Sulmi terrorist në Banjskë, Bislimi: Skenar i Serbisë, me të vetmin qëllim destabilizimin e Kosovës dhe rajonit
Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, theksoi sot se rajoni ynë po përballet me tentativa destabilizuese, që me shumë gjasë, regjisorin e kanë në Rusi, por që akterët kryesorë janë nga vetë regjioni.
Bislimi në tryezën ndërparlamentare të organizuar nga Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, ku u mirëpritën Komisionet për Punë të Jashtme dhe Integrim Evropian të Kuvendeve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë dhe Bullgarisë tha se Kosova është përballur disa herë këtë vit, edhe në muajt maj dhe qershor, e së fundmi më 24 shtator, me skenarë që kanë vetëm një qëllim, destabilizimin, e atë jo vetëm të Kosovës por edhe të gjithë rajonit”.
Ai më tej foli edhe për procesin integrues të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është më shumë sesa thjesht proces burokratik, është kthim në gjenezë, është rindërtim i kulturës dhe vlerave të paqes e stabilitetit dhe vizion për të ardhmen e përbashkët të popujve tanë”, tha ai.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi tha se Bashkimi Evropian e vlerat demokratike janë orientimi strategjik i Kosovës
Ai më tej theksoi angazhimin e Kosovës në përmbushjen e kritereve e arritjen e standardeve të BE-së.
“Anëtarësimi në BE kërkon jo vetëm arritje të standardeve evropiane, por edhe përqafim të mirëfilltë të parimeve demokratike, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Kosova tashmë 7 vite ka marrëveshje formale me BE-në dhe zbaton MSA-në përmes planeve vjetore, përderisa Agjenda e Reformave Evropiane është prioritet i yni në shumë fusha”, tha ai. /Telegrafi/