Fundamenti

Tahiri: Do ta çojmë vendin në zgjedhje, kjo qeveri po vjedh kafshatën e qytetarëve me vaj e grurë

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, sot ka folur para medieve pas mbylljes së sesionit pranverorë të Kuvendit të Kosovës.

Tahiri përmes një konference ka thënë se ditë më parë në mbledhjen e kryesisë patën kërkuar debat parlamentar për audio-incizimet mes shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lilës dhe ish nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Sllavko Simiq e cila iu është pamundësuar.

“Për të gjitha përgjimet që kanë dalë të aferës ‘Zdravo’, patëm kërkuar debat dhe një qartësi të involvimit në vendimmarrje të një personi i cili ndiqet nga drejtësia në Kosovë dhe që është i kërkuar nga ShBA dhe Mbretëria e Bashkuar, Millan Radojiciq. Ky person doli që është i afërt dhe me LVV dhe përmes konfirmimeve që pamë nga vet shefja e Grupit Parlamentar të koalicionit ‘Zdravo’.

Në atë mbledhje të kryesisë neve na u pamundësu që të kemi debat… Pra sot ky koalicion ‘Zdravo’ e mbylli këtë seancë për të cilin ishim ftuar që të jetë seanca e fundit e sesionit pranverorë. Dhe e mbyllën këtë seancë për të na pamundësuar debatin…”, tha ai.

Tahiri po ashtu tha se shqetësuese për këtë qeveri janë edhe abuzimet që po ndodhin në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë nga Rozeta Hajdari.

Mobi Casa

“Tashmë mbrëmë u faktuan të gjitha, si për rezervën për grurë dhe vaj. Kjo qeveri e cila vjedh kafshatën e qytetarëve. Do të kemi angazhim të vazhdueshëm që vendin ta çojmë në zgjedhje”, ka thënë Tahiri.

Ai tha se janë të angazhuar që t’i sigurojnë numrat për të shpërbërë Kuvendin.

“Sot ftohemi dhe bëjmë propozime konkrete për rendin e ditës, për ato që i interesojnë qytetarëve…Këta njerëz po duan me ngulfat fjalën e lirë. Jemi ne ata që do të bëjmë ç’është e mundur që t’i bëjmë numrat për shpërbërje të Kuvendit”, ka thënë Tahiri.

Ndryshe, sot në Kuvend ka dështuar të mbahet seanca për shkak të mungesës së korumit. /Telegrafi/