Subvencionet për bizneset në Kamenicë ngjallin reagime, qytetari kërkon verifikim të përfituesve
Kamenicë – Nënshkrimi i kontratave për subvencionimin e 48 bizneseve lokale nga Komuna e Kamenicës është shoqëruar edhe me reagime publike lidhur me kriteret e përzgjedhjes së përfituesve.
Komuna njoftoi se nënkryetarja Arta Bajralija dhe drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, Edon Dërmaku, pritën në takim bizneset përfituese dhe nënshkruan kontratat për mbështetjen financiare. Sipas komunës, në kuadër të programit janë ndarë 162,736 euro, nga të cilat do të përfitojnë 48 biznese për zhvillimin dhe zgjerimin e veprimtarisë së tyre.
Megjithatë, pas publikimit të njoftimit, qytetari Avdirrahim Ismaili ka reaguar publikisht, duke shprehur dyshime se në mesin e përfituesve mund të ketë biznese që nuk kanë përmbushur detyrimet ligjore.
“Urime, keni mbështetur biznese që punojnë me vite pa paguar asnjë taksë komunës e shtetit, ndërsa ato biznese që paguajnë çdo kontribut i keni anashkaluar. Dilni prej zyrave dhe evidentoni ata që kanë marrë subvencione e që prej vitesh punojnë pa u regjistruar askund”, ka shkruar Ismaili.
Deri më tani, Komuna e Kamenicës nuk ka reaguar ndaj këtij komenti dhe as nuk ka bërë të ditur nëse do të ketë verifikime shtesë lidhur me pretendimet e ngritura në publik.
Programi i subvencionimit synon mbështetjen e bizneseve lokale dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik në komunë, ndërsa çdo pretendim për parregullsi mbetet të trajtohet nga institucionet kompetente, nëse paraqiten prova apo ankesa zyrtare./rajonipress/


