RCCOLA

Surdulli hetohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan- Departamenti për krime të rënda ka nisur hetim zyrtar kundër kreut të Kamenicës Shaip Surdulli i dyshuar për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”. Surdulli dyshohet se ka krijuar shpenzime pa mbulesë me veturën e tij zyrtare.

Prokuroria Themelore në Gjilan në kuadër të Departamenti për krime të rënda ka nxjerr aktvendim për zhvillimin e hetimeve kundër Shaip Surdullit kryetar i Komunës së Kamenicës.

Sipas këtij aktvendimi që e ka siguruar rajonipress, Surdulli dyshohet për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. “Ekziston dyshimi i arsyeshëm se gjatë vitit 2011 në cilësinë e kryetarit të komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit, ashtu që ka krijuar shpenzime pa mbulesë duke e shfrytëzuar veturën zyrtare, dhe duke mos mbajtur evidencë për kilometrat e kaluara dhe duke përdorur veturën zyrtare për nevoja personale, private jashtë obligimeve zyrtare” thuhet në aktvendimin e nxjerr nga prokurori i rastit Arben Kadriu.

Prokuroria Themelore të gjitha dyshimet e ngritura dhe materialin e lëshuar nga njësia e policisë për krime të rënda e ka dërguar për ekspertizë financiare e cila edhe do të jetë provë dhe dëshmi nëse Prokuroria do të ngritë aktakuzë apo jo ndaj Surdullit.

RCCOLA

Kurse Shaip Surdulli i kontaktuar nga rajonipress tha se këto hetime janë normale, nëse nuk do të kishte ndonjë tendencë. “Unë vetëm mund të them se këto harxhime janë të natyrës normale dhe për çdo rast jam në gjendje të përgjigjem për këto”.

Surdulli tha se ka pasur dhe ka shumë tendenca që me shpifje dhe akuza nga individ të caktuar po mundohen që të pengohem për kandidimin e serishëm timin për kryetar të komunës, që veç dega e LDK-se e ka bërë tashmë shpalljen.

Surdulli tha se gjatë gjithë punës së tij edhe si kryetar komune ka punuar në mënyrë të përgjegjshme, të përkushtuar dhe profesionale.”Asnjëherë në jetën time nuk kam keqpërdorur mjetet buxhetore të askujt sepse jam i edukuar në një frymë familjare që ka treguar gjithmonë respekt për të tjerët. Kështu ka ndodhur edhe në hetimet e mëparshme dhe kam dalur i pafajshëm. Kështu do të ndodhë edhe tani” tha Surdulli./rajonipress/