“Ta paska dhënë lejen Dejona”, opozita e ngacmon për kthimin në Kuvend, Konjufca: S’po më njihshi bash mirë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u kthye në sallën e Kuvendit të Kosovës pas mungesës në tri seancave të fundit të jashtëzakonshme, të thirrura nga opozita.
Ndërsa ministrat dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) po vazhdojnë t’i bojkotojnë këto seanca, e Konjufca sot nuk e ndoqi shembullin e të tyre.
Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, e ngacmoi posa e mori fjalën në seancën e jashtëzakonshme, ku po diskutohet për menaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Ajo i përmendi koordinatoren e komiteteve në LVV, Dejona Mihalin duke i thënë Konjufcës se i paska dhënë leje për të udhëhequr seancën.
“Faleminderit i nderuar kryetar i Kuvendit. Po më vjen mirë që ke ardhë dhe ta paska dhënë lejen Dejona me ardh sot këtu në seancë”, tha ajo.
Pas kësaj, Konjufca reagoi menjëherë: “S’po më njihshe bash mirë, po nejse vazhdo”.
Deputeti i radhës që u paraqit në foltore, Hajdar Beqa i PDK-së, e nisi fjalën duke e përmendur gjithashtu kthimin e kryeparlamentarit në sallën e seancave.
“Është për keqardhje që në asnjë debat parlamentar të ftuar nga opozita nuk po vjen mazhoranca. Sot paska ardhë kryetari, e përgëzoj. Deputetja paraprake e pyeti a e ke pyet Dejonën. Ky tha nuk po më njihshe mirë. E unë po të pyeti, kryetar, a je ardhë me leje a pa leje? Dhe ishalla nuk ke najfarë ndëshkimi për këtë veprim. Megjithatë, të përgëzoj”, tha Beqa.
“Ruaju Hajdar se edhe ty të shkarkon Dejona” – ia ktheu Konjufca. /Telegrafi/