Task-forcat, identitike me komisionet komuniste
Krijimi i një Task-force për të ndalur migrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës, nuk po shihet se ide e qëlluar jo vetëm nga njohësit e proceseve integruese, por as nga përfaqësues subjektesh politike. Së fundmi kundër krijimit të një mekanizimi të tillë është shprehur kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, njëherësh ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi.
Task-Forca e propozuar nga qeveria, sipas Jakup Krasniqit, është si ato anekdotat me mesazh të qartë për “hi syve”, apo shprehja proverbiale: “Kur nuk ke ç’bën, luaje derën”. Krasniqi, pyet se: A do të jetë një Task-force edhe Gjykata Speciale e miratuar në parim nga Kabineti, Thaçi-Mustafa?!. “Duhet thënë, mjerisht, se Task-Forcat e ‘demokracisë janë tejet të përafërta me ‘komisionet’ e socializmit, kur krijoheshin sikur gjoja do ta zgjidhnin një problem a dukuri të shfaqur, pa mundësi minimizimi, derisa nuk “zbulohet” nga institucionet, të cilat edhe kanë detyrim kushtetues, por nga i madh e i vogël. Pa mundësi bllokimi edhe nga media e kontrolluar”, ka thënë Krasniqi në një shkrim autorial. Ai ka përkujtuar se kur në të ashtuquajturin “socializmin vetadministrues jugosllav” formoheshin komisionet ad hoc, nënkuptonte gjithçka tjetër, pos jo zgjidhje të problemit! Edhe më keq madje.
“Neglizhohej, ndodhte shtyrja e sanimit, dhe, e gjithë kjo në mënyrë që të krijohej përshtypja se po bëhet diçka! Ndërsa në demokracinë tonë të shumëpritur, por të brishtë, tepër të brishtë, Task-Forcë do të thotë, siç ishte rasti i Task-Forcës së Prokurorisë, kur kryetari i saj burgoset, të mos shqyrtohet më asnjë lëndë për ç’gjë është apo ishte formuar ajo (sic!)”, ka shtuar Krasniqi. Ai ka thënë se nuk mund të anashkalohet fakti se presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, e cila sipas tij është katapultuar në krye të vendit nga Policia, ka krijuar Këshillin Kombëtar të Antikorrupsionit. “Mban mend dikush se përveç ca mbledhjeve, prezantimit para medieve më tepër të “gunës sesa punës”, ndonjë rezultat apo sukses për të qenë të këtij Këshilli? A thua, përse duhej të formohej ky “këshill” apo “komision”, kur kemi institucionet përkatëse kushtetuese, të cilat duhet të merren me krimin dhe korrupsionin? Një fjalë thotë: “Shumë mami e mbysin fëmijën”, a po ndodh kjo edhe me shtetin tonë të ri?”, ka shkruar Krasniqi duke nxjerrë përfundimin se “Republika e Kosovës, nuk ka nevojë për asnjë Task-Forcë apo Këshill, qofshin ato të emërtuara edhe si “kombëtare”, por ka nevojë për një Ekzekutiv të përgjegjshëm, i cili menaxhohet nga një njeri që ka dhënë dëshmi se di e do të menaxhojë me pasurinë publike e kombëtare, që formon një ekip njerëzish që vërtet do ta nxjerrin vendin nga ky mjerim social e keqqeverisje e vendit.
Një ditë më herët analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka vlerësuar po ashtu se krijimi i një Task-Force të re do t’i nxiste me shumë qytetarët për ta lëshuar vendin. Qytetarët, sipas tij, nuk po e lëshojnë vendin nga fukarallëku, por nga mungesa e shpresës për një situatë më të mirë. “Eksodi ka filluar kur është shpërbërë blloku dhe LDK ka bërë koalicion me PDK-në”, ka thënë Spahiu për Tribunën. Edhe analisti tjetër politik, Imer Mushkolaj, ka thënë se nuk beson në këto Task Forca duke marrë parasysh përvojat e hidhura në të kaluarën./Tribuna/


