FIDANISHTJA

Tango me pushtetin!

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Arbana Xharra – Zhvillimet e fundit politike kanë lënë nën hije një ngjarje shumë të rëndësishme ku janë të përfshirë biznesmenë me peshë, të cilët “mbajnë gjallë” parti politike në vend. Ata të cilët shpeshherë shihen në shoqërim të njerëzve “ të fortë” të pushtetit, e të cilët për një kohë shumë të shkurtër arritën që të zhvillojnë biznese të mëdha, dhe në fund të shpëtojnë pa një therrë në këmbë nga procesi gjyqësor.

Të fokusuar në protestat e “Vetëvendosjes” dhe votimin e marrëveshjes, nuk u bë i madh një vendim i gjykatës për një çështje, e cila dy vjet më parë ka qenë skandal i madh.

Kontrata e PTK-së me vëllezërit “Devolli” për licencën e operatorit virtual ZMobile e nënshkruar në vitin 2008, e cila është vlerësuar se ka dëmtuar PTK-në rreth 200 milionë euro, duke çuar në këmbë hetuesinë e EULEX-it, javën e kaluar doli të jetë kontratë e padëmshme, madje e favorshme për kompaninë publike.

Shyqyri Haxha, ish- drejtor ekzekutiv i PTK-së, i cili dy vjet më parë hetuesve te EULEX-it me gojën e tij u kishte deklaruar se “kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka detyruar që ta nënshkruajë kontratën me kompaninë ‘Dardafon.net’, javën e kaluar u shpall i pafajshëm bashkë me kreun e bordit të PTK-së Rexhë Gjonbalaj dhe pronarët e kompanisë Devolli vëllezërit Blerim dhe Shkëlqin Devolli.

Të gjithë këta për më shumë se dy vjet të dyshuar për lidhjen e kësaj kontrate me vendimin e gjykatës themelore të Prishtinës, nga një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarë të EULEX-it dhe të Kosovës u liruan nga akuzat për keqpërdorimin e pozitës zyrtare për lidhjen e kontratës së dëmshme, falsifikimin e dokumenteve. Gjykata i liroi të gjithë pesë të pandehurit sepse nuk u vërtetua që ata i kishin kryer veprat penale për të cilat akuzoheshin.

Unë nuk jam eksperte e legjislacionit, por mua si gazetare e cila kam përcjellë nga afër këto zhvillime që nga vitit 2008 më lejohet t’iu kthehem edhe njëherë ngjarjeve dhe të ngre disa pyetje.

ARKATANA

Në qershor të vitit 2011 “Koha Ditore” jep detaje sesi Haxha sa nuk ishte direkt i përfshirë me akuza ka deklaruar për hetuesit e EULEX-it se ka pasur presion nga kryeministri të nënshkruajë kontratën me Dardafon. Por më pas kur intervistohet si i dyshuar me tri vepra penale, nga prokurori i EULEX-it, Haxha ndryshon deklaratën duke thënë se “kryeministri asnjëherë nuk i është përzier në këtë punë”. Çfarë zori e futi Haxhën që të ndryshojë deklaratën? Apo ndoshta paskan gënjyer hetuesit e EULEX-it?

Haxha ka nënshkruar licencën vëllezërve Devolli për operator virtual të telefonisë mobile e cila shfrytëzon të gjithë infrastrukturën e kompanisë publike Vala. Sipas kontratës së nënshkruar, PTK-së i takojnë vetëm 22 për qind të hyrave nga shitja e shërbimeve nga “Z Mobile”, ndërsa kësaj të fundit i mbeten hiç më pak se 78 për qind e fitimit.

Më 8 qershor të vitit 2011 Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër Haxhës, Gjonbalaj dhe pronarëve të kompanisë “Devolli”, pas një hetimi mbi njëvjeçar për kontratën e lidhur për operatorin e rrjetit mobil virtual (ORRMV) mes PTK-së dhe Dardafon LLC, e cila ishte një kompani tjetër, por që me nënshkrimin e Haxhës, licenca i transferohet kompanisë tjetër Dardafon.net e vëllezërve Devolli.

Ndërkohë grupe ekspertësh të cilët vlerësuan këtë kontratë dolën me raporti ku thuhet se “oferta finale e Dardafone me përqindje të ndarjes së të hyrave 22% për PTK dhe 78% për Dardafne nuk ka arsyeshmëri strategjike, e aq më pak komerciale për PTK”. Sipas tyre kontrata është shumë e pafavorshme për Valën aq më tepër kur me këtë kontratë Vala nuk e obligon operatorin virtual të llogaris të hyrat totale të muajit, por të hyrat e inkasuara, duke përjashtuar borxhet e këqija që do të vijnë si rezultat i mospagesës së faturave nga konsumatorët.

Dhe sot disa fakte bazë të cilat nuk duan shumë mend për të analizuar, të kthejnë në 2009-tën kur u paralajmërua se kjo kontratë do të gjenerojë humbje të pashmangshme për ndërmarrjen publike. ZMobile operator virtual i PTK-së del me çmime shumë më të ulëta sesa Vala duke i shkaktuar humbje ndërmarrjes publike dhe në të njëjtën kohë duke i shfrytëzuar gjithë infrastrukturën e saj.

Sipas raportit të fundit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike e Postare, Operatori virtual “Z-Mobile” po ua merr tregun dy operatorëve nacionalë të telefonisë mobile “IPKO” dhe “Vala”. Rasti i fundit me vëllezërit “Devolli” është një dëshmi e radhës se bizneset e afërta me politikën janë fuqizuar dukshëm dhe po luajnë Tango me pushtetin!