Mobi Casa

“Swikos 2012” hap perdet për të gjashtën herë

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Këtë vit festivali ka gëzuar mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, të Diasporës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Ka filluar mbrëmë në Bazel edicioni i gjashtë i Festivalit të filmit të shkurtër “Swikos”. Festivali, siç u tha në solemnitetin e hapjes, ka sjellë 14 filma nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Zvicra dhe Gjermania. shtatë filma janë nga shteti nikoqir, Zvicra.

Këtë vit, siç u shpreh në fjalën e hapjes Florim Brajshori, drejtor i festivalit, “Swikos” ka gëzuar mbështetjen e tri ministrive të Qeverisë së Kosovës. “Ministria e Kulturës, ajo e Diasporës dhe Ministria e Punëve të Jashtme kanë mbështetur këtë vit festivalin tonë, kryesisht duke siguruar ardhjen e artistëve, pjesëmarrës në festival”, ka thënë Brajshori për albinfo.ch.

Drejtori i festivalit të Bazelit ka bërë të njohur edhe anëtarët e jurisë profesionale, në përbërjen e të cilës këtë vit janë: producenti Michele Alvaro, regjisori Giacun Caduff dhe Arben Zharku, kryetar i bordit të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Duke folur për konceptin e festivalit, Brajshori ka theksuar se ai synon prezantimin e filmbërësve të rinj, kryesisht të posadiplomuar, shqiptarë, zviceranë e të tjerë. Fakti që festivali po gjen mbështetje nga institucionet e Kosovës po edhe nga ato të Zvicrës, gjegjësisht të Bazelit, tregon, sipas tij se në edicionin e tij të gjashtë ka krijuar një bazament solid dhe ka siguruar besimin e institucioneve.

Ai shton se duke organizuar këtë festival, i është kushtuar rëndësi edhe segmentit të përmirësimnit të imazhit të shqiptarëve në Zvicër. “Kultura është mjeti më i mirë për të prezantuar një popull, prandaj, përmes shfaqjes së filmave shqiptarë ne krijojmë një pasqyrë reale për shqiptarët. Njëkohësisht, me shfaqjen e filmave zviceranë krahas atyre shqiptarë besojmë se kontribuojmë në afrimin dhe njohjen e dy kulturave”, ka thënë veç tjerash Brajshori.

UBT

Risi në këtë edicion është edhe prezantimi i situatës në kinematografinë e Kosovës, që në ditën e dytë, të shtunën, do ta bëjë drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Fatos Berisha. Referati i tij, siç thotë Brajshori, mund të shërbejë për debat në mes të të interesuarve për filmin kosovar.

Në mbrëmjen e hapjes në sallën Stadtcasino në qytetin e vjetër të Bazelit, para një publiku jo të shumtë në numër, janë shfaqur 7 filma të shkurtë, katër nga të cilët, në gjuhën shqipe.

Shumica e filmave, në një mënyrë ose në një tjetër, bëjnë fjalë për problemet sociale në vendet që kanë kaluar kriza ose marrin në fokus vështirësitë nëpër të cilat kalojnë shoqëritë e atyre vendeve, të shkaktuara, veç tjerash nga mungesa e lirisë së lëvizjes.

Ndër sponsorët medialë të Swikos 2012 është edhe albinfo.ch.

Moderimin e mbrëmjes e ka bërë moderatori i tv 21 nga Prishtina, Labinot Gashi.

Në mbrëmjen e tretë, finale, që mbahet të dielën, më 11 nëntor, do të ndahen çmimet në 6 kategori të ndryshme, në mesin e të cilave edhe çmimi i publikut.