Sundimi i ligjit, në duart e mafio-oligarkëve
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë, por edhe opozitarët e vendit kanë thënë se janë grupet e veçanta që vijnë nga ekonomia dhe të lidhura me politikën, ato të cilat udhëheqin jo vetëm pushtetin gjyqësor, Prokurorinë, policinë dhe gjykatat, por në tërësi të njëjtat i kanë dërguar njerëzit e vet në institucionet e sipërpërmendura por edhe kudo tjetër.
SHTETI NUK KONTROLLOHET NGA PUSHTETI POLITIK
Berisha: Njerëzit e nëntokës menaxhojnë të gjithë sektorët ekzekutivë të shtetit
“Kemi një lidhje të fortë midis aktorëve politikë dhe ekonomikë, ku natyrisht janë aktorët ekonomikë ata që e diktojnë politikën dhe në emër të aktorëve ekonomikë, dalin këta politikë, që kanë rrëmbyer në tërësi pushtetin shtetëror si në fushën legjislative, po ashtu edhe në atë ekzekutive dhe gjyqësore. Natyrisht se është problem zgjidhja e kësaj çështjeje, për të cilën mendoj se duhen masa të rrepta në drejtim të luftimit të krimit dhe korrupsionit, por edhe masa të rrepta në radhë të parë për spastrimin e figurave politike”, është shprehur profesor Muhamet Kelmendi
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë, por edhe opozitarët e vendit kanë thënë se janë grupet e veçanta që vijnë nga ekonomia dhe të lidhura me politikën, ato të cilat udhëheqin jo vetëm pushtetin gjyqësor, Prokurorinë, policinë dhe gjykatat, por në tërësi të njëjtat i kanë dërguar njerëzit e vet në institucionet e sipërpërmendura por edhe kudo tjetër. Ndaj së këndejmi është shtruar edhe pyetja se si po sundon ligji në Kosovë, kur kihet parasysh fakti se janë pikërisht personalitetet e njohura që në hije e të padukshme shpeshherë janë mbi ligjin, duke sunduar në të tria pushtetet e (pa)ndara në Kosovën e kapur nga mafio-oligarkia.
Profesori universitar, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se janë grupe të veçanta që vijnë nga ekonomia të lidhur me politikën, e të cilat mjaft ashpër e kanë kapur këtë të fundit dhe janë ato, të cilat udhëheqin jo vetëm pushtetin gjyqësor, në këtë rast Prokurorinë, policinë dhe gjykatat por edhe i kanë dërguar njerëzit e vet, të cilët nuk kanë as të kaluar të nivelit që kërkohet në pozita të tilla të rëndësisë së veçantë, qoftë në polici, prokurori dhe gjykata. “Këto grupe të interesit kanë shkuar edhe më tutje, duke u marrë edhe me çështjen e legjislacionit, dhe duke futur nën kontroll gjithçka. Kjo edhe përmes vetë presidentit të Kosovës, pasi jemi dëshmitarë që ai ka iniciuar qoftë ndryshimin e Kushtetutës, ligjeve etj. Ndërsa në fakt është personi, i cili kryesisht ka qenë rreth 10 vite në pushtet dhe pothuajse është personi kryesor që ka pranuar të gjitha iniciativat në drejtim të zgjidhjes së problemeve juridike dhe shoqërore, e legjislative në fushën e Kushtetutës dhe të krimit e korrupsionit”, është shprehur Kelmendi, shkruan gazeta Kosova Sot.
Musa: Te veprat e ndjeshme penale vepron edhe parapolitika
Kelmendi tha se këtu kemi një lidhje të fortë midis aktorëve politikë dhe ekonomikë, ku natyrisht janë aktorët ekonomikë ata që e diktojnë politikën dhe në emër të aktorëve ekonomikë, dalin këta politikë që kanë rrëmbyer në tërësi pushtetin shtetëror si në fushën legjislative, po ashtu edhe në atë ekzekutive dhe gjyqësore. “Natyrisht se është problem zgjidhja e kësaj çështjeje, për të cilën mendoj se duhen masa të rrepta në drejtim të luftimit të krimit dhe korrupsionit, por edhe masa të rrepta në radhë të parë për spastrimin e figurave politike dhe për dhënien e llogarisë së atyre, të cilët nuk duhet për t’i pyetur shumë se kush janë, pasi mjafton t’ua shikosh pasurinë që kanë për të kuptuar kësisoj se a janë kriminelë dhe të korruptuar”, është shprehur Kelmendi.
Avokati Skender Musa thotë se tri pushtetet kryesore, ekzekutivi, legjislativi dhe Gjyqësori me ligj në Republikën e Kosovës janë të ndara dhe realisht ashtu edhe duhet të funksionojnë, mirëpo, sipas tij, në Kosovë mund të ketë edhe ndërhyrje nga politika, por në disa raste të caktuara edhe nga parapolitika, sidomos në ato raste kur veprat penale janë më të ndjeshme. “Pa dyshim se partive politike, si atyre në pushtet, por edhe në opozitë, nuk u konvenon që të forcohet Gjyqësori, për shkak se unë konsideroj se shkelësit më të mëdhenj të ligjit, por edhe dëmtuesit më të mëdhenj të Kosovës edhe në aspektin e plotësimit të kritereve të BE-së e bëjnë politikanët, derisa këta të fundit njëfarë forme po e gjejnë Gjyqësorin dhe Prokurorinë si fajtor permanent në këtë drejtim, edhe pse realisht fajtor kryesor është Qeveria, Kuvendi, që nuk krijojnë kushte për t’u pavarësuar drejtësia, por edhe që nuk krijojnë kushte më të mira qoftë financiare të rritjes së buxhetit dhe shtimit të stafit”, ka deklaruar për gazetën, “Kosova Sot” avokati Skender Musa./kosova sot/


