Fundamenti

Sveçla: Përkundër sfidave, Republika jonë triumfoi mbi krimin e terrorizmin

/ 3 minuta lexim

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se po përmbyllet një vit sfidues por i sukseshëm për Kosovën.

Ai deklaron se vendi u ballafaqua me akte kriminale të njëpasnjëshme të Serbisë ndaj Republikës sonë.

“Në muajin qershor të këtij viti, Njësitë Speciale të Serbisë hynë thellë në territorin e Republikës sonë dhe kidnapuan tre zyrtarët tanë policor Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Shemë Mustafa. Mosndëshkueshmëria e këtij akti shtyu Serbinë që të organizojë me gjithë kapacitetet e saj sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë Rreshter Afrim Bunjaku”, shkruan ai.

Por, Sveçla pohon se “përkundër këtyre sfidave, Republika jonë triumfoi mbi krimin e terrorizmin”.

Postimi i tij i plotë:

Të dashur qytetarë,

Sot po e përmbyllim një vit sfidues por të suksesshëm të Republikës sonë.

Uji Dea

Viti 2023 është shënuar me rezultate në përpjekjet tona për garantim të rendit e sigurisë publike, e në shërbim të qytetarëve tanë.

Shtrirja e sovranitetit dhe integritetit territorial, luftimi i krimit dhe korrupsionit ishte dhe do të vazhdojë të jetë prioritet i yni i përbashkët. Veriu i vendit tonë, që më herët ishte zonë e rehatisë dhe përfitimeve të grupeve kriminale, po i nënshtrohet çdo ditë e më shumë sundimit të rendit dhe ligjit.

Këtë vit, u ballafaquam me akte kriminale të njëpasnjëshme të Serbisë ndaj Republikës sonë. Në muajin qershor të këtij viti, Njësitë Speciale të Serbisë hynë thellë në territorin e Republikës sonë dhe kidnapuan tre zyrtarët tanë policor Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Shemë Mustafa. Mosndëshkueshmëria e këtij akti shtyu Serbinë që të organizojë me gjithë kapacitetet e saj sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë Rreshter Afrim Bunjaku.

Përkundër këtyre sfidave, Republika jonë triumfoi mbi krimin e terrorizmin. Zyrtarët tanë policorë dëshmuan se sovraniteti dhe integriteti territorial është i pacënueshëm e i paprekshëm, dhe si i tillë mbrohet edhe me jetë. Republika e Kosovës dëshmoi funksionalitet dhe zbatim të kushtetushmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit.

Si Ministër i Punëve të Brendshme kam ofruar dhe kam dhënë gjithë mbështetjen time që misionin tonë të përbashkët ndaj qytetarëve ta zbatojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Mbështetja ime nuk do të mungojë e do të rritet në vitin që po hyjmë.

Falënderoj të gjithë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, zyrtarët e Agjencive Ekzekutive, të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, zjarrfikësit e shërbyesit e të gjitha institucioneve tona për punën e palodhshme gjatë vitit 2023.

Gëzuar të gjithëve Vitin e Ri 2024. Uroj për begati e mirësi, përkushtim dhe gatishmëri për shërbim ndaj qytetarëve e ndaj vendit në vitin që po vjen.