Taksistët kamenicas kërkojnë të operojnë në relacionin Kamenicë – Gjilan

Kamenicë – Kryetari i komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, së bashku me ushtruesin e detyrës së drejtorit të inspektoratit, Refik Latifi dhe inspektorin e komunikacionit, Sadullah Dërmaku, të premten kanë pritur taksistët e komunës së Kamenicës ku janë njohur me kërkesat e tyre.
Taksistët e Kamenicës kanë kërkuar nga kryetari i komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, për marrjen e masave urgjente për shqyrtimin e kërkesave të tyre.
Kërkesa kryesore e taksistëve kamenicas ka të bëjë me operimin në transportin ndërkomunal të udhëtarëve Kamenicë – Gjilan. “Të arrihet një marrëveshje në komunën e Gjilanit e cila ka bërë marrëveshje edhe me komunat tjera (Vitia – Presheva). Nëse nuk arrihet një marrëveshje me komunën e Gjilanit, ne jemi të detyruar të protestojmë në forma tjera në interes tonë” kanë thënë taksistët.
Kryetari i komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, pas dëgjimit të kërkesave të të gjithë taksistëve, u premtoj se do të takohet me kryetarin e komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
“Jam i gatshëm për bashkëpunim me ju dhe unë si kryetar do të bëjë të pamundurën për zgjedhjen e këtyre problemeve. Ne do të mundohemi që të bëjmë marrëveshje si është bërë me komunën e Vitisë dhe Preshevës, të bëhet marrëveshja edhe për komunën e Kamenicës“ ka thënë Sinani.
Kurse, inspektori i komunikacionit, Sadullah Dërmaku, tha se mund të bëhet marrëveshja mes komunës së Kamenicës dhe asaj të Gjilanit, por duhet të nënshkruhet marrëveshja nga dy kryetarët e komunave dhe të dorëzohet tek ministria për vërtetimin e kësaj marrëveshje, dhe pas vërtetimit, marrëveshja do të shkojë edhe tek policia./rajonipress/