Syla e akuzon ministrin e Financave: Ka thënë se shtesat për mjekët janë ndalë sepse ata nuk kanë më punë

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë se i gjithë personeli shëndetësor është ofenduar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, pasi nuk u janë vazhduar shtesat.

Syla ka theksuar se ata nuk e dinë arsyen se pse nuk janë duke u vazhduar shtesat.“Opinioni e di se për 23 muaj me radhë punëtorët shëndetësor janë ballafaquar me një situatë jo të zakonshme. Si kryetar i sindikatës dhe si sindikatë, kemi zgjedhur dialogun social nga data 24 prill të këtij viti, për çdo javë kemi adresuar letra me kërkesa tek presidentja, tek kryeministri, tek kryetari i Kuvendit, tek të gjithë grupet parlamentare si dhe tek të gjitha instancat më të larta që të na vazhdohen shtesat mbi pagë. Kjo që garantohen sipas nenit 20 të Ligjit Anti COVID që është aprovuar në dhjetor të vitit të kaluar”.

“Kjo Qeveri shkeljet e para i ka bërë në fillim të vitit, ata i kanë përgjysmuar shtesat e mjekëve, me një vendim për dy muaj nuk kemi shtesa për paga. Ajo çka është më e keqja nuk është ndoshta tek vlera monetare, është ofendimi dhe denigrimi që po ju bëhet punëtorëve shëndetësorë. Sot nuk jemi komunikuar në asnjë formë, të paktën të na thuhet se pse këto shtesa nuk po na i japin. Ky është një reagim personal dhe e marrë gjithë përgjegjësinë”, ka thënë ai në Klan Kosova.

Syla ka deklaruar se prej kur Arben Vitia është në krye të Ministrisë së Shëndetësisë ata kanë pasë vetëm një takim me të.“Nuk kemi pasur takime, si punëtorë shëndetësor vetëm një takim kemi pasë me ministrin Vitia, si duket ata nuk po kanë kohë të takohen me ne”.

I pari i sindikatave të shëndetësisë ka hedhur akuza edhe ndaj ministrit të Financave, Hekuran Muratit, të cilin e ka quajtur një infantil.“Ne jemi në pandemi, kemi premtuar se nuk do të protestojmë shkaku i pandemisë. Por në të njëjtën kohë u kam kërkuar që ta shpallin pandeminë të përfunduar, kjo pasi Z. Hekuran Murati ka thënë se shtesat për mjekët janë ndalë sepse ata nuk kanë më punë. Kjo nuk është një deklaratë e një ministri por e një infantili, unë kam informacione për deklaratë të ministrit sipas disa burimeve të mia, mjaft të sigurta”.“Kjo nuk është një deklaratë e ministrit, kjo është një deklaratë e një infantili. Nuk e di a janë duke e parë se kush ka filluar të udhëheq këtë shtet, kjo është e tepërt. Unë kam marrë mesazhe nga punëtorët shëndetësor pasi thonë se nuk jemi duke bërë reagime më të forta radikale”, ka thënë Syla.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS