Surdulli kërkon nga EULEX-i të hedhë aktakuzën në mungesë të provave

Gjilan – Ish kreu i Kamenicës Shaip Surdulli është paraqitur të enjten në Gjykatën Themelore të Gjilanit para trupit gjykues të EULEX-it. Në këtë seancë vetëm janë caktuar datat e seancës, derisa Surdulli ka deponuar një ankesë tek trupi gjykues ku ka kërkuar që EULEX-i të hedhë poshtë aktakuzën pasiqë në rastin e tij nuk ka asnjë element të veprës penale për të cilën ngarkohet.
Ish kryetari i Komunës së Kamenicës Shaip Surdulli ka bërë një ankesë zyrtare tek trupi gjykues i EULEX-it që kryesohet nga Jenifer Sill, që të hedhë poshtë aktakuzën e ngritur ndaj tij pasiqë s`ka elemente të veprës penale raporton rajonipress.
Surdulli të enjten është paraqitur para trupit gjykues, por në këtë seancë vetëm janë caktuar datat e këtij procesi gjyqësor për 10 e 15 korrik dhe 19 shtator.
Ndryshe Surdulli ka bërë një ankesë zyrtare të cilën e ka deponuar tek trupi gjykues ku ka kërkuar që të hedhet poshtë aktakuza.
“Kjo aktakuzë është tërësisht e pabazuar në ligj dhe si e tillë nuk e meriton të shqyrtohet, madje ende pa u mbajtur seanca e dytë kjo aktakuzë duhet të hedhet sepse vepra për të cilën akuzohem nuk përmban tiparet qenësore të një vepre penale” ka shkruar Surdulli në ankesë.
Surdulli e ka njohur trupin gjykues se gruaja e tij Hanife Surdulli për të cilën pretendohet se e ka dëmtuar buxhetin e komunës për 384 euro nuk ka qenë pjesë e administratës komunale.
Sipas Surdullit bashkëshortja e tij ka pasur ftesë nga kompania gjermane “Fritz Schafer Gmbh”, por vetëm në cilësinë e amvises për të përfituar njohuri teorike e praktike për riciklimin e mbeturinave.
Surdulli ka shpjeguar se në cilësinë e kryetarit të komunës e ka nënshkruar vendimin vetëm për kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit, derisa pa qëllimin apo gabimin e tij është shënuar si punëtore e administratës komunale në Kamenicë.
Surdulli pretendon se ky gabim teknik dhe i paqëllimshëm është lëshuar nga ana e zyrtarit komunal, ku në vendimin për kompensim e ka shënuar si punëtorja Hanife Surdulli.
Ndryshe ish kryetar i Komunës së Kamenicës Shaip Surdulli akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës (EULEX) për “shpërdorim të detyrës zyrtare”, nën dyshimin se ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Kamenicës për 384 euro.
Në aktakuzë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më 10 janar 2011, në cilësinë e personit zyrtar, kryetari i Kamenicës në dëm të buxhetit të Kamenicës ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke nxjerrë një vendim për kompensimin e shpenzimeve për udhëtim zyrtar jashtë Kosovës për zonjën Hanife Surdulli, bashkëshortja e të pandehurit e cila me datën 17 janar 2011 ka udhëtuar së bashku me delegacionin nga Kamenica, për në Gjermani në një vizitë kompanisë “Fritz Schafer Gmbh” që merret me riciklimin e mbeturinave edhe pse e njëjta nuk ka qenë pjesë e administratës komunale në Kamenicë gjatë vitit 2011 dhe nuk është pjesë e kësaj administrate as tani, duke e dëmtuar kështu buxhetin e Komunës për shumën prej 384.11 euro me çka ka kryer veprën penale “shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit”./rajonipress/