Sulmi në Kumanovë i pamoralshëm dhe i pashpirt
Ngjarjet në Maqedoni, e konkretisht sulmi i policisë në Kumanovë është si rezultat i politikave të gabuara , politika këto që jetëgjatësinë e tyre e shohin në flijim dhe viktimizim të popullatës civile shqiptare. Sa herë që politikanët zihen ngushtë ata përdorin popullin si lëndë djegëse të fletave të tyre të ndyra. Sulmi në Kumanovë ishte tejet joprofesional kurse në aspektin moral ishte tejet i pashpirt.
Kështu mendon analisti shqiptarë nga Maqedonia, Ardian Ramadani, i cili për Zëri.info ka thënë se sulmet e Policisë Maqedonase ishin tejet jo morale dhe jo profesional.
Ramadani shprehet se policia sulmoi furishëm, në mesin e atyre që flinin qetas, por që u gdhinë trishtueshëm dhe të ekspozuar përballë një rreziku të paparë, i imagjinueshëm vetëm nëpër filma. Në anën tjetër grupet e armatosura, që supozohej se gjendeshin aty, e që sipas dëshmitarëve dhe banorëve të asaj ane, nuk i ka parë askush këta grupe, që mund të jenë edhe fiktive.
Sipas Ramadanit grupet e armatosura nuk sulmuan askënd në Kumanovë por u sulmuan prej policisë.
“Grupet të armatosura nuk sulmuan askënd, as popullatën as askend, por u sulmuan prej policisë, me ç`rast një lagje e tërë u bë shkrumb e hi. Organet e policisë na paraqiten si shpëtimtarë, edhe pse askush nga popullata civile nuk ka kërkuar ndihmë për shpëtim” thotë Ramadani për Zëri.info
Partitë shqiptare në qeverisje me rol sekretaresh të ministrave Maqedonas
Ndër të tjera Radadani ka hënë se partitë shqiptare në Maqedoni të cilët janë bashkëqeverisës me VMRO-në, po shërbejnë si shtyllë se sa si një faktor i rëndësishëm.
Mirëpo dilema sipas Ramadanit është se cili është roli dhe përgjegjësia e partisë shqiptarë në qeverisje.?
“Për shkak të mungesës së qasjes në informacione, partia shqiptare në pushtet, e cila bashkëqeveris me VMRO-në, më tepër është si patericë se sa si ndonjë faktor i rëndësishëm, shtrohet pyetja se ç`farë përgjegjësie mbart dhe cili është roli dhe përgjegjësia e saj ? Jemi të bindur se roli i tyre është shumë më i vogël se roli i sekretareshave të ministrave maqedonas” ka thënë Ramadani.
Zaevi u pritë si shpëtimtar, përfaqësuesit shqiptar u mallkuan
Ramadani thotë se banorët e Kumanovës, shpresën e shihnin në diku tjetër jo në partitë shqiptare dhe në partitë tjera opozitare, andaj Zaevi u pritë si shpëtimtarë.
“ Shqiptarët e Lagjes së Trimave pritën liderin e opozitës maqedonase Zoran Zaev, si shpëtimtarë, me datën 11 maj, ditën kur erdhi i pari ti vizitojë këta banorë. Pra ata shpresën e shihnin krejtësisht ndokund tjetër, e jo te partia shqiptare në pushtet, por as edhe te ajo në opozitë. Përfaqësuesit shqiptarë në pushtet lëre që nuk kanë qenë aty, por edhe sikur të shkonin do të dilnin me turp. U pa se si i priti popullata ditën e aksionit, me sharje dhe mallkime këta përfaqësues, që nuk janë në gjendje të përfaqësojnë as edhe veten e tyre e lëre shqiptarët” ka deklaruar Ramadani duke shtuar se edhe deklaratat e palës Kosovare dhe asaj Shqiptare ishin butaforike dhe të marra.
Zaevi, zgjidhje e duhur
Për Ramadanin zgjidhja e problemit në Maqedoni, është dekriminalizimi i këtij shteti, largimi i qeverisë si dhe ardhja e kuadrove profesionale në krye të Shtetit. Sipas tij, edhe Zaevi do të ishte zgjidhje e mirë.
“Zgjidhja e këtij problemi dhe nyje gordiane, e cila mund të shndërrohet në një pikë destabilizuese jo vetëm për Maqedoninë, por edhe më gjerë, është dekriminalizimi i këtij shteti, largimi i kësaj shpure qeveritare, ardhja e kuadrove profesionale me mendësi evropiane. Lideri opozitar Zoran Zaev, mundë të ishte një zgjidhje e mirë. Pra çfarëdo zgjidhje, duhet të bëhet me largimin e Mijallkovit- Gruevskit- Jankullovskës, si dhe kakistokratëve, tenderokratëve dhe injorantëve të partisë shqiptare” thotë Ramadani.

