Task Forca e BE-së: Hetimet për trafikim organesh po përparojnë

Ky mekanizëm i udhëhequr nga prokurori amerikan Clint Williamson që është i mandatuar për të hetuar pohimet për trafikim organesh, nuk jep detaje rreth procesit. Ata lënë të kuptohet se hetimet mund të përfundojë gjatë vitit 2014. Por, Zëdhënësi Joao Sosa në përgjigjet e tij për Express, nuk ka treguar nëse pas 2 vjetësh ka shenja se procesi mund të rezultojë me ndonjë aktakuzë apo të mbyllet.
Procesi i hetimeve për trafikim organesh në Kosovë që po kryhet nga Task Forca e Bashkimit Europian, është duke përparuar.
Kështu ka thënë për Express Zëdhënësi i Taskë Forcës (SITF) Joao Sosa në një përgjigje elektronike dërguar Gazetës, pa dhënë shumë detaje rreth këtij procesi.
Task Forca e BE’së që nga viti 2011 është duke kryer hetime rreth pohimeve të Këshillit të Europës për tregtinë e organeve në Kosovë.
Raporti i hartuar nga zvicerani Dick Marty i miratuar më pas nga KE, implikon ish -drejtuesë të lartë të UCK’së në tregtinë me organe, armë dhe drogë.
Aty përmenden me emra Kryeministri Hashim Thaçi, Zëvendëskryetari i PDK’së Kadri Veseli , Xhavit Haliti, Shaip Muja, Azem Syla.
“Ajo që mund të themi është se hetimet janë duke përparuar dhe ne jemi duke ecur përpara me aktivitetet hetuese” ka thënë Joao Sosa për Gazetën.
Ky zyrtar duke u treguar i rezervuar në përgjigje ka thënë se për këtë proces nevojiten 3 vjet, por nuk ka mundur të flasë se cila gjykatë do të merrej me procesin eventual gjyqësor.
Pra Task Forca ka nisur hetimet në muajin shtator të vitit 2011, që i bie se hetimet do të mund të përfundonin gjatë vitit 2014.
“Do të ishte e papërshtatshme nga ana jonë të spekulojmë rreth rezultateve të mundshme të hetimit ose për mekanizmat juridikë që eventualisht do të mund të krijoheshin pas përfundimit të hetimeve” ka thënë Sosa.
“Siç e kemi potencuar prej fillimit, hetime të ngjashme kanë marrë rreth 3 vjet kohë për tu kompletuar dhe ne jemi të përcaktuar që të kryejmë hetime gjithëpërfshirëse kriminale rreth këtyre pohimeve” ka shtuar ai.
Kjo temë , ishte përmendur edhe gjatë muajit prill të këtij viti gjatë një seance dëgjimore në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve ,ku përfaqësuesi i Departamentit Amerikan të Shtetit Jonathan Moore kishte thënë se Clint Williamson (kryeprokuror i Task Forcës) është duke punuar në mënyrë aktive dhe se qëllimi është që të ketë aktakuzë gjatë vitit të ardhshëm (2014), nëse ka dëshmi të mjaftueshme.
Në bazë të njoftimeve në web faqen e Task Forcës Kryeprokurori Clint Williamson muajve të fundit ka kryer vizita edhe në Romë, Vjenë dhe Sarajevë .
Zyrtarët e Task Forcës thonë se tashmë kanë vendosur raporte të mira bashkëpunimi me të gjithë aktorët.
“Ne kemi vendosur bashkëpunim të mirë me autoritetet në Kosovë , Serbia dhe vendet tjera në rajon sikurse edhe me shtetet anëtare të BE’së dhe aktorët tjerë relevantë ndërkombëtarë rreth kësaj çështjeje” ka thënë Sosa.
Siç dihet, Serbia dhe Rusia janë duke insistuar që hetimet për këtë çështje të kryhet në mandatin e Kombeve të Bashkuara.