Mobi Casa

Ta mundësh të keqen

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Imer Mushkolaj – Të identifikohet gjithë Universiteti i Prishtinës me të bëmat e rektorit Ibrahim Gashi nuk është e drejtë. Në UP ka shumë profesorë kredibilë e me dinjitet. Vetëm se ata duhet të flasin. Të mos lejojnë të bëhen pjesë e të keqes, por ta mundin atë.

Dikujt që s’ka lidhje me Kosovën mund t’i duket absurde po t’i tregohet që vetëm një grusht profesorësh flasin publikisht dhe me qasje kritike rreth zhvillimeve të fundit në universitetin më të madh publik të vendit. Po, vetëm katër a pesë nga qindra të tillë po flasin haptazi për atë që ndodh në Universitetin e Prishtinës, ndërkohë që të tjerë, qindra pra, kanë zgjedhur të heshtin dhe soditin gjithë maskarallëkun, thua se nuk janë fare pjesë e institucionit të degraduar deri në palcë.

Në një vend normal, me një universitet normal, profesorët do të duhej të ishin ata që flasin, kritikojnë të metat e institucionit ku punojnë, propozojnë zgjidhje. Profesorët do të duhej të ishin ata që, bashkë me studentët, vihen në ballë të ndryshimeve për një universitet më të mirë, për studime më cilësore. Ata do të duhej të ishin në ballë të betejës për ta mundur të keqen. Dhe, e keqja në UP është rritur çdo ditë.

E keqja është mbjellë e ushqyer gjithë këto vjet të pasluftës nga njerëz të cilët para se t’iu shërbejnë studentëve e shkencës, iu kanë shërbyer shefave të tyre partiakë e politikës. Njerëz të cilët para se t’iu shërbejnë studentëve e shkencës, iu kanë shërbyer “njerëzve të fortë”, komandantëve e rrahagjokësve. Njerëz të cilët qëllim parësor nuk e kishin përparimin e edukimit dhe shkencës, por avancimin e vetes, farës e fisit të tyre.

Ajo çfarë shohim sot në UP është jo veç rezultat i punës a mospunës së rektorit Ibrahim Gashi, por edhe pasojë e menaxhimit sharlatan e keqmenaxhimit të më se një dekade e gjysmë. Është rezultat edhe i qasjes dhe veprimeve të profesorëve oportunë, të cilët janë në gjendje të bëjnë çmos vetëm t’iu shtohen eurot në konto. Janë në gjendje të kontrabandojnë punime gjithandej, në revista fiktive e mediokre, janë në gjendje të mashtrojnë pa u skuqur as zbehur vetëm për t’u avancuar e përfituar materialisht. Janë në gjendje që, në bashkëpunim me përfaqësues organizatash studentore të krijojnë rrjete shitjesh e blerjesh notash e shërbimesh të paligjshme. Janë në gjendje të bëjnë gjithçka që munden, pa zgjedhur rrugë as mjete.

* * *

Studentët po protestojnë tash sa ditë përpara Rektoratit. Qoftë edhe një i vetëm nëse do të protestonte në një vend normal, dikush do të duhej shqetësuar për këtë. Injorimi i kërkesave të studentëve dhe zërave të arsyeshëm të profesorëve, si dhe përpjekjet për të paraqitur gjithë historinë thua se nuk ka ndodhur gjë, nuk zgjidh asgjë. Është koha që studentë e profesorë të ballafaqohen me të vërtetën e dhimbshme të UP’së.

Të bëhesh pjesë e maskaradës së rektorit dhe çiftave të tij në UP është një vetëvrasje qytetarie. Sepse, ata nuk e kanë dhënë shembullin që duhet ndjekur akademikë e studentë.

Mobi Casa

Gashi është deleguar në krye të universitetit si rezultat i pazareve partiake dhe i tillë ka ngelur. Ai, ashtu si dhe dhe paraardhës të tij, në vend se të ndërtojë sistem vlerash, ka vazhduar së ndërtuari sistemin korruptues fortë të betonuar në truallin universitar.

Por, po ashtu, të identifikohet gjithë UP’ja me të bëmat e rektorit Ibrahim Gashi nuk është e drejtë. Aty ka shumë profesorë kredibilë e me dinjitet. Vetëm se ata duhet të flasin. Të mos lejojnë të bëhen pjesë e të keqes, por ta mundin atë.

Barcoleta thotë: Një mëngjes të bukur cingërron telefoni i një ministri. “Alo, ministër. Jemi nga administrata e UP’së. Ju njoftojmë se nesër e keni terminin për mbrojtjen e doktoraturës”.

“Aha, a mund të më tregoni cila është tema?”. “Jo, jo ministër. Komisioni ka vendosur t’ua bëjë surprizë!”.

Jo pak nga ato çfarë ka servuar UP’ja gjatë gjithë këtyre viteve mund të kenë qenë të tipit të kësaj barcolete. Gjithnjë në funkson të rritjes së të keqes.

Nuk është mëkat të bëhesh bashkë për ta mundur të keqen. Mëkat është të kontribuosh në rritjen e saj – qoftë edhe duke heshtur.

Ndërkaq, budallallëk i llojit të vet është t’i fajësosh gazetarët për gjendjen e krijuar. Sepse, s’ke si jep kontribut më të madh në shoqëri, sesa të “shpupurishësh” të keqen në UP (fjalë kjo e huazuar nga pasuria linguistike e ministrit Ramë Buja).

Nuk kanë faj gazetarët pse matrapazllëku, mashtrimet e injoranca kanë përfshirë UP’në. Faj nuk ka as Hasan Prishtina, emrin e të cilit e mban ky institucion. Por, përderisa ai është i bronztë dhe nuk mund të flasë, studentë, profesorë e qytetarë s’i ndalon askush ta bëjnë në gjë të tillë. Për ta mundur të keqen, pa i mundur ajo.