RCCOLA

Sylvinho: Në “Euro 2024” të shfrytëzojmë mundësitë tona, duhet të provojmë shanset dhe të tentojmë

/ 13 minuta lexim
Eco Higjiena

Trajneri i Kombëtares, Silvio Mendes Campos Junior ka analizuar shortin e Euro 2024 dhe kundërshtarët që do të ketë Shqipëria në finalet e turneut më të rëndësishëm në kontinent.

Në një intervistë për “News 24” me gazetaren Trevisa Tufa, tekniku kuqezi ka folur për shanset që ka kombëtarja shqiptare në këtë eksperiencë të dytë në finalet e Evropianit, teksa ka komentuar për shortin dhe pritshmëritë që ka ai nga skuadra në këtë kompeticion.

– Dy foto kanë bërë xhiron në rrjet këtë periudhë, foto juaj me flamurin kuqezi mbi supe dhe “selfie” juaja me trofeun e Kupës së Evropës, meqenëse jemi tek ëndrrat, mund ta fitojë Shqipëria, Evropianin?

– Është një ëndërr e bukur, është një ëndërr e bukur që ishim aty për herë të dytë, shumë bukur. Kemi bërë shumë mirë, ishte një rrugëtim të rëndësishëm, por tani që jemi aty duhet të mendojmë, pasi është një short shumë i vështirë, i fortë, por na bëhet qejfi. Nëse futemi te batuta, në futboll mund të ndodhë gjithçka, në një ndeshje teke mund të ndodhë gjithçka, por e dimë se aty duhet të rritemi, të përmirësohemi, të provojmë forcën tonë, por është një turne i bukur.

– E ke idenë çfarë mund të ndodhë nëse sjell atë trofe në Shqipëri? Nuk e di çfarë mund të dhurojë kryeministri Rama përveç “Shqiponjës së Artë”…

– Të fitonim do të ishte një çmenduri, jashtë logjike, lërë me mirë, më mirë të mos mendojmë se çfarë do të ndodhte më pas(qesh)

– Mirë, le të kthehemi në realitet. Më thuaj të drejtën, e mendoje që në më pak se një vit do të ishe në “Euro2024”, mes 24 ekipeve më të mira në Evropë, përkrahë trajnerëve si De La Fuente, Dalic e Spalletti? Çfarë ndjesie të krijojë?

– Nuk është e thjeshtë, por kur e morëm përsipër këtë detyrë, e shihnim që mundësia ishte. Sigurisht, nuk ishte një grup i lehtë, Republika Çeke është e fortë, Polonia është e fortë, më pas pamë edhe Moldavinë që ishte aty deri në fund, në lojë. Por ne bëmë mirë. Më pas, te shorti, ashtu siç thoni ju, me trajnerë të rëndësishëm, me skuadra të rëndësishme në Evropë, është një ëndërr e bukur, kjo reflekton të gjithë punën tonë, të gjithë popullit, Federatës, neve si staf dhe lojtarëve sigurisht, ata janë protagonistët, ata bënë shumë mirë, është një ëndërr e bukur.

-Mister, e dini që jeni trajneri i vetëm jo Evropian në “Euro2024”, një brazilian që udhëheq një komb që ka aq banorë sa Brazili ka futbollistë profesionist, duket më shumë si një film…

– Mbase nuk është hera e parë, më kujtohet, kur isha lojtar, isha lojtari i parë brazilian që shkoja tek Arsenali. Tani braziliani i parë trajner, në botën e futbollit të bukur evropian. Kjo është një ëndërr e bukur për të gjithë ne, ta lëmë këtë pjesë, brazilian, spanjoll etj., është diçka e bukur që Shqipëria shkon për herë të dytë në një Evropian, në Gjermani, kjo po është e bukur.

– Çfarë mendoje në ato momente kur goglat nxirrnin me radhë ekipet më të forta të mundshme…

– Pikësëpari, ishte një mbrëmje e bukur. Përpara se të niste shorti, të gjithë e dinim se do të ishte e vështirë. Në trajnerët aty, bënim shaka me njëri-tjetrin. Më pas kur shihnim ekipet me radhë 1, 2, 3, 4, ishin të gjitha të forta. Ne e dinim, ishim të vetëdijshëm se nuk do të ishte e lehtë, por është e drejtë, kur sheh Italinë në vazon e katërt dhe të bie në grup, bëhet një grup më i vështirë, janë të gjithë të fortë. Avantazhi i Evropianit është se nëse ne dëshirojmë të rritemi si ekip duhet të përballemi më skuadra të forta si këto, pra qëndron si short, është i bukur.

– Kë doje të hiqje, më thuaj vetëm një përfaqësuese që do e ndryshoje me kënaqësi…

– Unë jo, presidenti është shprehur se dëshironte të luante me Gjermani ndeshjen e parë. Gjermania ishte në grupin e parë, Spanja e dyta, ishin afër, për pak. Ne jemi aty me Spanjën, me të vërtete jo, kur e ri mendoj nuk do ndryshoja asnjë, jo.

– A është ky një short luksi për ju, fundja askush nuk do të kërkojë llogari, nëse mund të shprehemi kështu, një grup pa presionin e rezultatit

– Unë mendoj se është një grup i vështirë, por na bëhet qejfi, neve si staf edhe lojtarëve. Kur flasim për presion, nuk e mendoj kështu. Ne mendojmë të përgatitemi mirë, të shkojmë aty dhe të bëjmë një Evropian të mirë. Për ne është një sfidë të përballemi me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë, por është bukur, janë skuadra të rëndësishme që janë mësuar në këto turne, t’i shkojnë deri në fund, të fitojnë. Ne kemi rrugëtimin tonë, ne duhet të mësohemi të luajmë në Evropian, në Botëror. Ne duhet të punojmë të shkojmë gjithnjë aty, ose thuajse gjithmonë, presioni administrohet mirë, por ne e dimë që do të jetë e vështirë.

– E sigurt është që lojtarët kërkonin rivalë të tillë, është një vitrinë luksi, po për ju, a është një vitrinë ky Evropian kundër këtyre rivalëve?

– Mendoj jo në nivel individual, por në nivel kolektiv po, si grup po, është gjithnjë e rëndësishme, pasi ne si grup arritëm ato rezultate, vendin e parë. Ne jemi një, kemi një mundësi për të ecur përpara, të gjithë së bashku. Në këtë grup nuk mund të mendojmë në mënyrë individuale, duhet të mendojmë si një skuadër, si një popull. Aty mund të bëjmë diçka të rëndësishme nëse qëndrojmë të gjithë së bashku.

– I marrim me radhë, më 15 qershor, debutoni kundër Italisë, kampionëve në fuqi, çfarë ndjesie të jep?

– Është një debutim i fortë, Italia është një skuadër e fortë, me lojtarë të fortë, me një trajner të fortë, kanë dhe një fanellë shumë të rëndë. Unë jam absolutisht i bindur, nuk kam folur me lojtarët, por jam i bindur që ata janë të lumtur për këtë ndeshje. Do të jetë një ndeshje e bukur, në një fushë shumë të bukur. Po është e vështirë, duhet të përgatitemi shumë mirë

– Mund të ishte miku juaj, Mançini, mund të ishte dhe më speciale si sfidë, ke folur më të pas shortit, do i kërkoni ndonjë mendim, apo ke frikë se mos keqkuptohesh…

– Do të ishte akoma më e vështirë për të luajtur. Bota e një trajneri, të paktën bota ime, nuk është se kemi 10, 15, 20 miq në të gjithë botën, por kemi një raport më të mirë me 2, 3, 4 miq. Po, një prej tyre është edhe Mançini. Më mori në Itali në 2014-n tek Inter, mësova shumë me të. Ne nuk i miksojmë gjëra. Ai sigurisht është një mik, është një italian, ka fituar Evropianin me Italinë, e njeh skuadrën në detaje, njeh lojtarët, por jo nuk flasim për kështu gjërash, me të flas për gjëra të tjera të jetës.

RCCOLA

– Sa e njihni Italinë, këtë ekip? Presidenti Duka e kishte “tmerr” nuk e donte në short, është realisht kaq i fortë ky ekip?

– Po, skuadra është e fortë. Mbase Presidenti nuk e donte Italinë, se dëshironte Gjermaninë. Ata janë mësuar të luajnë në këto nivele, të ecnin përpara, me lojtarë të fortë fizikisht, teknikisht dhe taktikisht, po janë një skuadër e fortë.

– Sa shanse kemi për t’i marrë qoftë dhe një pikë, nuk e kemi bërë kurrë në të kaluarën

– Varet nga ne. Duhet të përgatitemi shumë mirë për këtë debutim të vështirë. Gjëja më e bukur në botë, në profesionin tonë, janë ato 90 minuta. Në ato 90 minuta mund të ndodhë gjithçka. Ne duhet të përgatitemi mirë. Është e vërtetë, ata janë të fortë, por të shohim, të përgatitemi mirë, por pjesa më e bukur janë ato 90 minuta aty

– Nga Berisha te Gjimshiti, Hysaj, Ismajli, Asllani, Ramadani, Bajrami, të gjithë në Serie A, sa na favorizon ky detaj…

– Ata e njohin shumë mirë futbollin italian dhe futbollistët, por edhe ne e njohim pasi futbolli italian shikohet në të gjithën botën. Është bukur gjithsesi që këta lojtarë luajnë në Itali dhe do të luajnë kundër kësaj skuadre. Më kujtohet kur shumë brazilianë luanin në Itali dhe ishte Botërori i 1982-it, unë isha fëmijë atëherë, por mbaj mend Zikon, Sokrates, Falkao e të tjerë. Për ata ishte diçka speciale të luanin kundër Italisë, kështu që edhe për futbollistët shqiptarë do të jetë një sfidë akoma më e bukur.

– I besoni krizës së Italisë? Duket sikur janë në momentin e tyre më të vështirë…

– Nuk i besoj për asgjë. Italia, Brazili, Argjentina, Gjermania nuk kanë krizë, janë të fortë gjithnjë. Pastaj Evropiani është pas 6 muajsh dhe nuk mund të bësh parashikime, por do ta them, Italia është e fortë.

– Më 19 qershor luajmë kundër Kroacisë, a është kjo sfida ku Shqipëria mund të bëjë rezultat të rëndësishëm? Nuk jemi përballur kurrë më parë, por është një derbi ballkanas…

– Është një ndeshje e vështirë ashtu si e para, Kroacia ka futbollistë shumë të fortë, janë mësuar të luajnë në Evropian dhe Botëror, ku shkuan edhe në finale në vitin 2018. Kam pasur dy futbollistë tek Interi, Marcelo Brozoviç dhe Mateo Kovaçiç, që janë shumë të fortë. Por edhe të tjerët janë të një niveli të lartë, kështu që për mua është një skuadër tepër e fortë. Gjithsesi, ne do të provojmë, edhe pse e vështirë, ashtu si e para.

– As Kroacia nuk vjen në kushte perfekte, duket një ekip në fundin e një cikli…

– E dëgjoj këtë prej 6 vjetësh, por ndërkohë ata janë prapë të fortë, nuk i dihet kurrë. Pastaj është një gjë e bukur në një event të tillë, gjithçka luhet në 30 ditë, kështu që futbollistët japin më të mirën në fushë. Nuk është një kampionat që zgjat 8 muaj dhe ti mund të mendosh të rikuperosh, madje as Champions League nuk është ashtu, sepse ke grupet dhe dy ndeshje në fazën me eliminim direkt. Në Evropian në 30 ditë është jetë gjithçka. Kjo e bën Evropianin edhe më të bukur, nuk mund të thuash jam i lodhur, nuk jam në formë sot, aty të gjithë japin maksimumin. Unë jam 49 vjeç dhe nëse do më jepej shansi, do të stërvitesha fort dhe do të jepja gjithçka në fushë.

– A është kjo sfida më e rëndësishme e këtij grupi, është ndeshja dytë?

– Jo, të tria sfidat janë njësoj, edhe pikët janë njësoj. Nëse duhet të bëjmë diçka, duhet të tentojmë të marrim pikë në të gjitha ndeshjet. Është e vështirë, sfida të forta, nuk mund t’i ndaj. Nuk arrij të gjej diçka që ta quaj njërën pak më ndryshe, të gjitha janë të vështira.

– Në fund e mbyllim me Spanjën, kemi histori dhe statistika shumë negative me ta, kemi pësuar dhe humbje 9-0, kemi ndonjë shans këtu?

– Shikoni, kjo është sfida e fundit e grupit. Spanja që kur fitoi Botërorin e 2010-ës me gol të Iniestës për mua është një skuadër e çmendur. Ata e kanë mbajtur ritmin, çdo kush që përballet me Spanjën e di se sa e vështirë dhe e fortë është, jo vetëm në mbajtjen e topit, por edhe me futbollistë të nivelit të lartë teknik që luajnë futboll të bukur, kështu që do të jetë tepër e fortë. Për mua sigurisht që është speciale, sepse kam jetuar 8 vjet në Spanjë, ku 5 ishin në Barcelonë. Di të them që ata janë të fortë.

– Në Spanjë ju njohin të gjithë, keni fituar Champions me Barcelonën, po ju e njihni Spanjën, ka ndonjë pikë të dobët?

– E njohim Spanjën, po bëjnë mirë aktualisht, ashtu si para disa vitesh kur ishte në kulm. Pika të dobëta të gjithë skuadrat kanë, por janë shumë të fortë gjithsesi. Më duhet t’i studioj, janë edhe 6 muaj, do të shoh se ç’mund të bëjmë për t’ia dalë mbanë. Por ne duhet të përgatisim 3 ndeshje, të gjitha të ndryshme, fizikisht, taktikisht dhe teknikisht. Duhet të shfrytëzojmë Evropianin me përgjegjësi, por sipas meje, duhet të rritemi, të shkojmë përpara. Kështu që këto 6 muaj do ta shohim Evropianin si një mundësi për t’u rritur, ndryshe nga ata që nuk janë brenda Kombëtares.

– Sa shanse i jep Shqipërisë, sa shanse kemi për të kaluar këtë grup “ferri”?

– Varet se sa pikë do të marrim, sa të fortë jemi në fushë, në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka. Për ne, gjëja e mirë dhe e bukur është se të gjithë e ëndërrojmë. Bëmë një rrugëtim të rëndësishëm, por tani duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi, të punojmë fort dhe në fund të shohim. Ne duhet të provojmë edhe shanset më minimale dhe kështu mundemi të shkojmë përpara. Do të jemi aty dhe do të tentojmë me mundësitë tona.

– Mister, keni firmosur ndonjë kontratë këto ditë? Presidenti Duka në intervistën e pak ditëve më parë tha se do e takoj Silvinjon për të diskutuar kontratën e re. A keni diskutuar?

– Jo, nuk kam firmosur asgjë, por sinqerisht nuk jam i shqetësuar. Aktualisht kemi kontratë deri në përfundim të Evropianit, por nuk jam i shqetësuar. Së bashku me stafin këto ditë jemi marrë kryesisht me shortin, ndërsa 10 muajt e fundit kemi punuar intensivisht. Ne duhet të shfrytëzojmë këto 6 muaj për të rikuperuar forcat duke nisur nga janari për të punuar fort për të bërë diçka më shumë, kështu që për gjërat e tjera nuk jam i shqetësuar për asgjë.