Eko Higjiena

Taksa mbetet, Qeveria pa “Plan B”

/ 2 minuta lexim

Taksa prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake do të vazhdojë të aplikohet, ndonëse për heqjen e saj dje u diskutua në një takim të zhvilluar mes kryeministrit Ramush Haradinaj, kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe ambasadorit amerikan Philip Kosnett. Por ish-ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, thotë për “Zërin” se pas presionit të ndërkombëtarëve Qeveria s’ka “Plan B” për taksën, shkruan Gazeta “Zëri”.

Qeveria e Kosovës po vazhdon të mos heqë dorë nga taksa e vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia e nga Bosnjë e Hercegovina, pavarësisht presionit ndërkombëtar për ta larguar këtë masë tregtare. Gjatë ditës së djeshme kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli zhvilluan një takim me ambasadorin amerikan në Kosovë Philip Kosnett, për të diskutuar pikërisht rreth taksës. Por as pas takimit të thirrur nga kryeparlamentari Veseli Qeveria e Kosovës nuk ndërroi qëndrim rreth taksës.

Mobi Casa

Përkundrazi, kryeministri Haradinaj tha se tarifa ndaj produkteve serbe do të vazhdojë të mbetet në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje për njohjen e Kosovës nga Serbia. Në anën tjetër, SHBA-ja tashmë ka kërkuar që kjo masë e vendosur nga institucionet e Kosovës të pezullohet menjëherë.

Duke u nisur nga këto, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se Qeveria duhet ta gjejë sa më shpejt një alternativë për ta pezulluar taksën për një periudhë të caktuar. Në rast se nga Serbia nuk përmbushet kriteri i kërkuar që ka të bëjë me njohjen, atëherë sipas tyre Qeveria e Kosovës do të mundë ta kthente sërish në fuqi tarifën prej 100 për qind.