Tahiri: Të pagjeturit, temë kryesore në fazën e ardhshme të dialogut
Ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri ka bërë të ditur se në fazën e ardhshme të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), ekipi i Kosovës në dialog do të kërkojë që çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës, të jetë temë kryesore.
Ajo ka thënë për Radion Evropa e Lirë se faza e tretë e bisedimeve me Serbinë në Bruksel do të nisë pas zbatimit të marrëveshjeve të fundit, të cilat ende kanë mbetur pa u zbatuar.
“Në fazën e tretë ne kemi paraqitur, në fakt, si kryesoren, temën e të pagjeturve. Serbia e ka politizuar këtë proces. Kjo është një çështje humanitare, që nuk është dashur të politizohet. Mirëpo, duhet thënë qartë se është Serbia ajo që ka bërë gjenocid në Kosovë dhe ka bërë zhdukje personash. Prandaj, vetëm Serbia e di se ku janë adresat për t’i gjetur personat e pagjetur. Ne kemi thënë qartë se arkivat e ushtrisë së Serbisë duhet të hapen, sepse forca okupatore kanë qenë forcat e ushtrisë serbe”.
Mosgatishmëria e deritashme e Serbisë për të përfunduar plotësisht procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, sipas ministres Tahiri, është treguar edhe në punën që është bërë deri më tash nga Grupi i përbashkët për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

