Surdulli: Buxheti do të hartohet në përputhje me kërkesat e qytetarëve
Gjilan – Drejtoria për Ekonomi, Buxhet dhe Financa e Komunës së Kamenicës, në mbështetje të projektit Zvicër –Kosovë për qeverisje lokale dhe decentralizim-LOGOS, të premten ka mbajtur debat publik me qytetarë me temën “Planifikimi i buxhetit me pjesëmarrje të qytetarëve”.
Kryetari i komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, tha se aprovimi definitiv i buxhetit dhe i projekteve për tri vitet e ardhshme ka afatin deri në fund të shtatorit, por ky takim do të shërbejë shumë, ngase do t’i marrim propozimet e juaja për projektet e ndryshme sipas nevojave më prioritare që janë në lokalitetet si në pjesët e qytetit ashtu edhe nëpër fshatra.
“Ne kemi edhe listat me propozime nga ana e qytetarëve që kemi marrë nga debati i vitit të kaluar, ku disa prej atyre projekteve janë realizuar, disa prej tyre janë në realizim e sipër, por ka edhe të tjera të cilat presin me u realizuar në vitet e ardhshme” tha Surdulli.
Drejtori për Ekonomi, Buxhet dhe Financa, Rabit Halili, ka thënë se është bërë një regjistër për tatimin në pronë për secilin lokalitet për ngarkesa, pagesa, dënime, kamatat etj, pasi që kjo ishte edhe kërkesa e Kryetarëve të këshillave lokale, nga një takim që është mbajtur para disa ditëve.
Naser Hashani, zyrtar kryesor Financiar, ka bërë prezantimin e raportit tre mujor për vitin 2013. Burimet e financimit të komunës janë nga grandi qeveritar, të hyrave vetanake 2013, të hyrave të bartura 2012 të cilat nuk janë shpenzuar gjatë vitit 2012, donatorë të brendshëm, donator të jashtëm dhe financimet nga ministritë e ndryshme. Në tabelë janë të paraqitura të hyrat dhe të dalat. Komuna e Kamenicës, për vitin 2013, ka një planifikim të të hyrave vetanake prej 890 mijë euro, e që në raport për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, këtë vit ka një rritje prej 9.90 %.
Ai tha se, në kornizën afatmesme buxhetore ( KAB), të viti 2014-2016, qëllimet dhe objektivat e buxhetit komunal për këto vite janë që të përmirësoj ambientin për të jetuar, përmirësoj sigurinë dhe shëndetin e komunitetit, zhvilloj sferën e shëndetësisë, arsimit kulturës dhe sportit, mirëmbajtjen e shërbimeve publike komunale, përfshirë furnizimin për ujë, kanalizim drenazhim, trajtim të ujërave, menaxhim të mbeturinave, rrugëve lokale, ndriçim publik, mirëmbajtje të parqeve shesheve, hapësirave të gjelberta etj.
Menaxheri i tatimit në pronë, Hysen Krivaqa, në mënyrë tabelare në pika të shkurtra ka paraqitur pagesat, borxhet, kamatat etj.
Krivaqa, tha se nga njoftimet e bëra deri më tani, kam porositur që të ndryshohet mesi ku jetoni, e ajo do të bëhet vetëm me pagesën e tatimit në pronë, ngase tatimi në pronë është e vetmja e hyrë vetanake të cilat kthehen në të mirë të të gjithë qytetarëve.
Në këtë debat të pranishëm ishin mbi 160 qytetarë, të cilët parashtruan edhe pyetje të ndryshme. Disa nga qytetarët apeluan tek të tjerët që të bëhet pagesa e tatimit në pronë, ngase vetëm në këtë mënyrë do të mund realizohen projekte në të mirë të të gjithë qytetarëve. /rajonipress/


