Super derbin e vendos Kastriot Rexha për ta marrë kreun e tabelës
Në derbin e javës së 15-të, të Superligës së Kosovës në futboll në stadiumin e qytetit në Gjilan, pa praninë e shikuesve për shkak COVID-19, skuadra e Dritës në super derbi ka mposhtur liderin e Superligës Ballkanin me rezultat 2-1.
“Trimi” i këtij derbi ishte qendërsulmuesi Kastriot Rexha i cili dy herë mposhti portierin mysafir Armend Ruxhin, për ti siguruar tri pikë të mëdha skuadrës së tij dhe duke marrë kryesimin e tabelës.
Para ndeshjes futbollistët e dy skuadrave me një minutë heshtje kanë nderur ekonomin e Dritës, Naser Sylejmanin dhe ish-futbollistin e Prishtinës Shefqet Sininani, të cilët para disa ditësh ndërruan jetë.
Futbollistët mysafirë arritën të rrezikojnë të parët në minutën e 12-të, pas një kundërsulmi Gripshi gjuan fuqishëm por pranë portës së Rexhepit.
Në minutën e 30-të, mbrojtësi Ilir Blakqori harkon nga 30 metra më së miri gjendet Kastriot Rexha i cili me kokë gjen këndin e epërm të Armend Ruxhit për 1-0.
Minutat e fundit të pjesës së parë ishin dramatike në minutën e 44-të Armend Thaqi harkon e më së miri në zonë gjendet futbollisti më i rrezikshëm në Superligë, Mirlind Daku, i cili me lehtësi mposht portierin Leutrim Rexhepin 1-1.
Një minutë më vonë, Ajzeraj harkon e me kokë edhe njëherë Kastriot Rexha mposht portierin Armend Ruxhin duke sjell skuadrën e tij në epërsi në 2-1, çka njiherit ishte edhe rezultati përfundimtar i kësaj ndeshje tejet interesante.
Pas ndeshjes trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, deklaroi.
“Jam i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të mijë, referimi ishte në nivel, ishte një ndeshje derbi dhe ne pësuam ku aty ma së shumti kemi ushtruar tërë javën, në përgjithësi jam i kënaqur vazhdojmë më tutje”.
Ndërsa, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, theksoi.
” Ndeshje e luftuar shumë, shumë e vështirë por shpirti i grupit dhe erdhëm tek fitorja. Kundërshtari ishin shumë të mirë, por shfaqëm eksperiencën dhe arritëm deri tek fitorja. Mendoj se ishte fitore shumë e merituar për ne, jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve dhe me shpirtin luftarak që treguan”
Në javën e ardhshme Drita është mysafire në Skenderaj ku ballafaqohet me Drenicën./rajonipress/


