të bëjnë shkëputjen në mes këtyre ndërmarrjeve dhe politikës, për arsye se janë duke ngulfatur biznesin.

Bosët e monopolit ekonomik mund t’i lëkundë Specialja

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për “Kosova Sot”, theksoi se problemin e kanë qytetarët e Kosovës, sepse janë ata që me votat e tyre u kanë dhënë leje në njëfarë mënyre liderëve të Kosovës dhe të afërmve të tyre që ta kontrollojnë krejt shtetin dhe pushtetin. “Sektorët privatë janë ata ku më së shumti janë të përzier politikanët dhe të afërmit e tyre, ku po e kontrollojnë pronarin legjitim se a mos po bën dallavere në shitje dhe në numërimin e fitimit ditor apo mujor”, theksoi ai. “Kjo po ndodh për shkak se askush nga Prokuroria dhe Gjykata nuk po guxojnë që ta drejtojnë gishtin tek këta mafio-oligarkë, të cilët u kënaqën duke u pasuruar në krahë të qytetarëve të mjerë dhe të cilët gjithashtu janë në haraç”, tha më tej Grapci.

Sipas tij, kjo po ndodh sepse askush nuk po del në mbrojtje të pronarëve të këtyre bizneseve të mëdha, që janë viktima të haraçit. “Andaj, e vetmja mënyrë për ta luftuar këtë dukuri është fuqizimi i ligjit dhe arrestimi i atyre që po pasurohen përmes kërcënimeve dhe haraçit”, ka potencuar ai. Sipas Grapcit mund të themi lirshëm se mbrapa këtyre kompanive të mëdha dhe monopolit ekonomik qëndrojnë figurat më të larta të shtetit, që e kanë shkatërruar ekonominë e Kosovës. “Prandaj, jam i mendimit se qytetarët tanë e kanë shpresën vetëm te Gjykata Speciale, sepse vetëm ajo mundet të lëkundë ‘bosët’ kryesorë të monopolit politik, ekonomik, që kanë shkatërruar Kosovën”, ka thënë Grapci.

Politikanët, të zhytur deri në fyt

Eksperti i fushës së ekonomisë Sejdi Halimi, për gazetën ” Kosova Sot”,thotë se situata në të cilën kemi ardhur është një tregues që na thotë se është për keqardhje se kush po e udhëheq shtetin, duke e marrë parasysh që shumica nga këta politikanë jo vetëm që janë të inkriminuar, por janë gjithashtu edhe në listën e zezë të Gjykatës Speciale dhe shumë shpejt do të gjykohen. “Koha po na tregon se de fakto politikanët e inkriminuar dhe mafio-oligarkët janë shndërruar në pronarë të çdo korporate që ka biznes dhjetëra milionësh, duke nxjerrë jashtë loje të gjitha kompanitë serioze, që nuk janë pjesë e nëntokës kriminale dhe pushtetarëve të inkriminuar”, u shpreh ai. “Mund të them lirshëm se kasta politike kosovare më shumë janë biznesmenë sesa politikanë. Sepse, pasuria dhe jeta e tyre luksoze nuk justifikohen me pagat, e kjo dëshmon një të vërtetë, që krimi i organizuar e ka burimin në Kuvend dhe në Qeveri, që e bën kjo klasë politike”, potencoi Halimi. S.Blaku

GURAZIU:LIDERËT KOSOVARË I KONTROLLOJNË SEKTORËT MË PROFITABILË, DUKE FILLUAR QË NGA SIGURIMET, NDËRTIMET, ASFALTIMET ETJ. Analisti Ragip Guraziu,për gazetën ” Kosova Sot’,tha se krerët e shtetit de fakto janë shndërruar në politikanë të inkriminuar dhe në grupe mafio-oligarkësh në lojë të ndyra duke nxjerrë jashtë loje të gjitha kompanitë serioze që nuk janë pjesë e nëntokës kriminale. “Janë vetë liderët kosovarë me të afërmit e tyre që po i kontrollojnë të gjitha bizneset super të mëdha,madje duke i kontrolluar edhe sektorët më profitabilë,duke filluar që nga sigurimet, ndërtimet,asfaltimet etj.”,vlerëson ai.Sipas Guraziut,me të drejtë po dyshohet se krerët e shtetit tani janë shndërruar në pronarë të çdo korporate që ka biznes dhjetëra milionëshe,duke nxjerrë jashtë loje të bizneset e ndershme.

KOSOVA, DREJT TOTALITARIZMIT “Siç dihet, financimi i partive politike varet nga bizneset dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në veprimtarinë e bizneseve, pra Kosova po rrëshqet drejt një shteti totalitar dhe ndikues në ekonominë e lirë. Nuk shoh zgjidhje nëse kjo klasë politike vazhdon të jetë në pushtet, duhet një garniturë e re e politikanëve të rinj, të cilët biznesin dhe kompanitë private do t’i lënë rehat që të operojnë sipas ligjit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, theksoi Lulzim Beqiri për “Kosova Sot”.

MITËMARRJA “Është e njohur në Kosovë se askush nuk mund të marrë tender pa u dhënë përqindje njerëzve të institucioneve që e bëjnë shpalljen e tenderëve”, tha Xhevdet Neziraj për “Kosova Sot”.

SHTETI I INKRIMINUAR “Kjo klasë politike nuk mund ta shkapë shtetin nga nëntoka e kriminalizuar, që në prapavijë është oligarkia, e cila flirton me klasën politike të korruptuar të Kosovës, sepse i bie ta luftojë vetveten”, tha Sejdi Halimi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).