Sulmi ndaj avokatit rast makabër dhe bizar

Gjilan – Është kërkesë unanime që organet hetuese dhe Prokuroria Themelore në Gjilan, të bëjnë përpjekje maksimale në ndriçimin e këtij rasti makabër dhe bizar, t`i zbuloj kryesit e kësaj vepre penale dhe organet e drejtësisë të merren me procedimin e rastit të mëtutjeshëm thuhet në reagimin e Odës Rajonale të Avokatëve të nënshkruar nga kryetari i saj Shemsedin Piraj.
Oda Regjionale e Avokatëve në Gjilan, në mbledhjen e jashtëzakonshme ka shqyrtuar rastin e ndodhur , gjegjësisht sulmin që i është bërë avokatit, Ramadan Lekës, në Zyrën e tij në Gjilan, në pranin e vajzës së tij, nga dy persona tani për tani të panjohur, të cilët në mënyrë të befasishme e kanë sulmuar avokatin duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit dhe se me këtë rast i janë shkaktuar lëndime të konsiderueshme trupore, dhe si rast urgjent është dërguar në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ku janë konstatuar lëndime në fytyrë, në kokë, në hundë dhe në pjesën ballore të fytyrës, e që sipas mjekut –Shefit të Emergjencës në Gjilan konsiderohet se i njëjti është goditur me mjete të forta.
Kryetari i Odës së Avokatëve Shemsedin Piraj tha se ky rast ka shkaktuar indinjatë të thellë tek avokatët e Anamoravës të cilët janë të përkushtuar që profesionin ta kryejnë pa kurrfarë hezitimi edhe pse janë të vetëdijshëm se ky profesion bartë rreziqe në vete.
Oda e Avokatëve të Rajonit të Anamoravës, konsideron se sulmi ndaj avokatit Leka ka qenë i përgatitur në mënyrë detale dhe është shfrytëzuar rasti kur frekuenca e njerëzve në atë pjesë ku avokati e ka zyrën e tij, është e vogël.
Konsiderojmë se sulmi ndaj avokatit është edhe sulm ndaj avokatisë dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë, dhe se avokatët janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme dhe kontinuele për krijimin e rendit dhe sundimin e Ligjit në të gjitha sferat.
Njëherit, është kërkesë unanime që organet hetuese dhe Prokuroria Themelore në Gjilan, të bëjnë përpjekje maksimale në ndriçimin e këtij rasti makabër dhe bizar, t`i zbuloj kryesit e kësaj vepre penale dhe organet e drejtësisë të merren me procedimin e rastit të mëtutjeshëm thuhet në reagimin e Odës Rajonale të Avokatëve të nënshkruar nga kryetari i saj Shemsedin Piraj ./rajonipress/