RCCOLA

Strasburgu refuzon bashkimin e familjes kosovare në Zvicër

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Në vendim, veç tjerash thuhet se gruaja kishte heshtur me rastin e lidhjes së martesës në vitin 2007 ekzistimin e tre fëmijëve që sot janë 10, 17 dhe 19 vjeçarë.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka hedhur oshtë ankesën që një familje kosovare kishte bërë ndaj autoriteteve zvicerane për mohimin e të drejtës për bashkim familjar.

Me vendimin përfundimtar të shkallës më të lartë të gjyqësisë evropiane, fëmijët e kësaj familjeje u mohohet e drejta të bashkohen me familjen në Zvicër, gjegjësisht të fitojnë të drejtën e qëndrimit në këtë vend.
Arsyetimi për këtë vendim është se së pari, familja e përmendur i kishte sjellë fëmijët në Zvicër në mënyrë ilegale.

Veç kësaj, për tre fëmijët në fjalë, kthimi në Kosovë është i arsyeshëm. Pastaj, vazhdon arsyetimi i vendimit të gjykatës, prindërit i kishin sjellë fëmijët në Zvicër përkundër faktit se autoritetet e vendit e kishin refuzuar këtë gjë.

RCCOLA

Neni 8 i Konventës për të drejtat e njeriut nuk garanton të drejtën e zgjedhjes së vendit më të përshtatshëm për zhvillimin e jetës së përbashkët familjare, ka konstatuar gjykata. Kjo për faktin se sipas gjyqtarëve, familja kosovare kishte vendosur vetë dhe në mënyrë të lirë për të jetuar në Zvicër, shkruan Neue Luzerner Zeitung.

Më tutje në arsyetimin e gjykatës së Strasburgut thuhet se fëmijët, të cilët përkohësisht dhe në mënyrë ilegale kanë jetuar në Zvicër, vazhdojnë të kenë në Kosovë lidhje familjare. Po ashtu edhe prindërit kanë mundësinë që të kthehen në Kosovë te fëmijët e tyre.

Gjykata për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg ka konstatuar gjithashtu se prindërit gjatë zhvillimit të procedurës jo gjithherë kanë thënë të vërtetën. Veç tjerash, gruaja kishte heshtur me rastin e lidhjes së martesës në vitin 2007 ekzistimin e tre fëmijëve që sot janë 10, 17 dhe 19 vjeçarë.

Ndërkaq, në fund të vitit 2007 familja kishte kërkuar lejen e qëndrimit në Zvicër për po ata fëmijë. Në vitin 2009 autoritetet e kantonit kishin hedhur poshtë këtë kërkesë, ndërsa pas kësaj, fëmijët kishin hyrë ilegalisht në Zvicër. Ata ishin detyruar sërish të largoheshin nga Zvicra, pasi që kërkesat për leje qëndrimi u ishin refuzuar edhe një herë./albinfo/