Suksesi në sport më bën t’i harroj të gjitha vështirësitë
Aziz Salihu është ish-boksier me nam botëror. Ai ka lindur në vitin 1954 në Banullë të Lipjanit. Si 14-vjeçar nisi të merrej me boks në klubin e boksit “Shkupi”.Aty mori hapat e parë për të vazhduar më pas karrierën në klubin “Kabllovi” nga Svetozareva dhe më pas në klubin “Prishtina”, ku ka arritur edhe sukseset më të mëdha.
Ai ka përfaqësuar Jugosllavinë në ngjarjet më të mëdha sportive, si Lojëra Olimpike, Botërore, Evropiane e Lojëra Mesdhetare.
Për 12 vjet ishte reprezentues standard dhe një prej më të mirëve. Pos medaljes olimpike, ka fituar edhe tri medalje të tjera të mëdha, si të bronztën në Botëror dhe dy të bronzta në evropiane.
Pesë herë është shpallur edhe kampion ballkanik, kurse dy herë i Lojërave Mesdhetare. Ka edhe 10 tituj nga kampionatet e ish-Jugosllavisë, dy herë si juniorë e tetë herë si seniorë.
Në një meç revial ka qenë edhe kapiten i Përfaqësueses së Evropës kundër SHBA-së. Ka punuar edhe si trajner, ka nxjerrë shumë talente, ndërkohë që sot është kryetar i klubit më të madh në Kosovë, “Prishtina”.
“Los Angeles 1984” mbetet ngjarje që do ta kujtoj për tërë jetën. Unë kam marrë pjesë në tri Olimpiada rresht, në “Moska 1980”, në “Los Angeles 1984” dhe në “Seoul 1988”, por ajo në ShBA mbetet e veçantë për mua, pasi kam fituar medaljen e bronztë olimpike.
Me këtë medalje edhe sot vazhdojnë të krenohen jo vetëm unë dhe familja, por të gjithë shqiptarët kudo që janë. Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa pjesëmarrja në Lojëra Olimpike, andaj edhe kam punuar shumë që sportistët kosovarë të marrin pjesë në këso ngjarjesh, pasi më mirë se unë nuk e di askush vlerën e tyre.
Në Los Angeles kam fituar medaljen e bronztë, por me pak fat dhe me më shumë drejtësi, kam mundur të fitoja edhe medaljen e argjendtë apo të artë. Gjithsesi kjo mbetet ngjarja më e veçantë për mua si boksier me nam që kam qenë./koha/


