RCCOLA

Surdulli: Serbia do ta humb pretendimin territorial

/ 16 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Në intervistën dhënë Agjencisë Rajonale të Lajmeve Rajonipress, Shaip Surdulli kryetar flet për rezultatet në qeverisjen e tij, për kontestin e vijës kufitare me Serbinë, për raportet me opozitën, për borxhet e trashëguara dhe procedurat hetimore që janë duke u zhvilluar ndaj ish zyrtarëve komunal, për strukturat paralele serbe, për mungesën e investimeve nga Qeveria e Kosovës,për investimet në brezin kufitarë,etj.

Rajonipress: Zoti Surdulli me çka mund të krenohet komuna e juaj dhe qeverisja e juaj për këtë periudhë kohore?

Surdulli: Gjatë kësaj periudhe kohore janar 2010-maj 2012 janë bërë shumë punë të mira. Fillimisht u shpreh një gëzim i madh i qytetarëve që me votën e tyre u ndërrua ish Kryetari, i cili nuk iu kishte pëlqyer gjatë udhëheqjes edhe atyre që e kishin votuar,përveç një rrethi të ngushtë të tij.

Filluam me punua për s`kjarimin e gjendjes së kaluar dhe ekzistuese.Administrata komunale gjatë kësaj kohe të udhëheqjes tonë ka qenë mjaftë funksionale dhe qytetarët janë të kënaqur për shërbimet që i marrin në komunë. Kemi bashkëpunuar mirë me institucionet tjera lokale dhe qendrore,si edhe me faktorin ndërkombëtar.

Në vitin 2010 në qytet janë asfaltuar disa rrugë lokale,është asfaltuar një rrugë qarkore me rëndësi të madhe që i lidh edhe disa institucione lokale dhe janë ndërtuar dy rreth rrotullime. Janë asfaltuar disa terrene sportive për shkollat e mesme në Dardanë dhe oborri i shkollës fillore “Asllan Thaçi” në Karaqevë të Poshtme.

Në vjeshtën e vitit 2010 ka filluar dhe në gusht 2011 ka përfunduar me sukses ndërtimi i shkollës fillore pesë klasëshe në Shipashnicë të Poshtme,ku mësimi në shkollë të re ka filluar në shtatorin e vitit 2011. Po në vitin 2010 janë asfaltuar gjashtë rrugë lokale në qytet dhe fshatra me financim të ministrisë të Transportit dhe Post telekomunikacionit dhe me bashkëfinancim të komunës.

Në vitin 2011 është riasfaltuar rruga në lagjen “Malësia” në Dardanë,ka filluar ndërtimi i objektit të ri të komunës me financim nga Komisioni Evropian dhe shpresojmë që deri në fund të vitit 2012 do të përfundoj ky objekt me rëndësi të madhe për punën e Administratës komunale dhe të Kuvendit Komunal.

Në vitin 2011 kanë përfunduar renovimet dhe nxemjet qendrore të shkollave në Rogaqicë,Topanicë,gjimnazit dhe shkollës së mesme teknike në Kamenicë.Janë renovuar ambulancat shëndetësore në Kamenicë,Hogosht dhe Shipashnicë të Epërme.Me ndihmën e organizatës Zvicerane Intercooperation në kuadër të projektit Logos është duke u hartuar Plani Zhvillimor Komunal,është rregulluar zyra pritëse për qytetarë,po renovohet shkolla në Rogaqicë me bashkëfinancim me buxhetin komunal dhe është ndërtuar një trotuar për shkollat e mesme në qytet.

Po me organizatën Zvicerane Intercooperation Helvetias në këtë vit kemi nënshkruar Marrëveshjen për bashkëpunim për rregullimin e nxemjes qendrore dhe renovimin e brendshëm të shkollës fillore në Karaçevë të Poshtëme.Është duke u zhvilluar një program me emrin DEMI i financuar nga USAID-i për ngritjen e kapaciteteve profesionale të administratës komunale dhe Kuvendit Komunal.

Në kuadër të këtij programi DEMI deri më tani janë realizuar edhe dy projekte të pajisjeve teknologjike për zyrën e informimit dhe Kuvendin komunal dhe janë në procedurë furnizimi me 2600 kontejnerë shtëpiak për mbeturina dhe rregullimi i tregut të gjelbërt në Kamenicë.

Është duke u përfunduar palestra sportive që ka filluar në vitin 2004 me financim të ministrisë për Kulturë,Rini dhe Sport e me bashkëfinancim të buxhetit komunal.Si projekt më i mirë në vitin 2011 ka dalur pastrimi i shtratit të lumit në Kamenicë me financim të Bankës Botërore nëpërmes ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale,ku rreth 60% të buxhetit të projektit është shfrytëzuar për pagat e rreth 100 punëtorëve të propozuar nga zyra e punësimit.

Në këtë vit social kemi nënshkruar një marrëveshje me ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për projektin e fasadimit të ndërtesave të banimit në Kamenicë,nga Komisioni Evropian është aprovuar projekti për ndriçimin,stazat për ecje dhe vrapim,gjelbërimin etj të lumit në qytet. Nga buxheti komunal dhe me pjesëmarrje të qytetarëve do të asfaltohen disa rrugë lokale si në Petroc,Koretin,Hodonoc etj.D o të realizohen edhe projekte tjera të infrastrukturës.

Rajonipress: Disa herë keni deklaruar se kur keni ardhur në pushtet, nga paraardhësi i juaj keni trashëguar shumë borxhe. S`a janë gjetur parregullsi nga ish pushteti dhe a keni ngritur ndonjë kallëzim penal rreth atyre keqpërdorimeve?

Surdulli: Në bazë të të dhënave kemi evidentuar 308.000 € borxhe. Në bazë të raporteve të auditimit të jashtëm dhe të brendshëm shumica prej këtyre harxhimeve kanë të bëjnë me keqpërdorime me derivate,në emër të drekave zyrtare,shpërndarje të ndihmave ushqimore gjatë fushatës zgjedhore 2009,reklamave partiake në emër të reklamave të komunës,etj.

Ka pasur edhe borxhe që për ato harxhime janë udhëhequr procedura të prokurimit si 47.000 € për lëndë djegëse për shkolla,etj që i kemi paguar. Vazhdimisht na vijnë informata nga thesari i ministrisë për Financa që duhet të bëhen pagesa të borxheve me vendime të gjykatës ekonomike në Prishtinë dhe neve na shkaktohen probleme lidhur me realizimin e planifikimit të buxhetit 2012.

Për shumë parregullsi kemi ngritur kallëzim penal dhe kanë ardhur zyrtarë nga policia kundër krimeve ekonomike,nga agjencioni kundërkorrupsionit dhe së fundi edhe nga prokuroria speciale,të cilët kanë marrë dokumente dhe kanë bërë matje të disa punëve të kryera. Pra,janë zhvilluar prova dhe hetime ndaj ish Kryetarit të komunës Begzad Sinani dhe ish menaxherit të prokurimit Hasan Keqmezi. S`i rezultat i kësaj,në prill 2012 iu është konfirmuar aktakuza në Gjykatën e Qarkut në Gjilan dhe akuzohen për keqpërdorime dhe keqmenagjim të buxhetit komunal në vlerë prej 78.000€.

Rajonipress: Opozita disa herë ju ka akuzuar se keni pasur “telashe” me policinë, gjykatat dhe prokurorinë. Cila është e vërteta e këtyre akuzave?

Surdulli: Unë me policinë,gjykatat dhe prokurorinë nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë telashë. Përkundër kësaj,kam bashkëpunim shumë të mirë në kuadër të institucioneve të pavarura që i përfaqësojmë. Kam qenë i akuzuar gjoja për keqpërdorime të ndërtimit të objektit të Palestrës Sportive në Dardanë,ku janë zhvilluar hetimet nga policia kundër krimeve ekonomike dhe prokuroria dhe kjo aktakuzë është mbyllur e shpallur me pafajësi ndaj meje dhe ndaj disa ish zyrtarëve të komunës.

Nga gjykata komunale në Dardanë më është shqiptuar një dënim material me vlerë 300 €,të cilin e kam paguar,sepse me qëllim të mirë të përkrahjes së biznesit e kam lëshuar një pëlqim pa kompetencë.

Rajonipress: Jeni në koalicion me AAK. Disa herë keni shfaqur pakënaqësi rreth kuadrove të këtij subjekti politik. A janë tejkaluar këto pengesa dhe a i keni duart e lira për të ndërmarrë masa apo ndëshkuar ata që bien ndesh me ligjin?

Surdulli: Koalicioni me AAK ka funksionuar dhe funksionon shumë mirë. Para disa muajve kemi pasur pak mos marrëveshje me drejtorin e Urbanizmit lidhur me ndërtimin e një objekti te qendra tregtare te tregu,por në ndërkohë është rregulluar procedura e ndërtimit të këtij objekti tregtar dhe tani mirë jemi në mes veti.

Po ashtu kam vërejtje se nuk punohet sa duhet për ndalimin e punës ilegale të disa separacioneve të zhavorit,por kam vërejtje edhe ndaj nivelit qendror si nga Komisioni për Miniera dhe Minerale,Ministria e Punëve të Brendshme që nuk po punojnë sa duhet për zbatimin e Vendimit të Qeverisë së Kosovës që ndalon punën e separacioneve të zhavorit pa i plotësuar kushtet sipas ligjeve në fuqi.

Unë jam shumë i lirë që sipas nevojës me marrë masa adekuate eventualisht për ata zyrtarë apo punëtorë që bien ndesh me rregulloret komunale dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Po punohet me koalicionin dhe me opozitën për punën sa më të mirë të komunës në të mirë të qytetarëve.

Rajonipress: Keni kërkuar disa herë investime dhe donacione nga Qeveria e Kosovës. Sa jeni i kënaqur me trajtimin e Qeverisë dhe me prioritetet që ajo u jep komunave?

Surdulli: Komuna e Dardanës edhe pas vitit 1999,d.m.th pas luftës së fundit për 12 vite që kaluan nuk është përkrahur sa duhet nga Qeveria e Kosovës në infrastrukturën rrugore,shkollore dhe fusha tjera. Është komunë multietnike dhe merret si shembulli prej më të mirave për bashkëjetesë dhe tolerancë ndër nacionale,fetare dhe partiake.

Po e theksoj si shembull vlerësimin shumë pozitiv të komandantëve të KFOR-it në Kosovë me rastin e vizitave që i kanë bërë në komunën e Dardanës. Mirëpo, ka munguar dhe mungon përkrahja e merituar e Qeverisë së Kosovës,që nuk do të thotë se mos të ketë përkrahje më të madhe në të ardhmen.

Fundamenti

Në vitin e kaluar janë ndarë 600.000€ për riasfaltimin e rrugës Katushnicë-Hogosht,por është riasfaltuar vetëm pjesa e rrugës Hogosht deri te Muhagjeret e Rogaqicës dhe 700.000€ për 3,5 km rrugë Shipashnicë e Epërme-Desivojcë-Tërstenë,ku në vitin e kaluar janë bërë disa përgatitje e tani veç ka filluar asfaltimi i kësaj gjatësie të rrugës për të vazhduar në vitet e ardhshme.

Në vitin e kaluar 2011 patëm 150.000€ nga ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për asfaltimin e disa rrugëve lokale në Karaqevë,ku në të dy Karaqevat e epërme dhe e poshtme me këtë buxhet janë asfaltuar 11 rrugë lokale.

Kemi pasur 145.000€ nga ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për pastrimin e shtratit të lumit në Kamenicë dhe 350.000€ për ndërtimin e një ndërtese për banim social në Dardanë.

Në këtë vit është duke vazhduar përfundimi i punëve për Palestrën Sportive në Kamenicë me financim të ministrisë për Kulturë,Rini dhe Sport e me bashkëfinancim nga buxheti komunal. Në këtë vit 2012 me ministrinë e Administrimit të pushtetit lokal kemi nënshkruar një marrëveshje për trotuarin dhe riasfaltimin e rrugës nga ana e sipërme në mes dy rrethrrotullimeve në Kamenicë me vlerë 100.000€,kurse me ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për fasadimin e ndërtesave të banimit në qytet me vlerë 130.000€.

Por,edhe rrugët regjionale që janë përgjegjësi e ministrisë së Infrastrukturës janë shkatërruar shumë,sidomos ka shumë gropa që po shkaktojnë vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe po paraqesin edhe rrezik për jetën e njerëzve. Po ashtu qe sa vite pas luftës që nga viti 1999 ende ministria e Arsimit nuk ndërton një shkollë të mesme në fshatin Rogaqicë,ku në objektin ekzistues përveç shkollës fillore mësojnë edhe paralelet e gjimnazit dhe shkollës së mesme teknike,që në mungesë të hapësirës mësimi mbahet në tri ndërrime.

Rajonipress:Cilat janë prioritetet e komunës suaj dhe çka pritet të ndryshojë për të mirë në këtë qytet?

Surdulli: Pasi që janë ndërtuar disa shkolla të reja dhe janë renovuar disa shkolla tjera,janë renovuar disa ambulanca shëndetësore,janë bërë disa asfaltime të rrugëve lokale ,do të kryhen disa asfaltime të rrugëve lokale në qytet dhe fshatra. Deri në janar 2012 do të përfundon hartimi i Planit Zhvillimor Komunal për një periudhë kohore 10 vjeçare,projekt ky i përkrahur nga organizata Zvicerane Intercooperation-Helvetas.

Do të fasadohen ndërtesat e banimit në Kamenicë,do të rregullohet edhe më shumë lumi në Kamenicë me ndriçim dhe gjelbërim,do të renovohet kulmi i shkollës në Rogaqicë,do të rregullohen nxemjet qendrore dhe disa renovime për shkollat në Karaqevë të Poshtëme dhe në Kopërnicë,do të ketë ndriçim publik më shumë,etj. Shpresojmë që kah fundi i vitit 2012 të përfundoj ndërtimi i objektit të ri të komunës.

Rajonipress: Dardana e ka një problem të hapur dhe pothuajse të pazgjidhur tash e 13 vite. Është Karaqeva ajo që sjell telashe kohë pas kohe. S`i e mendoni zgjidhjen e këtij kontesti kufitarë ?

Surdulli: Problemi i kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë në Karaqevë ende ekziston si problem i pazgjidhur. Pas vizitës së Komandantit të KFOR-it Byhler më 21 korrik të vitit 2011 në Karaqevë,po atë ditë na ka premtuar se xhandarmëria serbe nuk do të shkelin më në rrugën e asfaltuar.

Më parë,xhandarmeria serbe nganjëherë vet e më shumë me KFOR-in kanë dal në këtë pjesë të Kosovës,duke u bazuar në hartën mes kufijve të shteteve që është nënshkruar me marrëveshjen e Kumanovës në qershor 1999 për hyrjen e NATO-s në me forcat tokësore në Kosovë. Po ashtu,gjenerali Byhler na ka premtuar që do të bisedohet me forcat e ushtrisë serbe që Policia e Kosovës të kenë qasje në atë pjesë të rrugës së asfaltuar dhe në të ardhmen kufiri shtetëror që është në hartë tani të përputhet me kufirin kadastral.

Këto premtime i ka vazhduar edhe gjenerali i tashëm i KFOR-it Evers. KFOR-i Amerikan menaxhon shumë mirë me këtë pjesë të kufirit kontestues,por është mirë se kufiri kadastral e kundërshton kufirin shtetëror sipas vijës në hartë që e përdorin KFOR-i dhe ushtria e Serbisë.

Rajonipress: Çka nëse pala serbe nuk pajtohet me ofertën e KFOR-it dhe të institucioneve qeveritare rreth vijës kufitare?

Surdulli: Nëse tani pala serbe nuk pajtohet me ofertën e KFOR-it dhe institucioneve qeveritare të Kosovës rreth vijës kufitare,atëherë përkohësisht është me rëndësi që të mbahet gjendja e sigurisë nën kontroll. Nuk ka vend për shqetësim të madh sepse e drejta është në favor të Kosovës dhe një ditë do të zgjidhet ky problem në të mirë të palës Kosovare dhe Serbia do ta humb pretendimin territorial.

Rajonipress: A është opozita duke e kryer punën e saj si duhet dhe a keni koncenzues për çështje madhore të qytetit tuaj?

Surdulli: Me opozitën jemi të kënaqur sepse në shumicën e rasteve janë konstruktiv dhe votojnë propozim vendimet në mbledhjet e Kuvendit Komunal. Kuptohet që mundohen me gjet ndonjë vërejtje në punën e Kuvendit Komunal,Kryetarit dhe Administratës Komunale,por në përgjithësi kemi raporte të mira të punës dhe raporte të mira shoqërore.

Rajonipress: Jeni një komunë ku ka edhe serb e romë. S`a ka tolerancë dhe sa po integrohen këto komunitete në jetën institucionale?

Surdulli: Komuna e Dardanës është një komunë ku gati menjëherë pas hyrjes së NATO-s në Kosovë, në qershorin e vitit 1999 lëvizja e serbëve ka qenë e lirë. Me fillimin e punës së administratës komunale janë përfshirë një numër i konsiderueshëm i serbëve dhe romëve në marrëdhënie pune.

Tani kryesisht vazhdojnë me punuar të njëjtit edhe pse është formuar komuna e re e Ranillugut. Mirëpo,sa kemi informata, ende ekzistojnë institucionet paralele me seli në fshatin Ranillug. Ka nevojë që arsimi dhe shëndetësia të integrohen më shumë. Para disa ditëve, nga drejtoria e arsimit janë zgjedhur disa drejtor për shkollat serbe. Mandej, do të shpallet konkursi për vendet e punës në arsim dhe shëndetësi për shkollat dhe ambulancat në lokalitetet serbe dhe në këtë mënyrë do të korrixhohet edhe lista e punëtorëve,sepse dyshohet që në ato lista ka punëtorë që nuk punojnë, kurse marrin pagë nga buxheti i Kosovës.

Rajonipress: Çka do të ndryshonit ose ku do të investonit po të kishit buxhet të mjaftueshëm dhe përkrahje edhe nga Qeveria?

Surdulli: Po të kishim buxhet të mjaftueshëm dhe përkrahje më të madhe nga Qeveria e Kosovës,do të kishim vazhduar me asfaltime edhe të rrugëve tjera për Desivojcë,Poliqkë,Lisockë,Krenidell Gmicë,Gjyrishec etj. Mandej,do ta kishim ndërtuar një objekt për shkollat e mesme në Rogaqicë,do ta kishim shtuar sasinë e ujit në Dardanë dhe fshatra,rregullimin e kanalizimeve në fshatrat ku mungojnë,do t`i kishim menaxhuar më mirë mbeturinat etj.

Rajonipress: A jeni i kënaqur me investimet në zonat kufitare dhe a keni pasur përkrahje edhe nga partia juaj apo deputetët e Kuvendit të Kosovës nga ky rajon?

Surdulli: Në zonat kufitare ka nevojë që të asfaltohen të gjitha rrugët,të ketë infrastrukturë në përgjithësi më të mirë. Deri tani janë bërë disa investime nga buxheti komunal dhe nga Qeveria e Kosovës,por ka nevojë edhe më shumë që të përkrahet zona kufitare e komunës së Kamenicës.

Rajonipress: Ju jeni edhe anëtarë i Këshillit të përgjithshëm të LDK-së. A po shkon kah duhet anija e Isa Mustafës apo pritet të ndodhin ndryshime në këtë drejtim?

Surdulli: Po unë mendoj që Isa Mustafa është duke e udhëhequr mirë LDK-në dhe besoj që LDK do të ketë sukses më shumë edhe në zgjedhjet e ardhshme për President të Kosovës,për parlament të Kosovës dhe për zgjedhjet komunale.

Në Kamenicë LDK-ja është në rritje të vazhdueshme,ku vetëm për rastin e shënimit të 22 vjetorit të Degës së LDK-së kemi evidentuar 786 të rinj për LDK,të cilët edhe kanë marrë libreza të LDK-së. Në Kuvend Komunal tani në kohën e fundit kemi tre delegat më shumë në LDK,të cilët janë Ismajl Sopi nga AKR,Besa Krasniqi nga PDK dhe Besnik Rrudhani nga LDD,por pritet shtimi edhe i disa delegatëve tjerë nga subjektet tjera politike në radhët e LDK-së./rajonipress/