RCCOLA

Task Forca vlerëson se as pas reshjeve të fundit, nuk ka ndryshuar gjendja me ujin e pijshëm në Gjilan

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Është mbajtur sot takimi i tretë i Task Forcës për menaxhimin e situatës për furnizimin e ujit të pijshëm, në të cilin kanë marrë pjesë kryetari Lutfi Haziri, drejtori i Hidromoravës dhe komandanti i Stacionit Policor, Alban Ramashi, ndërkaq takimit i është bashkuar edhe Baton Begolli nga Këshilli Ndërministror për Menaxhimin e Ujërave dhe thatësive.

Përkundër reshjeve të djeshme, kryetari Haziri tha gjenda nuk ka ndryshuar, duke shtuar se janë duke e bërë vlerësimin ditor të ujit dhe të shpenzimeve sepse prurjet janë shumë të vogla.

“Apelojmë që të kursehet uji i pijshëm, të mos ketë ujitje të kopshteve, oborreve nga uji që vjen prej rrjetit të ujësjellësit. Po ashtu, apelojmë që të bëhen pagesat e rregullta të faturave. Më 26 qershor do të organizojmë një takim të madh të përfaqësuesve të institucioneve qendrore, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje afatgjate për ujin dhe të ketë ujë 24 orë e shtatë ditë”, tha Haziri.

Uji Dea

Baton Begolli nga Këshilli Ndërministror për Menaxhimin e Ujërave, tha se janë duke punuar që të gjendet një zgjidhje afatgjate për ujin në Gjilan.

“Situata nuk është duke u përmirësuar, prandaj duhet të bëhen të gjitha masat që i tha kryetari Haziri, të kursimit e evitimit të çfarëdo keq shfrytëzimi të ujërave në përgjithësi. Jemi duke punuar për një zgjidhja afatgjate për Gjilanin që të ketë ujë në vazhdimësi”, theksoi Begolli.

Drejtori i KRU Hidromorava, Muhamet Suliqi, theksoi se pas të reshurave nuk ka ndonjë ndikim pozitiv, duke apeluar tek qytetarët që ta kursejnë ujin e pijshëm dhe të mos keqpërdorin, përndryshe do të pasojnë gjobat./rajonipress/