Sveçla për kërcënimet e Vuçiqit: S’jemi më popull i dobët, mund t’i dalim Zot vendit tonë

Ministri për Punë të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla i është përgjigjur deklaratave kërcënuese të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq pas fillimit të patrullimi në vijën kufitare përgjatë Liqenit të Ujmanit.

Vuçiq, para mediave serbe kërkoi nga Kosova që të mos ushtrojë kontroll në këtë pjesë, duke thënë se “shqiptarët po tentojnë në heshtje ta pushtojnë veriun e Kosovës”.

Sveçla, duke folur në “Dpt te Fidani”, ka thënë se deklaratat e sotshme të Vuçiqit i kujtojnë fundin e viteve të ’80-a dhe fillimin e viteve të ’90-a, kohë kur ishte intensifikuar represioni nga regjimi i MIllosheviqit.

“Për ne të cilët, megjithatë jemi të moshës mesatare, na i kujton fundin e viteve ’80, fillimi 90. Po e thotë ministri i propagandës së Mlloshveiqit, është e njëjta gjuhë dhe e njëjta qasje para shkaktimit të para katër luftërave në rajon”, ka thënë ministri Sveçla.

Duke iu përgjigjur Vuçiqit, Sveçla ka thënë se populli shqiptar nuk është më popull i dobët si dikur e as Kosova nuk është e okupuar. Ai ka thënë se institucionet e Kosovës janë të gatshme për t’i dalë zot vendit të tyre.

“Populli shqiptar nuk është ai populli i dobët atëherë, e Kosova s’është e shtypuir e as okupuar sikur atëherë. Jemi shtet i pavarur dhe kemi institucione që Janë të gatshme që t’i dalin Zot vendit të vet dhe kemi aleatët më të mirë që kemi pasur ndonjëherë”, ka deklaruar ai.

Minsitri ka thënë se ndaj popullit serb në Kosovë nuk ushtrohet dhunë. Sipas tij, qytetarët serbë janë të Kosovës dhe ata janë të lumtur që po luftohet krimi e kontrabanda, që organizohen nga gangsterë e kriminelë në veri.

“Askush nuk ka ushtruar dhunë ndaj popullit serb në Kosovë, ata janë qytetarë të Kosovës. Ata janë të lodhuyr nga krimi dhe gangsterët në veri. S’ka asnjë rast ku policia e Kosovës ka rrahur e fyer një qytetar atje. Nuk ka asnjë dakordancë që Policia e Kosovës nuk mundet të veprojë në katër komunat e veriut. Po e dëgjoj vetëm prej Vuçiqit, Petkoviqit. Kjo s’është e vërtetë që forcat e specializuara s’mund të shkojnë atje, sidomos departamenti për kufij po fuqizohet dhe po kryen detyrat që priten nga ai”, ka thënë tutje ai përgjatë emisionit.

Sveçla ka përshtpyjen se se Vuçiqi po flet për publikun e tij, vetëm për të treguar që është i nervozuar.

Sot, Njësiti i Policisë së Kosovës për patrullim ujor sot ka filluar patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

“Për herë të parë që nga paslufta, pas krijimit të njësitit për patrullim ujor, Policia e Kosovës sot filloi me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit. Tashmë, kontrolli i kufirit shtetëror është më i plotë”, shkroi sot Sveçla.

Pas njoftimit të Sveçlës, reagoi Vuçiq me tone kërcënuese.

“I paralajmëroj të dyja palët që të mos e bëjnë më këtë, pasi populli serb nuk do të tolerojë më dhunën apo mosrespektimin e normave juridike ndërkombëtare. Ky është paralajmërimi im për ata që do të vijnë nesër në Beograd dhe për të gjithë të tjerët”, kishte thënë ai. /GazetaExpress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS