Fundamenti

Taksa për autostradën, pas finalizimit të punimeve

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Taksa për shfrytëzimin e autostradës në pjesën e Kosovës do të vendoset pas përfundimit të të gjithë punimeve. Kështu kanë bërë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës.

“Njëherë për njëherë Qeveria nuk e ka ndërmend të vendos taksë për autostradën. Një gjë e tillë do të diskutohet vetëm në finalizimine autostradës. Këtë e kemi pohuar qysh në fillim të nismës së autostradës”, ka thënë zëdhënësi i kësaj ministrie, Lah Nitaj.

Sipas tij, deri në këtë moment Qeveria nuk ka diskutuar për mënyrën së si do të vendoset taksa, por as rreth lartësisë së asaj takse, por sipas zyrtarëve të kësaj ministrie taksa do të jetë e volitshme dhe e përballueshme.

”Ende nuk dihet se sa mund të jetë vlera e taksës saktësisht. Mirëpo, ajo do të jetë shumë e volitshme, sepse Qeveria e Kosovës nuk do ta rëndojë në asnjë moment xhepin e qytetarëve”, ka thënë më tej Nitaj.

Ai më tej bëri të ditur se aktualisht Qeveria e Kosovës për mirëmbajtjen e autostradës shpenzon 2.6 milionë euro për dy vjet.

Ndërkaq, Ibrahim Rexhepi, drejtor i Organizatës “STARS”, shumën rreth 2.6 milionë euro për mirëmbajtje të autostradës nuk e ka vlerësuar si të lartë. Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë para për mirëmbajtjen e autostradës. Sipas Rexhepit, nuk është zgjidhja më e mirë që qytetarët të ngarkohen me taksë për autostradën, përkatësisht që atë ta paguajnë ata.

Sipas tij, me aplikimin sa do te ndëshkoheshin ata që nuk e shfrytëzojnë aq shumë këtë korridor.

Mobi Casa

“Zgjidhja më e pranueshme do të ishte shfrytëzimi i autostradës me pagesë, që do të thotë se secili do të paguaj në hyrje të saj. Sado që ka mendime se autostrada nuk duhet të jetë me pagesë, meqenëse është ndërtuar nga paratë publike, unë mendoj se duhet të ketë pagesë, meqenëse atë do ta paguajnë vetëm ata që e shfrytëzojnë”, ka shtuar Rexhepi.
Ndërkaq, Musa Limani, njohës i rrethanave ekonomike në vend, ka vlerësuar se taksat për shfrytëzimin e autostradës, duhet patjetër që të aplikohen.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës do që menjëherë ta fillojë aplikimin e taksës për shfrytëzimin e autostradës Prizren Prishtinë. “Çdo kund në botë paguhet taksa në autostradë për arsye se janë investime kapitale, janë investime shumë të mëdha. Ato investime për një kohë afatgjate kthehen. Mendoj se edhe këtu duhet të vendosen taksat. Madje kjo është dashur që të bëhet më herët në autostradën Prizren – Prishtinë, pasi që është e përfunduar dhe është e kalueshme kjo pjesë e autostradës”, ka thënë ai.

Ndërsa, Muhamet Mustafa, nga “Riinvest”, ka vlerësuar se çështja e krijimit të të ardhurave të projektit në fazën e eksploatimit nëpërmjet vënies së taksave për pagesë për rrugë alternative do të duhej të ishte prezent me rastin e studimit të fizibilitetit.

Sipas tij, në atë kohë shihet rëndësia e këtij elementi i mbledhjes së të ardhurave shtesë për shfrytëzimin e projektit për mirëmbajtjen e projektit edhe për kthimin e investimeve që janë bërë, ajo taksë shkon në buxhet.

“Tek ne ka probleme ngase shpeshherë vendimet për ndërtimin e këtyre projekteve shumë të mëdha merren pa studim të fizibilitetit. Atëherë edhe vendimi për vënien e taksave është një element jo shumë i integruar në tërësinë e projekteve”, ka thënë ai.

Mustafa, më tej ka vlerësuar se taksat mund të zvogëlojnë 2.6 milionë, që paguan Qeveria për mirëmbajtje. Ngase sipas tij taksat të cilat do të vendosen mund të sjellin 1 milion ose 2 milionë siç ka thënë ai, por kjo, sipas tij, varet krejt se sa do të jetë taksa dhe se sa makina do të kalojnë./zeri/