Ta plaçkitësh “drzhavën”
Nga Imer Mushkolaj – Me logjikën se gjithçka duhet të vidhet, të përvetësohet e të shkatërrohet, jemi vetë ne ata që po e fundosim këtë vend. Duke mos i denoncuar hajnat e mashtruesit, shtetin e kemi kthyer në “drzhavë”. E shtet tjetër rezervë nuk kemi. Gati një milion euro të buxhetit të Kosovës iu janë paguar njerëzve që nuk jetojnë më. Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka gjetur se këto para kanë shkuar në konto të pensionistëve të Kosovës, edhe pse ata nuk janë gjallë. Thjesht, kur kanë ndërruar jetë nuk janë çregjistruar në gjendjen civile, familjarët sigurisht nuk kanë treguar se të afërmit e tyre kanë vdekur dhe i kanë shfrytëzuar pensionet në mënyrë të jashtëligjshme.
Mbi 50 mijë veteranë e invalidë lufte i kanë emrat në listat e miratuara nga Qeveria e Kosovës, për të përfituar pensione. Konsiderohet se më shumë se gjysma e tyre as që kanë pasur të bëjnë me luftën. Ata kanë mashtruar, me ndihmën e mashtruesve të tjerë, që i kanë përligjur pretendimet e tyre me qëllim që të përfitojnë.
Qindra e mijëra të tjerë, që gëzojnë të drejtën e ndihmës sociale, nuk kanë nevojë fare për të ngase punojnë, por vazhdojnë të përfitojnë duke mashtruar. Punojnë në të zezën, pa përmbushur as më të voglin obligim karshi shtetit. Mijëra biznese afarojnë pa ofruar kuponë fiskalë dhe deklarojnë fitim sa t’iu teket. Zyrtarë qeveritarë e komunalë harxhojnë pa masë në dreka e darka, makinat zyrtare i shfrytëzojnë për bregdet, dasma e syneti, e telefonat për muhabete pa fund. Profesorët vazhdojnë të vjedhin punime shkencore, të tjerë magjistrojnë e doktorojnë “ekspres”, studentët kalojnë provimet me kopje e ryshfet, madje edhe për regjistrim të fëmijëve nëpër çerdhe prindërit falsifikojnë certifikata e të tjera dokumente. Vjedhim rrymën e ujin. Ndërkohë, tregtarët t’i kthejnë rrallë centët nëpër markete, të tjerët të vjedhin në peshore në treg, e të tretët jetojnë jashte vendit e duken këndejpari veç kur vjen koha e pensioneve.
Por, mbi të gjitha, njerëzit e pushtetit e të veshur më pushtet, komandantë lufte e të lidhur me komandantë, politikanë e të lidhur me politikën janë ata që e kanë shkatërruar e po e shkatërrojnë vendin. Me logjikën se gjithçka duhet ta vjedhin, ta përvetësojnë, ta shkatërrojnë. Me logjikën e “drzhavës”
* * *
Për ata që nuk e kuptojnë, fjala “drzhavë” don të thotë shtet. Në kohën e ish-Jugosllavisë, mall i “drzhavës” është konsideruar gjithçka shtetërore, gjithçka që i ka takuar atij shteti që shqiptarët kryesisht e kanë konsideruar të huaj, pavarësisht se shumica i kanë shfrytëzuar të mirat dhe privilegjet e tij. Por, ideja themelore ka qenë që gjithçka që është e “drzhavës” është e huaja dhe, rrjedhimisht, duhet shfrytëzuar, duhet përfituar nga ajo. Në mos asgjë tjetër, të paktën duhet shkatërruar. Me këtë logjikë po funksionon edhe shoqëria kosovare, pavarësisht se tash sa vjet Kosova është shtet. Është shtet yni, jo shtet i huaj. Por, po e konsiderojmë të huaj dhe po sillemi me të si me “drzhavë”.
Sa e sa pasuri i është plaçkitur vendit që nga paslufta, nga secili që e ka pasur fuqinë ta bëjë një gjë të tillë. Sa e sa të mira materiale e privilegje i shfrytëzojnë çdo ditë ata që janë në pushtet, e të tjerë që iu rrinë pranë. Vetëm shihni ish-pronat shoqërore që janë përvetësuar për pak para, shihni pasuritë natyrore që plaçkiten çdo ditë, shihni paratë e qytetarëve si keqpërdoren çdo ditë. Si të ishin të “drzhavës”.
Logjika e plaçkitjes së “drzhavës” vazhdon, siç vazhdon edhe logjika e përfitimeve duke mashtruar. Por, këtu nuk kanë faj veç ata që mashtrojnë. Faj ka shoqëria që nuk reagon. Është e pamundur që të keqpërdorësh pensionin e familjarit të vdekur, pa e ditur askush, pa e ditur rrethi ku jeton, madje edhe zyrtarët e qendrave për punë sociale. Është e pamundur të përfitosh jashtëligjshëm si veteran a invalid lufte pa e ditur ata që kanë qenë në luftë, pa e ditur komandantët. Është e pamundur të plaçkitësh prona shoqërore, të keqpërdorësh miliona pa ndihmën dhe organizimin e dikujt. Thjesht, është e pamundur t’i bësh të gjitha këto të këqija, pa e ditur edhe të tjerët. Të tjerët që heshtin, të tjerët që bëhen bashkëpjesëmarrës dhe bashkëpërgjegjës në keqpërdorime.
* * *
Përderisa nuk ndërprehet logjika e “drzhavës”, nuk mund të pretendohet se do të shkohet përpara. Kosova është shteti ynë dhe duhet ta konsiderojmë si të tillë. Nuk kemi shtet rezervë. Andaj duhet mbrojtur. Keqbërësit duhet denoncuar dhe për veprimet e tyre ata duhet ndëshkuar.
Ata që kanë plaçkitur e keqpërdorur tash 17 vjet duhet t’i japin llogari drejtësisë. Ndërkaq, mashtruesit, hajnat nuk duhet lejuar t’i luajnë të ndershmit, ndërkohë që ata jetojnë në mesin tonë dhe e dimë çfarë janë. Kosova është shteti ynë dhe nuk duhet të sillemi me të si ndaj “drzhavës”. Përndryshe, të gjithë jemi përgjegjës për dështimin.


