« Studenti » mirëpret brucoshët

Pëkrah studentëve “të vjetër”, ishin mbi 20 studentë fillestarë, që vinin për herë të parë në një aktivitet të “Studentit” të Cyrihut
Driton Komani ka qenë kryetar i Shoqatës së Studentëve shqiptarë të Cyrihut “Studenti” 7-8 vite më parë ndërsa Orhan Spahiu e ka trshëguar Dritonin në atë post. Sot, Dritoni punon si asistent në Fakultetin e matematikës në Cyrih dhe Orhani, i diplomuar si jurist, mban vendin e punës së praktikantit, në një zyrë avokature.
Sonte ata të dy dhe shumë të tjerë, pak më të rinj, janë në rolin e “pleqve” që kanë ardhur të takohen me të rinjtë, për t`i udhëzuar ata në rrugën e jetës studentore. Mbrëmja që i ka bërë bashkë, mban moton “Old meet young” (Të vjetrit takojnë të rinjtë), prandaj ata, si të vjetër, janë në rolin e nikoqirit dhe të rinjtë janë mysafirët.
Janë një numër i konsiderueshëm studentësh që sonte marrin pjesë për herë të parë në një aktivitet studentor. Ata janë “gjithë sy e veshë” për të mësuar sa më shumë për punën dhe përditshmërinë që i pret si studentë. “Të vjetrit” janë aty për t`ua hequr ngurrimin dhe për t`i “natyralizuar” në ambientin e ri.
Takimit tradicional të studentëve të brezave të ndryshëm i është bashkuar sonte edhe konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, Sali Sefa. Në një fjalë rasti dr. Sefa ka përgëzuar studentët për këtë organizim dhe ka shprehur kënaqësinë e tij për një prani kaq mbresëlënëse të këtyre të rinjve të shkolluar e të edukuar në Zvicër.(albinfo.ch)