Uji Dea

Tahiri: Qeveria ta marrë përsipër dialogun

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj ende nuk kanë zhvilluar takime konsultative lidhur me atë se kush do ta marrë përsipër udhëheqjen e dialogut me Serbinë, ndonëse në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese është precizuar se një e drejtë e tillë i takon Qeverisë. Në konferencën e fundit që mbajti për medie, i pyetur nëse do të pranojë ta përfaqësojë Kosovën në dialog, Haradinaj ka thënë se nuk mërzitet për një gjë të tillë, shkruan Gazeta “Zëri”.

Ish-negociatorja e bisedimeve me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë për “Zërin” se Qeveria është ajo e cila duhet ta drejtojë dialogun me Serbinë dhe se një kompetencë e tillë i është dhënë ekzekutivit qysh në vitin 2011 nga organi më ligjvënës në vend.

“Dialogu i Brukselit me ligj është kompetencë e Qeverisë së Kosovës për faktin se Parlamenti i Kosovës e ka autorizuar Qeverinë që nga viti 2011 ta udhëheqë dialogun me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen amerikane. Nuk ka ndonjë rezolutë tjetër që ka bërë ndryshime se cili institucion duhet ta udhëheqë këtë proces, pra mbetet Qeveria kompetente për dialogun”, ka potencuar ajo.

KKVITI

Tahiri theksoi se nga ana e institucioneve kosovare nuk po shihet ndonjë zgjidhje e shpejtë për rifillimin dhe për udhëheqjen e dialogut, por ajo thekson se në rast të fillimit të këtij procesi Qeveria duhet të krijojë një ekip uniteti, i cili do ta përfaqësojë Kosovën në bisedime.

“Duhet të ketë një ekip serioz të njerëzve të profilit të lartë, njerëz që kanë njohuri nga marrëdhëniet ndërkombëtare, njohuri nga negociatat, njohuri nga Kushtetuta, pra një ekip serioz i cili e përfaqëson shtetin. Kjo mund të arrihet duke pasur një gjuhë të përbashkët mes pozitës dhe opozitës, me një ekip uniteti të njerëzve të përzgjedhur që kanë aftësi për të kryer një punë kaq të madhe siç është vendosja e paqes mes dy shteteve dhe njohja reciproke me kufijtë ekzistues”, ka shtuar ajo. /ZERI