Tahiri: Diaspora mbështetje shumë e fuqishme për vendin

Zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri theksoi të hënën se diaspora shqiptare vazhdimisht ka qenë një mbështetje shumë e fuqishme për ngritjen e kombit shqiptar.
Tahiri këto komente i bëri në manifestimin për nder të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, të organizuar nga Këshilli Organizativ Kombëtar në Heilbron të Gjermanisë.
“Diaspora shqiptare vazhdimisht ka qenë një mbështetje shumë e fuqishme për ngritjen e kombit shqiptar andaj diaspora do të vazhdojnë të kenë vendin e merituar në historinë e 100 vjeçare të kombit shqiptar”, ka thënë Tahiri.
Ajo porositi që në këtë mënyrë atdhetarizmin e fuqishëm që ka dëshmuar diaspora e Kosovës përmes arsimit dhe frymëzimit, ta bartin edhe te gjeneratat pasardhëse të tyre, në mënyrë që të ruajnë identitetin.
Tahiri po ashtu falënderoi shtetin dhe popullin gjerman për gjithë mbështetjen e dhënë për pavarësinë e Kosovës dhe zhvillimin e saj shtetëror dhe integrimet evropiane dhe auro-atlantike.
Ndërkaq Abaz Imeri, kryetar i Këshilli Organizativ, tha se të gjithë shqiptarët në diasporë do të vazhdojnë ta kultivojnë frymën atdhetare dhe se kombi shqiptar do të jetë frymëzim edhe për brezat e ardhshëm.