UBT

Taulanti, kitaristi shqiptar që bën xhaz për amerikanët

/ 8 minuta lexim
United Hospital

Deri në tri performanca me grupe të ndryshme i bën brenda ditës. Kjo është gjëja që gjithmonë e ka ëndërruar, tërë kohën e tij t’ia kushtojë kitarës. Ai ka lënë pas jetën dinamike në New Jork, plot me muzikë xhaz, dhe ka ardhur në vendlindjen e tij. Kitaristi Taulant Mehmeti është kthyer në Kosovë për t’u çlodhur pas gjithë aktiviteteve që ka pasur në këtë vit në Amerikë, ku edhe studion.

“Kam ardhur të vizitoj familjen dhe shokët muzikantë që i kam”, thotë Mehmeti, i cili muaj më parë ka performuar në një nga klubet më të madha të xhazit në New York “Blue Note”, ku të ftuar e kishte kitaristin Vic Juris. “Tani tërë kohën kaloj me muzikë dhe kjo është ajo që unë e dua, të mos bëj asgjë tjetër, veç muzikës”, ka thënë kitaristi.

Kthimi në New York, në mesin e gushtit, nuk do të jetë me pak punë për 24-vjeçarin. Taulant Mehmeti, student në “New School for Jazz and Contemporary Music”, është pjesë e projekti të xhaz-violinistit Ernesto Llorens, ku marrin pjesë edhe tre “gypsy jazz” kitaristët legjendarë Bireli Lagrene, Stochelo Rosenberd edhe Adrien Moignard. “Albumi ende nuk ka dalë në shitje, por do të dalë në fund të gushtit”, ka thënë Mehmeti, duke shtuar se kjo është një nga arritjet e tij më të mëdha. “Ernesto Llorens në albumin e tij ka zgjedhur kitaristët më të mirë në botë edhe në mesin e tyre jam edhe unë. Ndihem me fat”, është shprehur kitaristi, i cili pas kthimit në Amerikë do të vazhdojë vitin e fundit të studimeve.

Linda Briceno është një tjetër artiste me të cilën është duke bashkëpunuar Mehmeti. Ai do të luajë me bendin e Briceno kah fundi i nëntorit të këtij viti në qytetin e New York. Taulanti tregon se janë takuar në një koncert. “Nga shtatori do të incizojmë disa këngë bashkë”, ka treguar artisti për “Zërin”, duke shtuar se një album do ta incizojë dhe me një artist nga Shqipëria, por që dëshiron të mbetet befasi. “Vetëm mund të them që është album shumë i mirë, me muzikantë shumë të mirë”, është shprehur Taulant Mehmeti.

Krahas bashkëpunimeve të shumta, Mehmeti është duke kompozuar edhe një album të tij, i cili do të dalë më vonë, kjo pasi tani nuk mund t’i përkushtohet për shkak të studimeve dhe angazhimeve të shumta që ka.

Për koncertin në “Blue Note” Taulanti thotë se ka qenë ëndërr për të. Njësoj siç është realizuar ëndrra e tij, kur para tri viteve ka luajtur për herë të parë me Vic Juris, i cili njëherësh është edhe profesori i tij. “Ka qenë eksperiencë shumë e mirë. Edhe pse e kemi mbajtur koncertin ende nuk mund të besoj”, ka thënë xhaz kitaristi, i cili shpreson që do të mundë ta sjellë Juris edhe në Kosovë. “Do t’i mbajmë disa koncerte vetëm unë dhe ai nëpër Amerikë edhe ndoshta do mbajmë edhe në Evropë, dhe nëse e bëjmë në Evropë do e sjell edhe në Kosovë”, është shprehur Taulant Mehmeti, derisa “Prishtina Jazz Festival” e sheh si mundësinë më të mirë për ta mbajtur koncertin.

Ai thotë se nuk mund të besoj që do të bëjë muzikë në disa vende, dhe që ka bërë muzikë me disa nga artistët më të mëdhenj të xhazit. “Veç performanca në ‘Blue Note’ ka qenë sa një vit të shkosh në shkollë”, shprehet ai për të shtuar se më shumë ka mësuar për tri orë sa ka performuar aty. “Përvoja është më e rëndësishmja, e kur bën muzikë me dikë që është shumë më i mirë, është mënyra më e mirë për të përparuar”, ka thënë Mehmeti, për të shtuar se koncerti ka qenë mësimi më i mirë për të. “Kam pasur shumë tremë, shumë emocione. Pas koncertit kam pasur komente shumë të mira edhe kanë qenë të pranishëm disa muzikantë shumë të famshëm, dhe më kanë thënë: ti veç që ke bërë muzikë me Vic Juris në skenë mjafton, lërë më që luan shumë mirë”, tregon kitaristi Mehmeti.

ARKATANA

Një tjetër paraqitje e rëndësishme e Mehmetit është ajo në festivalin “Idea City”, organizuar nga “Albanian Institute”, “Arte Institute” dhe “New Museum”, e ku marrin pjesë mbi 50 mijë njerëz. Taulanti ka interpretuar bashkë me artisten Joana Ricou. “Pjesëmarrja në ‘Idea City’ ka qenë një e re për mua dhe shumë interesante. Ka qenë shumë kreative sepse ka qenë një eksperiment që nuk e kam bërë më herët”, ka treguar Mehmeti, derisa ka thënë se Joana Ricou i ka ndaluar njerëzit në rrugë dhe iu ka bërë fotografi, nga të cilat më pas ka improvizuar muzikë. “Njerëzit kanë vizatuar gjëra të ndryshme, pastaj ne kemi improvizuar në bazë të atij vizatimi”, ka thënë Mehmeti, duke treguar se ka qenë “free jazz”.

Mehmeti tregon se kompozimet e tij i kanë parë edhe njerëz që janë legjenda të xhazit dhe i kanë pëlqyer shumë, sepse u janë dukur shumë autentike. Ai thotë se për të kompozuar e frymëzon momenti, ajo që është duke ndodhur. “Ka shumë këngë që i kam shkruar për dikë, për ndonjë shok, për shembull një këngë e kam ‘Like Xhafa’, që ia kam dedikuar kitaristit Armend Xhaferi, që e kam shokun më të ngushtë. Kur kam filluar të kompozoj kam thënë: ah kjo është për Xhafën”, ka treguar Taulant Mehmeti për gazetën, duke thënë se këngët e tij flasin për jetën me të gjitha problemet e saj.

Atij i është dashur t’i anulojë disa koncerte për shkak se nuk ka pasur vizë. Ai thotë se ka pasur ftesë nga disa bende nga Zvicra, Japonia dhe shtete të tjera, por që nuk ka mundur të shkojë. “Kjo nuk është keq veç për mua, por për të gjithë artistët që janë në Kosovë.

Të njëjtin problem e kanë të gjithë shokët e mi”, thotë Mehmeti, teksa tregon se do e bëj një album vetëm me muzikantët nga Kosova, por edhe një me muzikantë nga Kosova dhe Amerika. “Të bëhet një bashkëpunim që do i hapte rrugët”, shprehet kitaristi, i cili aktualisht është duke bashkëpunuar me Ilir Bajrin dhe Ernest Bajramliqin. Ai tregon se ka takuar dhe muzikantët e tjerë si Fatlind Feratin, me Sheki Hoxhën, Genc Salihun, Visar Kucin e Armend Xhaferin. “Është kënaqësi për mua t’i takoj, edhe pse unë jam në kontakt me ta edhe kur jam në Amerikë”, thotë ai.

Taulant Mehmeti për “Zërin” tregon se ka bërë muzikë në filmin “Tom’s Dilemma” të regjisorit Michael Gluckstern. “Rreth 20 sekonda unë kam bërë muzikë me kitarë”, ka thënë ai, derisa shpalos eksperiencën e tij në Graz të Austrisë, ku kishte shkuar të konkurronte në një shkollë. Para se të shkonte në New York, ai ka qenë në Graz, sepse atje ka studiuar miku i tij, Armend Xhaferi. Për t’u pranuar në këtë shkollë kusht ka qenë që fillimisht të kalojë provimin në teori e pastaj në praktikë. Këtë të dytën nuk kishte mundësi ta prekte, pasi Mehemti nuk kaloi teorinë. Një vit më vonë, më 2011, Mehmeti do e provonte përsëri, por kësaj radhe shumë më i përgatitur.

“Bëja muzikë gjashtë herë në javë. I ushtroja këngë që kisha zgjedhur t’i interpretoja në test. Para se të hyja në test kam mbajtur disa orë me profesorin, i cili tha se si ka mundësi që nuk je pranuar. I kam treguar që nuk e kam kaluar teorinë”, thotë Mehmeti, i cili për këtë provim ka ushtruar me Armend Xhaferin, i cili është shkolluar në të njëjtën shkollë. “E pata kaluar testin teori dhe pastaj kam hyrë në testin praktikë. Atë e kam bërë shumë mirë. Aty pranojnë pak veta. Juria më patën thirr dhe më kanë thënë: Ne mendojmë që ti nuk je i përshtatshëm për këtu, sepse nëse rri këtu katër vite as ne nuk kemi për të dhënë shumë gjëra dhe as ti nuk ke për të përparuar sepse i di gjërat që i japim këtu.

Nëse mundesh shko në Amerikë. Je shumë i mirë, nuk ke nevojë për këtë shkollë”, tregon Mehmeti një nga eksperiencat e tij, duke shtuar se provimi pranues në “New School for Jazz and Contemporary Music”, ka qenë shumë i lehtë, ndërsa thotë se mënyra e të studiuarit në këtë shkollë i pëlqen jashtë mase./zeri/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.