STOP miliardave për asfalt elektoral!
Analistë të ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve janë të mendimit se investimet nga buxheti i vendit në ndërtimin e autostradave në Kosovë dhe po bëhen vetëm për efekte elektorale dhe asgjë tjetër. Ndërkaq, në mesin e autostradave të tilla, sipas analistëve, është ajo që shpie nga Prishtina për në Gjilan dhe që e lidh Kosovën me Preshevën, por dhe autostrada tjetër që e lidh Kosovën me Merdarin.
Analistët janë të mendimit se derisa në kohën kur ne si një shtet i varfër dhe me një ekonomi të shkatërruar dhe i porsadalë nga lufta po investojmë në zgjerime të rrugëve si kjo për Merdar, Qeveria e Serbisë po thith fonde milionëshe evropiane për të lidhur rrugët e saja me autostradën për Merdar.
Specialistët e kësaj fushe janë shumë kritikë dhe ata e shtrojnë në diskutim çështjen se përse pushtetet tona që nga paslufta e deri më sot po punojnë pa kurrfarë strategjie ekonomike, por për qëllime elektorale janë në gjendje të “djegin” edhe paratë e buxhetit të shtetit përmes tenderëve milionësh të ndërtimit të rrugëve, pushtetarët e kanë mundësinë që të vjedhin dhe që të zhvatin buxhetin e vendit pa asnjë kontroll fare.
AKB-ja mbështet partneritetet publiko-private
Nënkryetari i AKB-së, Suad Berisha, tha për “Kosova Sot” se AKB-ja është në mbështetje të projekteve infrastrukturore e në veçanti atyre projekteve ndërkombëtare apo ndërtimit të autostradave, por ka shprehur rezerva për mënyrën e realizimit të këtyre autostradave që janë ndërtuar në Kosovë. “Veçanërisht kur është në pyetje një buxhet i vogël që është në Kosovë, që fillimisht kohët e fundit sillet nga 1 miliard – 1.5 miliard, Qeveria e Kosovës që nga ai buxhet i varfër të realizojë projekte kapitale për vendin”, u shpreh ai. “AKB-ja konsideron se tash do të mundeshin që të realizoheshin këto projekte kapitale përmes formave të tjera, sidomos përmes dhënies së tyre me koncesion, por edhe të thithjes së fondeve të ndërtimit të rrugëve që financohen nga Bashkimi Evropian. Kjo sepse BEja është e interesuar që të lidhë korridoret ndërkombëtare e aq më tepër për shkak të porteve të Shqipërisë që përmes Kosovës mund të funksionalizohen më tepër”, tha Berisha. “AKBja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që çdo projekt tjetër i ndërtimit të autostradave të provohet të realizohet përmes dhënies së koncesioneve apo përmes formës së partneritetit publiko-privat. Por, gjithsesi koncesioni është më i favorshëm, ngase konsiderohet investim i drejtpërdrejtë i një investitori të jashtëm, kurse buxheti i Kosovës duhet që të shfrytëzohet për nevoja të tjera, që janë të shumta”, vijoi më tutje ai. AKB-ja u bën thirrje sidomos Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Integrimeve Evropiane që të thithin sa më shumë fonde të BE-së, ashtu siç po bëjnë vendet e regjionit, si Maqedonia, Bullgaria dhe së fundmi në masë të madhe e ka bërë edhe Serbia dhe as mos të flasim për Slloveninë dhe Kroacinë, që në masë të madhe i kanë shfrytëzuar fondet e BE-së.
Të shfrytëzohen fondet e BE-së
Bankieri Milazim Abazi tha për “Kosova Sot” se investimet në rrugë, marrë parasysh trashëgiminë e dobët në infrastrukturën rrugore, Kosova i ka të domosdoshme dhe për një kohë të gjatë dhe ato do te mbeten prioritet i çdo qeverie. “Kosova është territor i vogël dhe i mbipopulluar edhe me njerëz edhe me makina, andaj ndërtimi i rrugëve të reja dhe zgjerimi i atyre ekzistuese është tepër i nevojshëm për të lehtësuar lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave. Kjo ngase të gjithë ne jemi përditë prezentë në komunikacion dhe aty vërehet se sa e vështirë është të drejtosh me veturë të themi nga Prishtina në Podujevë apo nga Prishtina në Pejë, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë”, u shpreh ai. “Ajo që duhet të bëjë qeveria e re është që mos t’i përsëritë gabimet e qeverive të shkuara, që për ndërtimin e autostradave të përdorë buxhetin e shtetit. Autostradat duhet të ndërtohen nga fondet e BE-së, që janë të parapara për zhvillime rajonale, duke shfrytëzuar kredi të buta ndërkombëtare, si dhe të ndërtohen me formën e partneritetit publikoprivat. Ndërkaq buxheti i shtetit duhet që të orientohet shumë më tepër në ndërtimin e shkollave, çerdheve, spitaleve, ujit të pijshëm dhe kanalizimit “, potencoi Abazi. Sipas tij, Qeveria e re duhet që të jetë edhe shumë më e kujdesshme në rastin e lidhjes së kontratave me kompanitë ndërkombëtare të ndërtimit të autostradave, në mënyrë që një pjesë e mirë e ekzekutimit të punimeve të bëhet nga kompanitë vendore të ndërtimit të rrugëve dhe të prodhimit të materialeve inerte.
Buxheti të mbështesë projekte punësimi
Analisti Mustafë Kadriaj tha për gazetën “Kosova Sot” se edhe qeveria ‘Haradinaj’ është duke i vazhduar të njëjtat projekte, me theks të veçantë zbrazjen e buxhetit në autostrada. Sipas tij, fokusi i të gjitha qeverive në ndërtimin e rrugëve është me të vetmin qëllim, për t’ua kthyer borxhin sponsoruesve të fushatave, duke i favorizuar dhe duke shkelur procedura dhe Ligjin e ekonomisë së tregut. “Si rezultat, duke e zhvatur buxhetin e varfër të Kosovës, është duke u varfëruar çdo ditë e më shumë qytetari i Kosovës”, u shpreh ai.
Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, thotë për gazetën “Kosova Sot” se autostrada “Ibrahim Rugova” ka qenë projekti më i madh kapital që është bërë në Republikën e Kosovës, mirëpo sipas shumë analizave, është përcjellë me disa parregullsi edhe në pikëpamje financiare. “Edhe pse nuk është ditur çmimi i saktë i autostradës, ka mundësi që i afrohet rreth 1 miliard eurove dhe shumica e mjeteve financiare janë marrë nga buxheti i Kosovës. Ka pasur dhe ka mundësi që të thithen fonde të tjera nga BE-ja si dhe të merren kredi të buta nga shumë institucione financiare botërore me një kthim shumë afatgjatë. Edhe pse kemi pas nevojë për rrugë shumë analiza tregojnë se kjo autostradë nuk ka sjellë një zhvillim të hovshëm ekonomik ashtu siç është pritur”, potencoi ai.
Analisti Neziraj beson se Qeveria ‘Haradinaj’ nuk do t’i përsëritë gabimet e qeverive të kaluara dhe paratë e buxhetit të Kosovës t’i shpenzojë në autostrada. “Projektet kapitale duhen të realizohen nga buxheti i Kosovës dhe të sjellin vende të reja të punës”, theksoi ai. Sipas tij, ndërtimi i autostradave nuk ka sjellë as investime dhe as punësime, prandaj qysh në fillim të vitit 2018 duhet që të përcaktohen prioritetet e qeverisë, të cilat duhet të sjellin një rritje më të madhe ekonomike sesa që ajo ishte deri më tani dhe kjo bëhet vetëm me investimet në ndërmarrje të vogla e të mesme, si dhe në ndryshimin e strukturës së ekonomisë së vendit që do të ndryshojë edhe bilancin tregtar të vendit.
(Kosova Sot)


