Fundamenti

Takimi i Osmanit në SHBA me Pelosin dhe kongresistët – diskutohet për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe sigurinë në rajon

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, është pritur gjatë ditës djeshme në takime nga lideri i shumicës parlamentare në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kongresisti Steny Hoyer, kongresisti Darrell Issa dhe bashkudhëheqësit e komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, senatori Ben Cardin dhe kongresisti Steve Cohen.

Sipas një njoftimi për media, gjatë takimit me kongresistin Hoyer, Osmani diskutoi rreth rëndësisë së përkrahjes amerikane në Kosovë e më gjerë, si dhe për domosdoshmërinë e mbrojtjes së demokracisë e lirisë, e cila në Kosovë është arritur pas shumë sakrificave.

“Në takim po ashtu u bisedua rreth zhvillimeve në kontinentin evropian pas luftës në Ukrainë. Kongresisti Hoyer siguroi Presidenten Osmani që Kosova do të vazhdojë të ketë mbështetjen e fuqishme amerikane. Në takim me kongresistin Darrell Issa, i cili njëherësh është anëtar i grupit për çështje shqiptare, u diskutua për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO si dhe për situatën e sigurisë në rajonin tonë. Presidentja Osmani e falënderoi kongresistin Issa që është një zë i rëndësishëm në përkrahje të Kosovës duke potencuar fushat e ndryshme të interesit të dyanshëm ku mund të rritet bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se në takime të ndara me bashkudhëheqësit e komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ne Kongresin Amerikan, senatori Ben Cardin dhe kongresistin Steve Cohen, Osmani i falënderoj për mbështetjen që historikisht i kanë dhënë Kosovës dhe potencoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetjeje në periudhën në vijim të fuqizimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.

Gjatë takimit me senatorin Cardin dhe kongresistin Cohen, Osmani diskutoi edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, sigurinë në kontinentin tonë, ndikimin malinj të Rusisë dhe nevojën që SHBA të jetë sa më shumë prezente në rajonin tonë.

Eco Higjiena

Osmani po ashtu është pritur në takim nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelosi.

Ajo potencoi rëndësinë e avancimit të rrugës euro-atlantike të Kosovës, tani që sfidat e sigurisë të krijuara nga regjimet autokratike janë gjithnjë e në rritje.

Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani është pritur në takime edhe nga lideri i shumicës parlamentare në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, senatori Chuck Schumer, kryetari i komisionit për marrëdhënie me jashtë në Senat, senatori Bon Menendez dhe kryetari i komisionit për punë të brendshme dhe çështje qeveritare në Senat, senatori Gary Peters.

Siç u njoftua, gjatë takimit me senatorin Chuck Schumer, Osmani -bën të ditur zyra për media- diskutoi për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara në kohën kur bashkimi i demokracive anekënd botës në betejën kundër autokracive po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. /Telegrafi/