Eko Higjiena

Tatimpaguesit në Kosovë gjithnjë e më të përgjegjshëm

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Prishtinë – Shkalla e evazionit fiskal në Kosovë është zvogëluar ndjeshëm viteve të fundit. Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Behxhet Haliti, thotë se kjo është arritur falë angazhimit të ATK-së, dhe reflektohet në të hyra më të mëdha për buxhetin e Kosovës. Ndërkaq përfaqësues të komunitetit të biznesit thonë se ende ka shmangie nga tatimet dhe kjo i dëmton tatimpaguesit e rregullt.

Niveli i shmangies nga tatimet, apo evazioni fiskal, edhe në Kosovë është sikurse në të gjitha vendet e Evropës Juglindore. Por ky nivel është ulur ndjeshëm viteve të fundit, thotë për Radio Kosovën drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti.

Sipas një studimi të Bankës Botërore, para disa vjetësh evazioni fiskal në Kosovë ka qenë rreth 30 apo 35 për qind. Por drejtori Haliti, thotë se ATK-ja me aktivitetet e saj në terren ka bërë që ky nivel të ulet dhe rrjedhimisht të rriten të hyrat vendore.

“Çdo vit kemi pasur rritje të të hyrave dyfish deri në pesëfish më shumë sesa shkalla e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe kjo do të thotë se ne kemi mbledhë më shumë të hyra, duke e zvogëluar sadopak hendekun tatimor. Normat tatimore kanë qenë të njëjta dhe kemi ngritje të të hyrave nga 201 milionë në 301 milionë euro”, tha Haliti.

Përfaqësues të Komunitetit të Biznesit thonë se shmangie më e madhe nga tatimet bëhet në pikë-kalimet kufitare. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thekson se kjo shmangie, i dëmton bizneset që janë pagues të rregullt, por edhe konkurrencën në tregun vendor.

Uji Dea

“Evazioni është më i madhi në ato pika kufitare, ku hyjnë mallra dhe iu shmangen taksave edhe të doganës edhe të TVSH-së. Por edhe informaliteti në të gjitha këto pika, qoftë në veri apo edhe në pikat tjera kufitare është bërë si pjesë e përditshme e importit të disa mallrave, që iu shmangen taksave dhe po krijon pabarazi të madhe në tregun e Kosovës”, theksoi Shahini, për Radio Kosovën

Ndërkohë, zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci, tha se dogana po angazhohet në vazhdimësi për zvogëlimin e kontrabandës por edhe deklarimin e mallrave nën nivelin 3.5 tonë.

“Dogana vazhdimisht ka kundërvajtje doganore. Deri më tash kemi mbi 300 kundërvajtje të natyrave të ndryshme”, tha ai.

Sipas zëdhënësit të Doganave, për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, të hyrat doganore janë rritur për 4 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.