Surdulli : 17 shkurti akt historik

Gjilan – Në Shtëpinë e Kulturës “ Isa Kastrati”, në Kamenicë, sot është mbajtur seancë solemne për nderë të pesë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Kryetari i komunës së Kamenicës Shaip Surdulli, tha se shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Kuvendi i Kosovës mbushi pesë vjet të jetësimit të saj. Data 17 shkurt e vitit 2008, ishte akt historik dhe artikulues i shumë luftërave, sakrificës së popullit shqiptarë të Kosovës dhe më gjerë, për liri dhe sovranitet të Kosovës.
“Data 17 shkurt ishte kulmimi i përpjekjeve të shqiptarëve për liri e demokraci. Ajo ishte paraprirë me sa e sa ngjarje të tjera të rëndësishme për pavarësinë e Kosovës. Atë datë e kishin paraprirë qindra beteja luftarake e dhjetëra kuvende e forume, të cilat kishin kërkuar mëvetësimin e Kosovës dhe lirinë e saj prej sundimit të huaj. Shpallja e pavarësisë ishte paraprirë me demonstrata e greva të fuqishme unikale në historinë e qëndresës së kombeve të ndryshme në botë. Deri tek kjo datë kemi arritur edhe me ndihmën e miqve tanë , Shteteve te Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, prandaj, për këtë ju jemi mirënjohës” tha ndër të tjera Surdulli.
Ai tha se për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës luftuan shumë të rinj e të reja jo vetëm nga Kosova, por edhe viset tjera shqiptare dhe nga diaspora. Më 17 shkurt të 2008-të u shpallë republika jonë e pavarur, sepse për këtë republikë ishin vrarë dhe kishin dhënë jetën me dhjetëra mijë dëshmorë. Gjatë luftës së UÇK-së ranë shumë dëshmorë, e në mesin e tyre edhe nga komuna e jonë.
Ndërkaq, Kryesuesi i Kuvendit Komunal Enver Mavriqi, thotë se nuk përfundoj gjithçka me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, por as me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, por, prapë shqiptarët janë jashtë trojeve të Shqipërisë e Kosovës, e që sot nuk i gëzojnë të drejtat elementare të tyre. Besoj shumë që bashkërisht të gjithë shqiptarët, pasi kanë arritur këto dy data shumë të rëndësishme historike do të arrijnë edhe datën e tretë, e që do të jetë data e përfundimit, datë kjo që të ketë të drejta për të gjithë shqiptarët kudo që janë” tha Mavriqi.
Ai tha se këto vite është punuar edhe në nivelin qendror, e në veçanti në nivelin komunal. Janë realizuar shumë projekte nga premtimet që janë dhënë nga liderët që sot janë në pushtet, janë projekte që shihen dhe preken me dorë. /rajonipress/