Fundamenti

​Ta hedhësh veten në zjarr

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

​Nga Imer Mushkolaj – Isa Mustafa është viktimë e trashëgimisë qeverisëse të Hashim Thaçit dhe viktimë e vetvetes. I gjendur në vorbullën e shumë problemeve, profesori i menaxhimit po e ka çdo ditë e më vështirë që ta menaxhojë situatën. Është hedhur në zjarr dhe po digjet ngadalë. As armiqtë më të mëdhenj nuk kanë mundur të gjejnë kohë më të papërshtatshme që t’ia lënë në dorë përgjegjësinë e kryeministrit. Isa Mustafa e ka marrë drejtimin e Qeverisë në një kohë të vështirë, në një moment shumë delikat e sfidues për të, pas qeverisjes shtatëvjeçare të Hashim Thaçit.

Që në javët e para të mandatit Mustafës i duhet të ballafaqohet me probleme të shumta, shumica nga të cilat janë pasojë e trashëgimisë qeverisëse të paraardhësit të tij. Sindikatat që kërkojnë rritjen e pagave sipas premtimeve, minatorët që kërkojnë garanca për fatin e tyre, qytetarët që në mënyrë masive braktisin vendin, të tjerë që kërkojnë dorëheqjen e ministrit Aleksandar Jablanovic, gjendja e rëndë ekonomike e sociale janë vetëm disa nga sfidat e tanishme me të cilat ai duhet të ballafaqohet, ndërkohë që në postin e të parit të Ekzekutivit ka ardhur me premtime të mëdha për përmirësimin e jetës së kosovarëve.

Që në fillim të qeverisjes, sjellja e Mustafës të krijon përshtypjen e një njeriu të hutuar, që nuk di nga t’ia fillojë, me reagime të plogështa karshi situatave shumë serioze dhe me qasje aspak proaktive. Si në rastin e ministrit Jablanovic, ashtu edhe në rastin e Trepçës, Mustafa ka zgjedhur një mënyrë reagimi aspak të denjë për një shef qeverie.

Në vend se të shkojë dhe t’i takojë minatorët në zgafella, ai iu çon letër, thua se ata gjenden diku larg, e jo disa dhjetëra kilometra larg zyrës së tij. Në vend që të ndërmarrë masa ndaj vartësit të vet, ai përpiqet ta relativizojë gjithë situatën rreth një çështjeje fort të ndjeshme.

Por, si po sillet zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, në këto kohë jo fort të lehta? Përderisa Isa Mustafa ka pranuar ta hedh veten në zjarr – së pari duke bashkëqeverisur me Thaçin dhe duke vazhduar thuajse në të njëjtën rrugë të trasuar nga ai – shefi i ri i diplomacisë ndihet komod. Thaçi po e vazhdon turin e vizitave nëpër shtete të rajonit dhe, po ashtu, po vazhdon të pranojë çmime nderi. Ai nga lart po e vështron Isa Mustafën teksa po vuan pasojat e qeverisjes së tij. Ai ndihet i qetë, sepse përgjegjësinë tash e ka kryeministri i ri.

* * *

I gjendur në vorbullën e shumë problemeve, profesori i menaxhimit, kryeministri Mustafa nuk po e ka të lehtë që ta menaxhojë situatën. Tashmë kur janë paralajmëruar protesta masive, në të cilat pritet të kërkohet edhe dorëheqja e tij, ai nuk po ka përgjigje bindëse në kërkesat e protestuesve.

FIDANISHTJA

Kërkesa për dorëheqjen e minstrit Jablanovic është më shumë se vetëm një kërkesë e rëndomtë. Pas emrit të ministrit serb fshihen dhjetëra probleme me të cilat qytetarët janë ballafaquar tash 15 vjet. Gjithë frustrimin dhe pakënaqësitë e grumbulluara që nga paslufta tashmë po shpërfaqen në formën e një kërkese për dorëheqje të ministrit që përdor gjuhë fashiste dhe fyen qytetarë. Mustafa duhet ta kuptojë këtë. Problemi nuk qëndron te emri i një ministri, sepse në vend të Jablanovicit mund të vijë një tjetër nga Lista Serbe. Problem është te qasja që ky subjekt politik ka ndaj shtetit dhe shtetësisë së Kosovës.

Kryeministri Mustafa duhet të sillet me përgjegjësi karshi situatës së krijuar. Ai nuk mund të vazhdojë t’iu qaset problemeve duke i parë nga anash, por duhet të gjejë zgjidhje për to. Askush nuk e ka shtyrë me zor që të marrë postin e kryeministrit, por, po, të gjithë presin që ai ta kryejë punën që i takon, t’i përmbush zotimet që i ka bërë.

* * *

Me qasjen dhe mënyrën e qeverisjes, Isa Mustafa të krijon përshtypjen se udhëheq ndonjë qeveri në ndonjë shtet skandinav, një shtet që nuk ka kurrfarë problemesh serioze, një shtet me mirëqenie e prosperitet.

Kosova është vend i shumë problemeve dhe Mustafa tashmë gjendet një një sanduiç situatë: në njërën anë kërcënojnë protestat shkaku i gjendjes së vështirë ekonomike dhe sociale, e në anën tjetër kërcënon Beogradi nëpërmjet Listës Serbe, duke synuar që sa më shumë ta dëmtojë shtetin kosovar.

Dhe, kur Isa Mustafa ka problem ta menaxhojë kabinetin e tij qeveritar, sa mund t’i besojmë se është në gjendje ta menaxhojë si duhet një shtet. Fillimi i qeverisjes së tij nuk premton se mund t’ia dalë me sukses.

Isa Mustafa më në fund duhet të fillojë që të sillet dhe të veprojë si kryeministër përnjëmend, duhet të fillojë të na bind se nuk është rastësisht në atë post, duhet të fillojë e të merret seriozisht me brengat e qytetarëve. Ose, të paktën të na tregojë çfarë e ka ndërmend të bëjë. Sepse, çfarë nuk po bën po e shohim.